Albspirit

Media/News/Publishing

Leonard Olli: Mbi akset rrugore në Shqipëri

Njoftimi se do ketë tenderim për aksin Elbasan-Qafë Thanë, pamje të parë ngjan si lajm i mirë! Më në fund, pas 30 vitesh, është vendosur se rruga ka nevojë për zgjerim. Por a është kjo një zgjidhje për aksin e vetëm që lidh dy portet më të rëndësishme të vendit, atë të Durrësit dhe Vlorës me aksin kryesor që të çon në Juglindje të vendit, por edhe drejt Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, saktësisht në Selanik, në qytetin dhe portin e dytë më të madh të Greqisë?! Edhe pse nuk kemi një panoramë të plotë të projektit, mjafton fakti që flasim për zgjerim dhe jo autostradë të parametrave ndërkombëtarë në këtë segment që është pjesa kryesore e Korridorit të 8-të, duket me një qasje provizore e aspak strategjike. Nëse nuk kemi një by pass modern që të lidhë autostradën që vjen nga Tirana me këtë aks nuk bëjmë asgjë. Nëse nuk ndërtojmë një aks modern nga Durrësi në Elbasan apo një zgjerim në parametra Europianë të aksit Rrogozhinë-Elbasan sërish nuk bëjmë asgjë. Në këto rrethana, nëse nuk përfundojmë edhe segmentin Qukës-Qafë Plloçë, që ka ngelur prej 10 vitesh në vendnumëro, sërish nuk bëjmë asgjë. Dhe nëse nuk shndërrojmë aksin Qafë Plloçë-Korçë në një segment modern larg qendrave të banuara sërish nuk bëjmë asgjë, pasi sërish do të kemi akse nacionale dhe ndërkombëtare jashtë nevojave të kohës dhe parametrave minimalë të BE-së. Infrastruktura rrugore nuk zgjidhet me arnime, por me projekte serioze që i japin zgjidhje afatgjata, me distancën më të shkurtër të mundshme dhe shpejtësinë më të lartë të mundshme të lëvizjes. E sidomos kur flitet për Korridorin e 8-të, projekti duhet të ishte në parametra maksimalë! Të presim e të shohim!

Please follow and like us: