Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep POLISI: BOTA FEMËRORE NË TREGIMET E NJË GRUAJE

 

Shënime për librin “Një dobësi fatale” i autores Vita Blloshmi Kozeli

 

 

 

Kisha lexuar tre apo katër tregime të autores Vita Blloshmi Kozeli në rrjetet sociale dhe më kishin lënë një ndjesi të mirë. Ishin tregime të freskëta, të ndjera, të sinqerta që përcjellin mesazhe tek lexuesi. Këto ditë më ra në dorë libri i saj “Një dobësi fatale”, libri i tretë i saj, pasi mësova se Vita kishte botuar edhe dy libra të tjerë me tregime; “Vajzat rriten” dhe “Një zë në park”.

Tregimet e Vita Blloshmit të rrëmbjejnë sapo nis të lexosh, në to gumëzhin jeta me të gjitha dimensionet e saj. Jeta e përditshme, kontakti me njerëzit, zhbirimi i botës femërore, thjeshtësia e të shkruajturit, si dhe gjuha e pasur janë disa nga tiparet që vura re në tregimet e librit “Një dobësi fatale”.

Puna si mësuese ka bërë që autorja të njihet me realitetin e sotëm dhe të qëmtojë portrete të ndryshme nga jeta e përditshme duke i jetësuar ato në rrëfimet e saj. Ajo shkruan me gjuhe të rrjedhshme dhe të pasur, tregon bukur, futet në botën e personazheve dhe i trajton ato me ndjeshmëri. Në tregimet e saj ka histori tërheqëse me thjeshtësi, zhdërvjelltësi, fantazi edhe ndjeshmëri.

Autorja i jep krahë gjuhës origjinale të gjithë struktures stilistike të librit, i cili është i projektuar gjithë përndritje poetike në domethënien e metaforës. Çdo tregim na shfaqet në formën e një simfonie të bukur që nuk dëshirojmë të mbarojë përnjëherë.

Autorja nuk e shpërdoron lirinë e të shkruajturit. Tregimet e saj të befasojnë nga subjektet e ndryshme dhe këndvështrimi romantik dhe realist njëkohësisht. Ajo përshkruan mjaft bukur, aq sa lexuesit i duket se ndodhet në atë ambient dhe përjeton çdo çast njëlloj si personazhet e tregimeve.

Nga njëri tregim në tjetrin gjejmë ngrohtësinë e diellit, dallgët e detit, lumin, muzgjet, yjet, hënën… “Vajza me emër luleje”, “Dritë hëne”, “Pulovra”, “Shalli me ngjyrë mjalti”, “Drejt një porti të ri” apo “Vala me tantella”, janë disa nga tregimet e librit, që pasi i lexon ke dëshirë që t’u rikthehesh e t’i lexosh përsëri.

Një vend të rëndësishmë në tregimet e Vita Blloshmit Kozelit ze dashuria, pasi siç thotë vetë ajo, “dashuria është zanafillë e gjithçkaje”, por edhe tragjizmi, si tek tregimi “Një dobësi fatale”, që mban edhe titullin e librit.

Misioni i shkrimtarit është t’i paraprijë shoqërisë, ta emancipojë, të futet në botën e njerëzve dhe ta ngrejë në art atë. Kjo vërehet edhe në tregimet e librit “Një dobësi fatale” të Vita Blloshmit Kozelit. Ajo futet në botën femërore dhe skalit me mjeshtëri përjetimet, ndjenjat dhe operon me të gjitha mjetet dhe figurat artistike. Tregimet e saj përcjellin tek lexuesit ndjenjë dhe emocion.

Vita jeton dhe punon prej disa vitesh në Itali ndaj një vend të veçantë në tregimet e saj ze edhe emigrimi i shqiptarëve. Në tregimin “Letër nga gjyshi” përshkruhet mjaft bukur jeta e shqiptarëve në emigrim, përballja e tyre më vështirësitë, tradita shqiptare me të gjitha zakonet, doket dhe kulturën tonë. Por më së shumti përkushtimi ndaj fëmijëve, për t’i rritur dhe edukuar ata me traditat shqiptare, për t’u mësuar gjuhën dhe pë të mëkuar dashurinë për Atdheun.

Në qendër të tregimit është Arbri, një fëmijë i vogël që ka dëshirë të njohë gjyshërit dhe të afërmit e tij. Por kush shkon në Atdhe tek prindërit e babait të tij ai përballet me një të papritur, të cilën ia ve në dukje gjyshi i tij, kur i tha se, do të të dërgoj letra ku do të tregoj si rritet mëzi me emrin “Dori” që ia vuri vetë Arbri.

Arbri uli kokën i mërzitur dhe i tha gjyshit; “unë nuk di të lexoj shqip”. Ky dialog mes gjyshit dhe Arbit vuri në vështirësi prindërit e fëmijës, të cilët premtuan se do t’i mësonin Arbërit shkrim e këndim shqip. Dhe sapo u kthye në Itali, mamaja e Arbrit i kushtoi një rëndësi të veçantë, jo vetëm Arbërit për të mësuar të shkruajë e lexojë shqip, por u angazhua edhe për hapjen e një qëndre kulturore për gjuhën dhe kulturën shqipe, ku përveç mësimit të gjuhës do të bëheshin edhe kurse të ndryshme për këngë e valle popullore shqiptare.

Rëndom kemi dëgjuar për përfshirjen e shqiptarëve në kronikat e zeza, por këto nuk mund ta errësojnë realitetin e shqiptarëve në emigracion. Në tregimin “Indiferencë vrasëse” gjejmë realitetin tragjik të një grua shqiptare që ishte përfshirë pa vetëdije të punonte si prostitutë. Pas vdekjes së burrit, dy shokë të tij e mashtrojnë se do t’i gjejnë punë, dhe njeri prej tyre e përdhunon dhe e nxjerr në trotuare për të ushtruar prostitucionin nën kërcënimin e armës. Por ajo arrin të shkëputet nga ky rrjet i tmerrshëm dhe bëhet heroinë në nxjerrjen e vajzave të tjera që kishin rënë në këtë rrejt. Njëra nga këto është edhe personazhi kryesor i tregimit, Lili, e cila dëshpërohet kur dëgjon lajmet në televizion për fundin e saj tragjik.

Emigrimi për shqiptarët nuk është vetëm rruga e mundimshme për një jetë më të mirë, por edhe realizimi i ëndrrave të tyre. Mikela, një vazjë fshati guxon të marrë rrugën me gomone për të shkruar në “tokën e premtuar”. Autorja e përshkruan mjaft bukur realizimin e ëndrrës së Mikelës, e cila pas shumë peripecish mbërrin në Itali, gjen një punë dhe falë vullnetit të saj njëkohësisht vazhdon shkollën për mjekësi. Autorja na kujton se, Mikela është njëra nga mijëra shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në shumë vende të botës dhe kanë bërë emër…

 

Please follow and like us: