Bledar Koçi: E THJESHTA LUMTURI
Rendim më kot drejt lumturisë
dhe ndodh të jetë aq afër nesh,
mundim i verbër shpirtin gris,
e lehtë t’a gjesh, vështirë t’a kesh.
…..
Kam parë një herë të lumturuar,
një ditë pazari në qytet,
me fije malli të arnuar
nja dy tre djem në qejf të vet.
Këmbkryq të ulur një lulishte,
fytyrëqeshur përmbi bar,
s’mbaj mend ish festë, a ç’ditë ishte,
kujtoj veç djemtë, zemërbehar.
Një pjepër dyllë në duar mbanin
të prerë në thela me biçak,
shijonin ngastrat e gajasnin,
qëndiste lëngu mbi jatak.
Lëkurët flaknin, hidhnin pas
pranë kalit jele ngjyrë flori,
përtypte, çonte në gurmaz,
një çast të lumtur dhe ai.
Ja pra, e ëmbla lumturi
s’kërkon më shumë e bardha letër.
E gjeta thjesht, as vetë se di,
me djemtë, një kalë, edhe një pjepër.
Please follow and like us: