Albspirit

Media/News/Publishing

Vlora Obertinca: Madhështia e faljes…

  
Kur për shokët më të mirë kemi qenë gjithmonë aty dhe i kemi ndihmuar në ditët më të vështira dhe në ndërkohë na e kanë kthyer shpinën, sigurisht që nuk e kemi të lehtë ta tejkalojmë një situatë të tillë dhe ndjehemi shumë të lënduar. Nuk mundemi ta kuptojmë se si ka mundësi njeriu të sillet në mënyrë të tillë dhe të jetë kaq mosmirënjohës. Le që nuk kërkojnë falje, por edhe nuk e shohin fare gabimin e vet. Madje, edhe pas shumë kohësh kur mundohemi prapë t’i afrojmë në njëfarë mënyre, duke i shkruar ca rreshta së paku për t’i pyetur se si janë, çuditërisht sërish na refuzojnë me mëri. Atëherë, duhet ta kuptojmë, se problemi nuk jemi ne, por problemet i kanë me të tjerët, nga të cilët kanë qenë të injoruar dhe trajtuar keq në miqêsi të ndërsjellta. Miqësitë duhet të kenë marrje dhe dhënie të barabarta, prandaj edhe quhen marrëdhënie. Kur ka vetëm marrje dhe jo dhënie atëherë, lerëni le të shkojnë sepse atyre u është lënduar ndërdija shumë thellë para se t’i takojmë ne dhe ju duhet kohë për t’u shëruar emocionalisht. Ne si shokët më të mirë i kemi takuar për t’iu ndihmuar në shërimin e ndërdijes së lënduar dhe asgjë nuk ndodh rastësisht, andaj as takimi ynë me ta. Mos u zemëroni me ta sepse edhe ashtu janë thellë të lënduar. Do të vijë një ditë kur do ta kuptojnë se kush ishin miqtë e vërtetë sepse jo secili mik të gjindet në ditët më të vështira. Kur ju trokasin në derë falni gabimet e tyre sepse, duke i falur ata, ne lirohemi nga energjia e tyre negative të cilën e kemi bartur për së rëndi pa vetëdijen tonë. Kur i falim, ne i hapim vetes një horizont të ri të jetës që do të na sjellë shumë bekime të bukura dhe të papritura. Kjo është madhështia e faljes…
Please follow and like us: