Sazan Goliku: Zeroja magjike
Zero, zero, zero, zero…
U këput litari i zeros
u përdrodh e u shpërdrodh
u bë njësh e u bë nëntë
u këput e u bë shtatë
dhe u mblodh e doli tetë
mes për mes krisi, u ça
nëpër vorbullat e kohës
nëpër honet e hapësirës
dhe u gdhend tridhjetë e treshi
dhe tragjik dhe qesharak –
numri i fatit të pafat.
Rrotullohet rrotullohet
si një shtjellë e pa fund…
…u përdrodh u bë spirale…
Plaku Hegel manshetëngrirë
Mendjepishë i gjelbëruar
mendjedet i gjerë i thellë,
po ta vërente që nga sipër
një spirale të pafund,
do ta shihte se ish – zero
(rreth i mbyllur i pa jetë)
ky litar pa anë e skaj.
Vrimë e zezë përthith gjithësinë –
vorbull makthi e pafund –
është dhe s’është zero magjike,
përtej saj do gjendet Zoti?…
Në kërkim të një hyjnie
s’u rrëzova në humnerë,
çava kurthe labirintesh –
fluturova në liri…