Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Dekorimi ‘NDER I KOMBIT’ i Kryengritjes së Zhapokikës

Dekorimi ‘NDER I KOMBIT’ i Kryengritjes së Zhapokikës.
Dekorimi ‘Nder i Kombit’ i Kryengritjes së Zhapokikës nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, u bë me vonesë, më 9 tetor 2014.
Kryengritja e Zhapokikës është ngjarje me rëndësi për kujtesën kombëtare.
Më parë, po t’i flisje ndokujt për këtë kryengritje, të përgjigjej: Kryengritje antikomuniste në Tepelenën e “Kuqe”? Nuk ta besoj. Kurrë. Nuk ka ndodhur.
Pra, ishte (është) më lehtë të mendosh që në Tepelenë ka ende të panjohur dhe të pavlerësuar ndonjë kryengritje të kohës së Tanzimatit, sesa ajo që më 1948 në kohën e komunizmit, aty ka plasur dhe është mbytur me gjak një kryengritje antikomuniste.
Por ajo u mbajt e heshtur, nuk u vlerësua si shumë ngjarje analoge tani në demokraci. Si duket, askujt nuk i duhej Kryengritja e Zhapokikës. Për opinionin, për politikën gjithçka ka qenë e ditur, por është lënë me qëllim në harresë. Nuk e përfillte kush Zhapokikën. Është lënë mbi 20 vjet në harresë. Është lënë nën pluhur jo se nuk do të mirëpritej nga shumë tepelenas aty rreth e rrotull. Ajo edhe sot nuk mirëpritet nga ata që ende mendojnë që Tepelenën duhet ta ngjyrosin me të kuqe në të sotmen dhe në të djeshmen e saj. Shmangia e Kryengritjes së Zhapokikës nga vemendja publike ka qenë politike. Nuk u ka interesuar politikisht të djathtëve as të majtëve. Me vlerësimin e saj nuk do kishte ndonjë përfitim politik, elektoral, etj… asnjëra nga palët politike. Në Shkodër me Kryengritjen e Postribës merrje vota, në Tepelenë me Zhapokikën nuk merren vota. Ky mendoj, ka qenë shkaku i vërtetë, apo mbase njëri nga shkaqet e kësaj vonese në vlerësimin e Zhapokikës.
Ndonësë me vonesë, festa e dekorimit më 8 tetor 2014 doli aq e ngrohtë dhe e bukur. Kishte përmallime, lot nga familjarët e pasuesit e ngjarjeve tragjike të vitit 1948. Gjithçka në këtë festë shkoi aq në rrjedhë të harresë, solemnitetit, të dinjitetit cermonial e njëherësh njerëzor në ndjeshmëri, sa që la pa mend dhe organizuesit e saj nga administrata lokale dhe ajo e qendrës, e stafit të Presidentit të Republikës.
Presidenti në fjalën e tij dha mesazhe të unitetit shpirtëror, të respektimit të gjithkujt edhe përmes ndryshimit në ide, në politikë, në vlerësime. Pavarësisht orientimit politik duhet të respektojmë ato ngjarje dhe ata njerëz që mbrojnë lirinë, dinjitetin e vetes në përputhje me vlerat universale të humanitetit e të drejtësisë.
Nuk kishte asnjë lloj patetizmi infektues në gjithë ato sa u thanë, nga gjitha ata që folën. E gjithë atmosfera ishte larg bujës dhe pompozitetit të shtrirë. Asnjë lloj histerizmi dhe agresiviteti nuk u përcoll në këngët, në gjestet, në duartrokitjet. Njerëzit u ndanë nga një festë e tillë me paqëtim në zemër, me shlyerjen e një pengu, me përfaljen e një nderimi që kishte zgjatur shumë për t’u përmbushur.
Pas festës Presidenti u nderua me dekoratën më të lartë që japin komunat “Nder i komunës, Luftinjë”. Më pas nga komuna u dha një drekë në Qesarat. U ngritën dolli dhe u kënduan këngë sipas mikpritjes tradicionale. Presidenti Nishani rrezatoi një vetëpërmbajtje dinjitoze dhe dashamirëse. Ato që tha ishin të peshuara, u thanë përmes një arsyetimi të ftohtë dhe me një ton mbresëlënës.
Kishte një pjesëmarrje të lavdërueshme…
Dhe një mysafir i veçantë. Ai vinte për herë të parë në Shqipëri. Nga SHBA-ja kishte ardhur i biri i Xhemal Brahimit dhe… një 83-vjeçar, Arif Xhemali nga Sasaj, shok i armëve i Xhemal Brahimit, organizatorit të Kryengritjes më 1984.
Më lanë mbresë që pasardhës të Bajram Kamber Ahmatajt, komandantit të Kryengritësve, me lotë në sy vajtën e morën fotografinë e tij që ishte nxjerrë nga arkivat e policisë dhe ishte afishuar e zmadhuar.
Me këto më lart, ndër të tjera, desha t’u jap një përgjigje disa miqve dhe disa te padashurve që nuk kanë munguar të hedhin fjalë të pamerituara, edhe sharje, për atë që ndodhi me 8 tetor 1948 në Zhapokikë.

 

Please follow and like us: