Albspirit

Media/News/Publishing

Ndoc BUSHGJOKA: Kadare dhe turma e bubrrimtarëve haxhiqamilistë!

Mbledhur t’currëm e t’murrëm të tanë

Me çjerrje klithmatare përtej çdo caku,

Mallkim e pështymë hedhin n’çdo anë,

Që nga Janulla gjer te Hysni rrjepacaku.

Veprat e njerëzve të mëdhenj janë pasuri e popullit dhe si ato monumentet e vjetërsisë s’ndryshken kurrë, ashtu siç thoshte Horaci: “kam ngritur një monument më të qëndrueshem se bronzi”.

Jo rrallë në llogoren e luftës janë gjendur përkrah tetarë e gjeneralë. Por, kush e ka mendjen të shikojë në baltën e istikamit spaletat e përlyera kur ato s’dallohen nga trimeria e nderi.

Edhe një herë taborri i shprishur anti-Kadare u mblodh me uf e me of, për të festuar me tam-tam e allaram, mosdhënien e “Nobelit” për shkrimtarin tonë. Të frymëzuar nga Janulla pallavra e Qose gërdalla, turma laramane, pasi u shkokluan prej gazmendit në gjirizin e tyre, u lëshua thikadel nëpër rrjetet me hu-hu e munxët si në Qerrbela.

Lufta ndaj shkrimtarit s’është as e re as e panjohur.

Në kohën e monizmit e urrenin për vdekje, sigurimsat, policët, oficerët e ushtrisë, shefat e kuadrove, sportelistët e hoteleve, letrarët mediokër, anëtarë e partisë, zyrtarët e komiteteve të partisë dhe më lart kupola tërësisht.

Të tërë kishin një argument:

“Eshtë borgjez”!

“Vepra e tij nuk i shërben revolucionit dhe diktaturës së proletariatit”.

“Romanet e tij kanë mungesa të pafalshme ideollogjike”.

“Eshtë Shollohovi shqiptar”. “Manar i perëndimit”, etj idiotësi si këto.

Pas viteve nëntëdhjetë e gjithë kjo turmë ekstremiste u metamorfozua në turmën haxhiqamiliste.

“Kadare, armik i islamizmit”.

“Kadare, shkrimtar i oborrit”.

“Kadareja iku nga Shqipëria dhe nuk ka të drejtë të flasë”!

“Pse nuk ndejti në Shqipëri”?

“Pse stigmatizon Haxhi Qamilin dhe nuk sheh traun në syrin e Esat Pashës?” – pyeste i xeherosur “akademiku” Rexhep Efendi Qosja, autor i teorisë së “identitetit islamik të shqiptarëve”.

“Kadareja duhet të arrestohet e të dënohet” – klithte antishqiptari i vetshpallur turk, Kasem Trebeshina, pasi kishte botuar në regjimin e Millosheviçit, një me nder “roman” me titull “Mekami” ku tallej e perqeshte Princin e Arbërit – Kastriotin dhe Motin e Madh të shqiptarëve.

E così via…!

A ka gabuar Kadareja?

E kush s’ka gabuar në këtë jetë. Krishti vetë, pat thënë, se as unë s’kam të drejtë të hedh gurin.

Asnjë krijues nuk mund të jetë çdo ditë artist. Krijimet e mirëfillta, të pavdekshme, që dalin nga dora e gjenive, seliten vetëm në disa minuta të pakta dhe të rralla frymëzimi.

Historia nuk krijon pareshtur. Në atë “punishte misterioze të të Madhit Zot”, – siç e ka quajtur historinë Gëtja, – ka jo pak ngjarje të papërfillshme, ndodhi jete të përditshme. Edhe në histori, njëlloj si në art dhe jetë, çastet e madhërishme, të pavdekshme janë të rrallë.

Çdo hap që hedh historia kërkon parapërgatitje, çdo ngjarje me peshë piqet në fshehtësi.

Në gjirin e miliona njerëzve, që përbëjnë atë që ne quajmë popull, ngjizet gjeniu, mbruhet si i vetëm dhe i papërsëritshëm, përgatitet nga miliona e miliona orë, që rrjedhin në boshllëk, në gjithë këtë mizëri orësh është vetëm njëra ajo që mbetet vërtet historike, mbetet ORE YLL E NJEREZIMIT”.

STEFAN CVAJG

Mbi tokën e Zotit jetojnë të gjithë. Të lartët mendimtarë, krijues, skalitës të historisë dhe njerëzit e thjeshtë, ata që bubrrojnë me hallet shumë e dertet lumë.

Të parët tregojnë dritën, të dytët, dritën nuk e shohin si rreze hyjnore, por thjesht si rutinë ditore.

Shpesh bubrrimtarët, të lodhur nga përditshmëria, hedhin sytë e shohin hyjnorët.

Shumë prej tyre, frymëzohen nga promethejanët. Ata janë mirënjohës për dritën e pishtarit të tij. Por ka dhe nga ata që të veremosur, mallkojnë Prometheun dhe i kërkojnë Zeusit ta denojë edhe më rëndë vjedhësin e zjarrit.

Llogjikë e “bukur” kjo e tyre.

Sepse Prometheu ka shkelur ligjin e Olimpit. Kush shkel ligjet e tiranëve duhet të mbërthehet në shkëmb. Pastaj, a nuk qe ai oborrtar i Zeusit? A nuk e pat dekoruar Zeusi disa herë. Mirë t’i bëhet. Mosmirënjohësi!

Nemo propheta in patria!

Kështu thuhet se ka thënë Krishti, (Ungjilli sipas Mateut), që ishte i përndjekur në vendlindjen e tij.

“Një profet përbuzet vetëm në vendin e tij, midis të afërmve të tij dhe në shtëpinë e tij”, – ka thënë Jezu Krishti (Ungjilli sipas Markut).

A keni dëgjuar se parizienët janë bërë bashkë, demiroll e beqiroll e gur i thatë, për të gremisur Stendalin e Balzakun. Kur dihet se i pari ishte një “rrenacak” që nuk kishte të dytë në botë dhe i dyti një naiv -skandaloz në çështjet e biznesit.

Por, nota bene, mos harroni:

Askush nuk i ka dhënë aq të vërteta botës sa Stendali dhe askush nuk e ka zbërthyer e analizuar në detaje shoqërinë njerëzore, si Balzaku.

Dhe ne përpëlitemi si i marri në qeli, e nuk kuptojmë se fajin nuk e kanë shkrimtarët tanë, por tiranët dhe gjytyrymtarët që bubrrojnë ne oborret e shkelsave të pashpirt.

Harruat luftën e madhe dhe baltën, që regjimi antinjerëzor i Hoxhës, hodhën mbi veprën dhe figurën e të perendishmit tonë At’ Gjergj Fishta!

Apo për apollonin e kulturës sonë Fan Nolit.

Edhe Mehmet Shehu, duke kopjuar shefin e madh, në të ashtuquajturen “Vepër” të tij, përqeshte Nolin se ” i biente fyellit në kafenetë e Tiranës”.

Ndërsa Hoxha i matufepsur, pa ju dridhur qerpiku, hidhte pështymen kundër Demiurgut të madh, se Noli “u borgjezua më tepër”, “mori lloj – lloj ngjyrash”, “u pajtua me Zogun”, “nuk e kuptoi luftën tonë nacional – çlirimtare”, etj.

(Shih Enver Hoxha “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, faqe 204.)

Mosmirënjohësi cipëplasur!

Mosmirënjohës e cipëplasur janë të gjithë ata që veprat e gjenive, jo vetëm që nuk i lexojnë dhe s’ka se si t’i kuptojnë, por i dënojnë pa i njohur fare.

Nisur thjesht nga shpirti i tyre mediokër.

Dhe të mos harrojmë se Jezu Krishti fitoi botën, paçka se në vendin e tij e kryqëzuan.

Për të ndriturit nuk ka vend sentenca “Nemo propheta in patria”!

Ç’patën që u tërbuan me Kadarenë!

Please follow and like us: