Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Mbi seminarin kushtuar 300-vjetorit të Pjetër Bogdanit

Në 7 tetor 1989, në New York u mbajt një seminar kushtuar 300-vjetorit të Pjetër Bogdanit.
Një ligjërues i ftuar posaçërisht nga Kosova, bëri jashtëzakonisht përshtypje.
Quhej Dr. Ibrahim Rugova.
Në kohën, kur Tonin Mirakaj me shokë vendosën ta ftojnë për në këtë Seminar, ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në Jugosllavi. U ftua si albanolog, studjues e njeri i letrave.
Ndonëse ky prezantim i parë me komunitetin në SHBA nuk ishte i natyrës politike, ai hodhi rrënjët e një bashkëpunimi politik që vazhdoi deri në fund të jetës së Presidentit historik të Kosovës.
Kur u kthye herën tjetër në SHBA, Dr. Rugova ishte bërë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe po vinte me mision politik, sigurimin e mbështetjes amerikane për kauzën e Kosovës.
Për ta mbështetur nuk u rreshtuan vetëm patriotët nga Kosova, po mbarë komuniteti, e sidomos komuniteti katolik i shqiptarëve, në New York, po edhe në Michigan e më tej.
Nuk kishte dyshim se Dr. Rugova kishte fituar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve që e ndoqën gjatë asaj vizite e seminari në 1989. Ngjarja i shërbeu kauzës së Kosovës, në mënyra që as që mund të imagjinoheshin në atë kohë.
Seminari përkonte me daljen, si asnjëherë tjetër, në skenë të komunitetit katolik të Nju Jorkut që po e kthente suksesin ekonomik e shoqëror të dekadave në mërgim, në një forcë të madhe kombëtare.
Vetëm pak ditë, përpara Seminarit, udhëheqësit e komunitetit katolik kishin blerë truallin ku do të ngrihej Kisha e Zojës së Shkodrës, në Hartsdale, që është sot një nga tempujt kombëtarë të shqiptarëve të Amerikës.
Nganjëherë, e sjell fati që forcat e një kombi konvergojnë në kohën dhe vendin e duhur. Gjatë atyre ditëve të tetorit 1989, u hodhën themelet e një disa miqësive nga ato që shkojnë deri në fund të jetës e të një bashkëpunimi historik që vazhdon jep fryte edhe sot e kësaj dite.
Roli i katolikëve shqiptarë meriton një vëmendje që shkon përtej numrave të tyre kur flitet për pavarësimin e Kosovës. Ishte dëshmia e tyre e madhe historike që rrëzoi narrativën serbe se konflikti për Kosovën ishte një përplasje e “civilizimeve fetare”, mes të krishterëve serbë si mburojë e Europës dhe Perëndimit dhe e myslimanëve shqiptarë si agresioni që vjen nga Islami, Lindja apo Azia. Mbijetesa e madhe katolike e Kosovës është dëshmi e një krishterimi paraserb, madje edhe paraeuropian. Perëndimi e Europa ishin shekuj larg njohjes e përqafimit të Jezu Krishtit kur Shën Pauli shkroi letrat e tij për Romakët nga trojet e Ilirisë. U desh madje një perandor ilir që të zyrtarizonte krishtërimin si fe të Perandorisë Romake e të fillonte epokën e madhe të fesë së krishterë në këtë kontinent. Serbët me manastiret e tyre e kishat që ua vodhën me dhunë katolikëve shqiptarë e ua ndërruan identitetin sjellin në debatin e sotëm data që janë të paktën 1,000 vjet më të vonuara se ato të shqiptarëve. Një mijëvjeçar nuk mund të fshihet kaq lehtë nga historia e njerëzimit e nëse serbët duan të kthehen e të flasin për Mesjetën, po ashtu edhe shqiptarët kanë të drejtë e të flasin për rrënjët e tyre ilire e për tradita që nuk mund të injorohen më.
Seminari për 300-vjetorin e Pjetër Bogdanit mund të kishte qenë i natyrës akademike e kulturore por ai ndihmoi në gjenerimin e një përkrahjeje të madhe politike. Në një farë mënyre, ai zgjoi në momentin e duhur historik shpirtin rebel të Bogdanit që u mishërua në hovin e ri shqiptar për të jetuar në liri e mëvetësi. Bogdani jetoi në një epokë kur ndërgjegjia kombëtare nuk ishte zgjuar. Mesazhi dhe thelbi i lëvizjes së tij ishte thjesht fetare e katolike, po në zemrën e vet kishte diçka universale që rezonon në çdo kohë: dëshira për liri, lidhja e natyrshme shoqërisë shqiptare me Perëndimin, mbijetesa dhe qendresa e traditave shekullore. Këto nuk vdesin kurrë.
Shkrimi kushtuar njër përvjetori të kësaj ngjarjeje, mund të lexohet këtu:
Please follow and like us: