Albspirit

Media/News/Publishing

30 vjet më parë, Kongresi aprovon ndihmën e parë për Kosovën

Më shumë se ndihma humanitare prej 5 milionësh, rëndësia e Amendamentit Dole-Pell,në tetorin e vitit 1992, ishte trajtimi nga Kongresi Amerikan i Kosovës si u shpreh në atë kohë Prof. Sami Repishti, “si njësi më vete territoriale e politike, e jo si pjesë të Serbisë”

Nga Ruben Avxhiu

Një moment në historinë tonë që meriton më shumë vlerësim ka qenë aprovimi për herë të parë i një fondi për Kosovën në buxhetin amerikan të Ndihmës së Jashtme.

Përpara se të vinte ndërhyrja ushtarake e NATO-s, përpara se të vinte “Zyra Amerikane” në Prishtinë, përpara se të vinte angazhimi i fuqishëm i diplomacisë për një zgjidhje në Kosovë, ishte ky investim i parë i taksapaguesve amerikanë për paqen dhe demokracinë në Kosovë.

Përfshirja e Kosovës në buxhet ishte kalimi i parë nga deklaratat në veprime reale. Paketa, ndonëse relativisht modeste në krahasim me ndihmën totale të jashtme amerikane, ishte me fuqi të madhe simbolike.

Në planin ndërkombëtar shënonte ndërkombëtarëzimin e çështjes së Kosovës. Deri në atë kohë, Beogradi mund të mburrej se Kosova mbetej një çështje e brendshme e Jugosllavisë, në mos e Serbisë. Pavarësia e saj nuk ishte njohur si ajo e republikave të tjera. Deklaratat e disa ligjëvënësve amerikanë ishin luftuar me përgjigjet e Jugosllavisë. Mirëpo, kjo ndihmë e drejtpërdrejtë, nga Kongresi Amerikan, që anashkalonte Beogradin, Jugosllavinë, e Serbinë, dhe i shkonte në duar shqiptarëve të Kosovës, ishte dëshmi e padiskutueshme e Kosovës si entitet më vete, që mund të vetadministronte një ndihmë, ashtu si mund të vetëqeverisej një ditë, në të ardhmen.

Në planin politik, ishte sfida e Kongresit ndaj ngurrimit të Shtëpisë së Bardhë për të trajtuar Kosovën jashtë autoritetit të Beogradit. Pasi kishte njohur me vonesë republikat e pavarura ish-jugosllave, Administrata e Bushit të Vjetër kishte lënë qëllimisht jashtë Kosovën, me argumentin që t’i jepte një “kockë” Serbisë si dhe që të mos nxiste një vatër të re zjarri në Kosovë, në një kohë kur lufta kishte plasur në Bosnje. Në Kongres, kjo politikë ishte kritikuar ashpër nga miqtë e shqiptarëve, të cilët tani e njihnin mirë gjendjen në Kosovë dhe e shihnin kujdesin e tepruar të Administratës Bush si një inkurajim për Millosheviqin në Beograd.

Senatorët republikanë Bob Dole dhe Claiborne Pell paraqitën një amendament të përbashkët që kërkonte 20 milionë dollarë për Bosnjen dhe 5 milionë për Kosovën. Dole argumentoi se shqiptarët në Kosovë po vuanin nga uria dhe i ftohti, ndërsa një dimër shumë i ashpër po afrohej.

Kjo paketë ndihme ishte e mbarsur me simbolika të forta politike e historike, përveç vlerës praktike: populli i Kosovës në atë kohë, ndodhej vërtet në kufijtë e mbijetesës, shteti serb ia refuzonte shërbimet bazë të shëndetësisë, arsimit, dhe ndihmës sociale – ndërsa shqiptarët ia sfidonin realitetin pushtuesit me sistemin e tyre paralel të jashtëzakonshëm.

Senatori Pell nuk e fshehu simbolin politik të kësaj ndihme.

“Duke synuar ndihmën për Kosovën ia nisim një mesazh të fortë qeverisë serbe se spastrimi etnik është i papranueshëm në Kosovë, ashtu si edhe në Bosnje-Hercegovinë”.

Kjo nuk ishte thjesht një ndihmë për mëshirë. Ishte një investim i popullit amerikan për kauzën e Kosovës.

Shtëpia e Bardhë mund të kishte në dorë diplomacinë por buxheti ishte në duart e Kongresit. Ndërsa Administrata Bush ngurronte të angazhohej në Kosovë, Kongresi hodhi spirancën e angazhimit amerikan nëpërmjet ndihmës së drejtpërdrejtë.

Dole dhe Pell u mbështetën nga kolegë të tyre të të dy partive, me të cilët shqiptarët kishin punuar ngushtë në atë vite. Mes këtyre ishin Joseph Lieberman, Alphonse D’Amato, Larry Pressler, Dennis De Concini, Don Nickles etj .

Në Dhomën e Përfaqësuesve, në mbështetje të ndihmës për Kosovën vepronin miqtë e rinj të shqiptarëve, kongresistët Tom Lantos, Eliot Engel, Susan Molinari etj.

Në mbrëmjen e 1 tetorit, Amendamenti Dole-Pell u aprovua për gëzimin e madh të shqiptaro-amerikanëve, që i ndiqnin këto zhvillime me shumë merak. Në 5 tetor, të dy dhomat e Kongresit ranë dakord për formën përfundimtare të Ndihmës së Jashtme që iu dërgua Presidentit Bush për nënshkrim.

Zhvillimet ndiqeshin me pasion nga shqiptaro-amerikanët, në faqet e gazetës “Illyria”. Gazetarët Sylejman Gashi dhe Deborah Angus raportonin për ngjarjet në Washington. Prof Sami Repishti me shkrimet e tij i vendoste këto zhvillime në perspektivë, duke vlerësuar faktin që Kongresi po e trajtonte Kosovën “si njësi territoriale dhe politike të veçantë dhe jo si pjesë të Serbisë”.

Në shkrimin e tij me këtë rast, Prof Sami Repishti ia jep meritën e kësaj arritjeje të madhe Komitetit shqiptaro-amerikan për Veprim Politik (PAC) “dhe veçanërisht punës intensive nga z.Jim Xhema (kryetar), të z. Harry Bakrajtari (sekretar), të cilët kanë kaluar ditë të gjata pune në Washington, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me legjislatorët amerikanë dhe ndihmësit e tyre”.

PAC ishte shkurtim për komitete që financonin fushata zgjedhore të krijuara për t’iu përshtatur legjislacionit të ri të financimit zgjedhor në SHBA. Shqiptaro-amerikanët i ishin përshtatur kësaj forme të re në mënyrë të menjëhershme.

Kjo ishte edhe periudhë debatesh në komunitetin shqiptar për mënyrën se si dhe kush duhet të përfaqësonte lobimin shqiptar në Washington.

Në këtë periudhë AAPAC kishte dalë si forcë kryesore dhe në shkrimin e tij Prof Repishti falenderonte vëllezërit e motrat në mbarë Shtetet e Bashkuara që kishin kontribuar financiarisht për Komitetin. Në veçanti, ai falenderonte Lidhjen Demokratike të Kosovës – për Trishtetëshin dhe kryetarin e saj në atë kohë, Rrustem Ibraj.

Please follow and like us: