Agim Xh. Dëshnica: Babai dhe tre vëllezërit
Një nga përrallat me qeros, e dëgjuar nga Berti, në një fshat në bregun e majtë të lumit Seman, fillonte, paksa me trishtim, veçse si përherë, mbaronte me gëzim kështu:
“Na qe mos na qe, një burrë i moshuar nga Paftali i Shpiragut me gruan e tij nga Velabishti. Ata na kishin tre djem të martuar. Nuset të trija ishin nga Çorrogunji i Skraparit.
Çdo të hënë ai burrë mali shkonte në pyll, hipur mbi kalë. Pasi e ngarkonte me dru shkoze, kthehej në këmbë në shtëpi. Një ditë nuk u ndje mirë. Zuri shtratin, u bëri zë djemëve dhe u tha:
-O bijtë e mi të dashur, po ju lë ketë amanet: pas meje mos u ndani. Edhe nëse ndaheni, më i madhi të marri kalin, i dyti, samarin, i treti, frerin.
Erdhi një kohë, kur plaku mbylli sytë dhe djemtë u ndanë. I madhi mori kalin e u nis për në pazarin e Roskovecit. Rrugës hasi me një tregtar.
-Nga vete, or djalë? – e pyeti tregtari.
– Ja, deri në Roskovec, dua të blej një samar për kalin.
– Po ta gjej unë samarin, ty, në qoftë se di përralla më shumë se unë, ama përndryshe ta marrë kalin. Hajt, fillo ti i pari!
-Jo, të takon ty, se je më i madh.
Dhe tregtari tha:
-Unë bëra drekën, thirra burra e gra, djem e vajza nga qyteti e fshatrat, as qenë as mace, nuk lash pa thirrur. Poqa gjysmën pulës që s’bënte vezë. U ngopën. sa s’plasën të gjithë. Gjysmën tjetër e mbajta pë drekë e darka të tjera . Tashti, trego ti!
-Jo, unë nuk di përralla të tilla.
Tregtari ia mori kalin.
Djali i madh u kthye në shtëpi kokulur. E pyetën vëllezërit:
-A e shite shtrenjtë?
-Shtrejtë, o po, shtrejtë! Dhe u tregoi ç’i kishte ndodhur.
– U nis, vëllai i dytë. Mori samarin në krah e iku. U takua, po me atë tregtar.
– Or çun, nga po vete?
-Kam dalë për të blerë një kalë.
– Po dite përralla më shumë se unë, ta gjejë unë kalin. Po nuk dite sa unë, ta marrë edhe samarin..
– Rrëfe ti i pari! -i tha vëllai i dytë- nga ato përrallat e tua.
– Shtrova darkën, thirra burra e gra, djem e vajza nga qyteti e fshatrat, qenë e mace e maçokë.
Poqa një gjysëm pulë, gjysma tepëroi. U zjeva dhe një vezë, u ngopën së ngrëni sa s’plasën nga i pari tek i fundit. Hajt, trego dhe ti.
– Unë s’di anjë përrallë si kjo..
U kthye edhe vëllai i dytë në shtëpi, i ngrysur. E pyetën vëllezëritt:
– E, ore, e shite shtrenjtë?
– Shtrejtë, shtrejtë, e shita. -iu përgjigj ai dy vëllezërve dhe u tregoi ç’i kishte ndodhur.
Herët në mëngjes, më i vogli, Qerosi hodhi frerin mbi sup, u nis e për dy sahat mbërriti në Pazarin e Roskovecit
Atje kaloi tregtari i hipur në kalë.
-Pazar i mbarë!- i thirri tregtari më të voglit, sa e pa.
– Edhe ti mbarë paç-i tha Qerosi.
Sytë e tregtarit u rrudhën, tek iu mbërthyhen qerosit.
-Or, çun çfarë dashke të shesësh këtu sot ti?- e pyeti.
– Ja, këtë frerin se dua të blej një kalë me samar.
– Ta gjej unë menjëherë, kalin dhe samarin, po deshe, nëse di përralla më shumë se unë. Po dite më shumë, ta japë kalin me samar, frenin dhe tri hejbe me flori. -Hajt, fillo ti!
– Jooo, fillo ti!
Tregatari nisi:
– Unë shtrova një darkë, thirra burra e gra, djem e vajza, qenë, mace e maçokë, nga fshatrat e qytetet afër e larg, skuqa një vezë, gjysma teproi. E ruajta për ndonjë davet tjetër.
A ke më zotni?
-Jo, ç’të kem, rrefena ti ndonjë.
Pas tregtarit filloi Qerosi:
– Pata dy ara buzë kënetës së Tërbufit. Te njëra korra grurë, te tjetra mbolla duhan. Pastaj grurin e shiva në lëmin e duhanit, duhanin te lëmi i grurit. Grurin e karshtisa me egjër e fara duhani. Tërë bereqetin e mbarta matanë tri kodrave në bregun e detit me karvanin e milingonave. Në liman ngarkova kaiken prej lëvozhge arre. Hipa dhe vet në kaike. Ika tutje larg në det. Atje fryu era për kiamet, ma anoi kaiken. Vu era-vu-vu. era vu-vu, era vu-vu… Për pak desh u mbyta me kaiken e mallin.. Kërceva për qiell e rashë ne breg mbi shkëmbinj shëndosh e mirë. Andej hodha litarin në cep të kaikes. Hiq tërhiq-s’ka, hiq tërhiq—s’ka. U bëra zë tre brumbujve. Hiq-tërhiq, hiq -tërhiq dhe kaiken e hipa në malin e Tomorit. Atje, pasi e ndava grurin nga farat e duhanit nisa të mbjell gjysmat e kokrave të grurit e gjysmat e farave të duhanit, në nji pllajë mbuluar me dëborë. Dy gjysmat e tjera i lash për nesër. Rashë e fjeta nën dëborë. Më zurii gjumi rehat. Kur zgjova në mengjes kisha vapë. Më ra ndër mend se pata harruar të mbillja spinaq, presh, lakra, domate,kunguj…
– Or, çun! A ka më kjo përrallë?!
– Prit! Duro!, S’kam rrëfyer as çerrekun…
-Mjaft! Mjaft! Se plasa!! Fitove ti! Merre kalin, samarin e frerin. Merr edhe tri hejbet plot me flori e m’u hiq sysh!
Qerosi më spari mori hejbet, pastaj frerin, samarin dhe i hipi kalit. Sapo mbërriti në shtëpi, i tha vëllait të madh:
-Na një hejbe plot me flori.
I tha të mesmit:
– Merre dhe ti hejben me flori. Hejbja e tretë ashtë e imja. Kali me samarin e frerin, tashti janë tonat përsëri..
E kështu tre vëllezërit nuk u ndanë!
U gëzua plaka nga fshati Velabisht. U gëzuan edhe tri nuset nga Çorogunji i Skrapari”.