Prof. dr. Ksenofon Krisafi: ‘Mozaiku’ i arkitektit Ibrahim Emiri
Para pak javësh u përhap lajmi i prishjes në Përmet të një objekti me simbolikë të veçantë. Njihej me emrin Kupola. Për përmetarët e mirëfilltë ose për ata që kanë jetuar atje, lajmi u shoqërua me ndjesi keqardhjeje, sepse vlerësohej si një ndër veprat me identitet të spikatur. Ishte projektuar me profesionalizëm, sipas modeleve më të mira të kohës, mbi bazën e traditës dhe kulturës qytetare përmetare, si edhe mbante parasysh veçoritë e relievit. Prandaj ishte vlerësuar me çmim të parë në Konkursin Kombëtar me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtimi nazi-fashist. Ajo kishte krijuar një segment të rëndësishëm të mozaikut arkitekturor të qytetit, ishte gjithashtu një qendër me karakter social, ku breza të tërë njerëzorë kishin ngurtësuar në memorie ngjarje të ndryshme. Ekzistenca e Kupolës, përveç ndjesive të këndshme estetike, iu zgjonte atyre edhe nostalgji të së shkuarës.
E fillova jo rastësisht këtë shkrim me Kupolën. Ajo ka lidhje periferike me objektin e tij. Prishja e saj shkaktoi një keqardhje të thellë edhe te projektuesi i saj, inxhinier-arkiktekti i talentuar gjirokastrit, Ibrahim Emiri, rrugëtimi profesional i të cilit ka nisur nga Përmeti.
Në qytetin e trandafilave ai mbërriti pas mbarimit me rezultate të larta të studimeve për inxhinieri ndertimi në Universitetin e Tiranës e punoi aty për nje çerek shekulli. Me formimin e lartë profesional, vizionin modern të të ardhmes dhe punën këmbëngulëse, la gjurmë të bukura në mjaft vepra me karakter urban, social-kulturor, industrial, etj, për të cilat ka shkruar me shumë pasion e dashuri edhe në librin e vet “Mbresa të një projektuesi”.
Ibrahimi është i vlerësuar edhe për marrëdhëniet shembullore me përmetarët, të cilët i kanë ofruar pa kursim respekt dhe miqësi.
Më vonë trajektorja e jetës do ta sillte në Tiranë, ku prej vitesh ka kontribuar në një nga sipërmarrjet më të mëdha e më serioze të ndërtimit, me emrin “Triss-Ndërtim”, themeluar prej disa prej inxhinierëve më të mirë të kësaj fushe, të drejtuar nga personaliteti i inxhinierisë së ndërtimit Ismail Ahmeti, i vlerësuar edhe me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Ibrahimi nuk është vetëm një inxhiner-arkitekt shumë i mirë, por edhe një krijues letrar. Fryt i kulturës, talentit dhe punës së palodhur, i etjes së pashuar për lexime, për dije, janë edhe librat e shkruara prej tij. I pari ndër to është libri “Alizot Emiri, njeriu, libràri e gazet fisnike”, në bashkautorësi me vëllain e vet, Shpëtim Emirin. Ia kushtojnë atit të tyre, Alizotit ose Zotes, siç e njihte Gjirokastra dhe intelektualë të shumtë nga gjithë vendi, të cilëve u binte rruga nga qyteti i gurtë. Ai mbeti i skalitur në memorien e njerëzve si librár, intelektual dhe veprimtar i shquar.
Libri tjetër “Mbresa të një projektuesi” bën fjalë, jo vetëm për mjaft kujtime nga kënaqësitë profesionale, por edhe për mbresa nga shqetësimet e asaj kohe gjatë punës pasionante për projektimin dhe realizimin e disa prej objekteve në Përmet. Lexuesi i ndjen ato të perceptuara dhe të paraqitura nën optikën e një prej specialistëve nga më të mirët në fushën e arkitekturës dhe inxhinierisë së ndërtimit.
I treti libër i tij është pikërisht “Mozaik”, për të cilin kam kënaqësinë të shkruaj këto radhë. Për të janë publikuar tashmë një numër jo i paktë shkrimesh, vlerësimesh, komentesh etj, nga lexues të ndryshëm. Përshkohen nga kënaqësia dhe dashamirësia që miq e kolegë të tij provojnë “nga pjesëmarrja” në gëzimin e autorit. Për këtë arsye gjykoj të flas më shumë për Ibrahimin, doemos pa e shpërfillur “Mozaikun”.
Libri është njëlloj retrospektive e kujtesës së dikujt që ka kaluar një jetë plot përpjekje, lodhje, mërzitje, ankth, por edhe me arritje, gëzime, entusiazëm dhe optimizëm, sikurse ka ndodhur edhe me autorin e “Mozaikut”. Ecja e tij përpara ka pasur kostot e veta, hera-herës në format e traumave tronditëse. Megjithatë, ai mbetet gjithmonë i kthjellët, i aftë, i qartë, i palëkundur në parime e ndershmëri njerëzore. Ka përballuar vështirësi duke qëndruar vazhdimisht në ballë.
Nga kjo pikëpamje libri i arkitekt Ibrahimit ka pasqyruar disa fragmente nga “filmi” i jetës së vet, që nga rendjet fëminore në kalldrëmet e Palortosë së Gjirokastrës, rrëzimet e ngritjet, edukimin shkollor, formimin profesional, hapat e parë në jetën aktive, realizimet e veprave të tij, jo të pakta në numër.
Libri, modest në volum, por i pasur në mendim dhe në kontribute, ngjan me një minihistori të koncentruar në fokusin e jetës së atyre që punonin dhe krijonin vepra, që mbeten dhe i shërbejnë shoqërisë. Lexuesi gjen aty disa nga shfaqjet më tipike, ndonjëherë edhe më të çuditshme të periudhës gjysmëshekullore të komunizmit në Shqipëri, gjen përshkrime të gjalla për sakrificat, mundimet, cunamet shpirtërore dhe intelektuale të njerëzve, shtetin, burgun, policin, ofiqarët ziliqarë e të pashpirtë, por edhe njerëzit e mrekullueshëm, të ndershëm, të dashur, solidarë në të mirë e në të keq, gjen edhe aspektet emocionale pozitive të jetës që, pavarësisht varfërisë ekonomike dhe privacioneve të tjera, nuk rreshtëte të rridhte pastër në çdo familje. Shqiptarët, megjithë hallet e mëdha, në çdo kohë kanë jetuar, kanë punuar, kanë luftuar dhe në fund të fundit kanë triumfuar. Ky është mesazhi kryesor që unë dalloj në librin e mikut tim Ibrahim, mesazh të cilin ai e transmeton edhe me shembullin vetiak dhe të familjes së tij. Gjirokastritët, të cilët i njohin më nga afër, mendojnë se, pavarësisht vështirësive dhe kufizimeve të kohës, të gjithë Emirët ishin dhe kanë mbetur të suksesshëm, madje protagonistë në fushën e vet.
Libri tregon se nuk mund të kishte ecje dhe rezultate në boshllëk, në shkretëtirë. Lypsej një bazë e qëndrueshme edukimi dhe emancipimi qytetar, kulture e sjelljeje njerëzore, por edhe përpjekje të gjithanshme, sakrifica, vendosmëri, këmbëngulje, largpamësi. Këto i ndesh nëpër faqet e tij, ku gumëzhin jeta, puna, problemet, rrëzimet dhe ngritjet e njerëzve të mirë, që i vinin shpatullat njeri tjetrit. Këta i dallon te portretet e specialistëve dhe punëtorëve të talentuar e të palodhur, pa përjashtuar edhe drejtorë njerëzorë, me të cilët autori ka punuar dhe i ka njohur nga afër, çka i ka dhënë mundësi që t’i skaliti me dashuri dhe nostalgji. “Mozaiku” e njeh lexuesin edhe me episode me shumë domethënie, pjesë e jetës së përditshme të grupeve dhe shtresave të ndryshme të shqiptarëve. Ai ishte “mozaiku” shumëngjyrësh i realitetit shqiptar të asaj kohe, i projektuar në mënyrë simbolike nga autori qysh në kopertinën e librit, ku një hije zbehet dalëngadalë për t’u shuar dhe për t’ia lënë vendin ngjyrave, gjallërisë, dritës, jetës. Ajo shtjellohet gjerësisht në një numër të shumtë tregimesh në brendësi të librit.
Libri është strukturuar në tre pjesë. E para, më e gjata në tituj dhe numër faqesh, është “Koha e absurditeteve”. Aty pasqyrohen përjetimet e autorit nga periudha e sistemit të kaluar, ku shfaqeshin së bashku drama dhe komedia, trishtimi, dhimbja dhe gëzimi, paradokset e pabesueshme të kohës që mbeti pas, shakatë që i jepnin ngjyrë e kripë jetës dhe vështirësive të saj, pa mohuar arritjet e padiskutueshme, veprat e mëdha në industri, bujqësi, arsim, kulturë, shëndetësi etj, Ato jepen të mpleksura me ndodhi të zakonshme të jetës së përditshme, që prezantojnë dhe përshkruajnë njerëzit e mrekullueshëm, të mirë e pozitivë, punëtorë të palodhur, krijues e guximtarë, krahas burokratëve, servilëve, spiunëve, hipokritëve, mashtruesve e deri personazheve butaforikë. Jetën, karakterin, bëmat, gjynahet dhe ligësinë e këtyre të fundit autori preferon t’i godasë me nota humori. Ja p.sh. një dialog brenda mureve të shtëpisë:
“– Ku ishe që erdhe kaq vonë?
– Isha në mbledhjen e organizatës bazë, – u përgjigj i mërzitur, duke hyrë në dhomë.
– U djegtë organizata bazë! – klithi ajo. – Foshnja po më përvëlon me temperaturë mbi dyzetë gradë e ti më thua organizata …
– Mos, … se na vure zjarrin! – pëshpëriti ai gjithë shqetësim, duke parë me inat nga gruaja që stërmundohej me fëmijën e sëmurë. Ç’ishte kjo rrufe përvëluese që lëshoi?!”
Në këtë krye gjendet, fjala vjen, edhe një Hasan (Cane), të cilin autori e etiketon drejtor të çuditshëm dhe e ka pikturuar me nota humori. Pranë tij nxjerr kokën “miku” i babait – Xhakoja, që nuk kërkonte ndonjë gjë të madhe, veçse ofertën e pozicionit të “një copë brigadieri” për djalin e vet, nxënës shkolle. Më tej një “Nyss”, fjalë që nëpunësi i postës e kishte shndërruar në “Nuse”, duke vënë në vështirësi familjen dhe gjithë fisin e një studenti, që lajmëronte mbarimin e shkollës dhe kthimin në shtëpi me nuse, (në fakt Nyss marka e mikrobuzit me të cilin do të udhëtonte). Vijon paradën e personazheve Nikoja, servili mashtrues, usta Rakoja, që mbante me vete çelësin e vendstrehimit, Linda që hapi robëdëshambrën, dhe aksidentalisht iu tregoi mysafirëve të vetmin vend të trupit të panxirë nga dielli. Grotesku duket se arrin kulmin kur, në një nga tregimet e kësaj pjese, autori ve në gojën e një miku humorist, thënien: “Që do vdes në mbledhje, për këtë nuk kam asnjë dyshim, por ishalla vdes në presidium”!
Pjesa e dytë titullohet “1997-Viti i mbrapshtë” dhe fillon me kohën e çmendur, me të cilën iu referohet traumave që kanë shkaktuar seriale të pafundme çmendurish që kanë përshkuar vendin në kohë të ndryshme. Flitet për “hasmin”, “kaosin dhe pasiguritë”, “miqtë e mirë” etj.
Në pjesën e tretë “Jashtë shtetit”, autori ndalet edhe te frytet e para të demokracisë, nga të cilat ai provoi ndër të tjera hapjen e vendit ndaj botës së jashtme. Kjo i dha mundësinë, të kapërcente murin e pakapërcyeshëm që ndante Shqipërinë nga bota tjetër. Ankthi që ndjeu kur kaloi kufirin shqiptaro-grek do t’i mbetej gjatë në kujtesë. Udhëtimet do të vazhdonin në Itali, Francë, Belgjikë, Zvicër, etj. Ato i dhanë rast të koleksiononte mbresa të pashlyera, të shihte live kuriozitete, të sodiste disa nga kryeveprat e artit dhe arkitekturës botërore, si Luvri, Harku i Triumfit, Kulla Eifel, Trokaderoja, piktorët në kodrën e Mont Martrit, bukinistët dhe libraritë e veçanta buzë Senës etj. Ai i shijonte ato ndryshe nga vizitorët e zakonshëm. Me formimin dhe intuitën e arkitektit, depërtonte në brendësinë e vlerave të tyre, për të përfituar maksimalisht edhe nga ana profesionale. Ibrahimi ka pasur rastin të udhëtonte në këto vende me shërbim si përfaqësues i sipërmarrjes “Triss-Ndërtim”, por edhe si vizitor te vajzat e tij që studionin në Europë. Dy prej tyre vazhdojnë ende të jetojnë e të punojnë atje, duke e tërhequr sërish në ekskursione jashtë vendit. Prandaj në libër, ka një numër faqesh, në të cilat janë përshkruar me art, ndjesitë e përftuara dhe emocionet që ka provuar.
Siç shkrova pak më sipër, për librin “Mozaik” kanë folur me admirim miq të autorit dhe lexues të shumtë. Ata pohojnë vlerat dhe arritjet e spikatura të tij. Do të shtoja me kënaqësi se ai nuk përbën një renditje mekanike dhe as përshkrime të thata ngjarjesh, bëmash a vlerash të njerëzve me të cilët ai është takuar, ka punuar e jetuar. Është një përpunim i hollë dhe paraqitje e bukur artistike e përjetimeve të gjurmëve dhe ndjesive që i ka lenë jeta.
Portreti i Ibrahim Emirit, intelektual, qytetar i emancipuar i Gjirokastrës, inxhinier- arkitekt nga më të spikaturit, prej disa vjetësh edhe shkrimtar modest, njeri dhe mik i mrekullueshëm, plotësohet edhe me faktin që ai është edhe një familjar dhe prind shembullor. Vajzat e tij, me punë e përkushtim, në sajë të dhuntive të trashëguara nga familja, kanë mbaruar studimet universitare me rezultate të shkëlqyera dhe jetojnë e punojnë në pozicione të respektuara.
Njëra prej tyre, Klodiana, është arkitekte dhe pedagoge e jashtme në disa universitete publike e private. Ajo së bashku me të shoqin Ervin Taçi, urbanist arkitekt, bashkëthemelues të “DEA Studio” dhe të studios së mirënjohur “MA Studio & Partners”, janë drejtues të saj dhe autorë të shumë projekteve për një varg veprash, në Shqipëri, në Kosovë dhe vende të tjera. Ka marrë pjesë në konkurse ndërkombëtare, ku është vlerësuar me çmime. Së fundi MA Studio & Partners fitoi në Kamerun projektin “Eboloëa Neë Dream Toën”. Pjesë e tij është edhe Instituti i Artit dhe Kulturës, që do të mbajë emrin “Dritëro Agolli”.
U zgjata disi për Klodianën dhe “MA Studio & Partners”, sepse autori i librit “Mozaik”, Ibrahim Emiri është edhe Drejtues Teknik i saj. Kualifikimi i lartë profesional, kultura dhe përvoja krijuese rezatojnë në dhe në botimin e ri të tij si dhe në veprimtarinë e Studios.
Libri është shoqëruar me vlerësime shumë pozitive. Suksesi është rezultat i ngjyrimeve të forta letraro-artistike, intelektuale e qytetare, artit, stilit dhe gjuhës së përpunuar, me të cilat autori i ka shkruar tregimet e tij. Ato tingëllojnë shumë bukur dhe lexohen me endje nga lexuesit, të cilët formulojnë urime dhe përgëzime të shumta.