Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Napo-Luani në Ukrainë!

Skicë…

(tekefundit gjithë “gjeneralët e ushtrive të vdekura” këtë problem kanë, mungesa e qetësisë së varrit s’është vetëm problem napoleonik)

…në një ëndërr Napoleoni insistonte se e pati fshehur një sënduk në Alba, ngjashëm siç ia bëjnë piratët, gjoja trezor me pasuri, arkë e mbushur me kristale, “lëndë e parë për përjetësinë” – ashtu e quante – pohonte se ideja i pati shkrepur nga ftohtësia, i kujtoheshin marshimet e dështuara, acari i kampanjave të Rusisë, andaj “postmortem” do i mblidhte gjithë kristalet e shpirtrave (të frymorëve që patën dhënë shpirt prej akullsisë, nën urdhrat e tij)…

…pastaj ëndrra në harresë, nuk i pata kushtuar rëndësi, sepse tekefundit gjithë “gjeneralët e ushtrive të vdekura” këtë problem kanë, mungesa e qetësisë së varrit s’është vetëm problem napoleonik, as ëndrra por as ideja e tij s’kishin gjë origjinale, pothuaj skenar klisheatik, meqë “gjeneral i ushtrisë…” s’e gjente dot rehatinë, ja pse kishte menduar t’i mblidhte kristalet, ta shpikte një çudibërës magjik, dhe kështu ta kishte qetësinë andej në amshim etj etj. bla, bla, bla, pse a vetëm shpirtrat e “acar-izuar”, mos vallë vetëm kristalet e akullit ndihmuakan për ilaçin e qetësisë…

…sidoqoftë, tani një i çmendur na shtiret Napo-Luan në Ukrainë, si maçok me çizmet e me tankset i shtyp lulet e lirisë, si një akullthyes gjigant i thërmon akujt e “ironisë”, thuase vetë Aresi merret me hipokrizinë, gjoja me kurth-gropat e “largpamësisë”, na kërcënon me bombat e marrëzisë – vallë si ndalet një i marrë, si shurdhohet paganda luftëndjellëse e tij, urojmë t’jetë e mundur me fjalë, pa bomba, pa armë, me “zërin e arsyes”, me fjalë – vetëm jashtë arsyes së njeriut fjalët zbehen, vetëm kur fillon zezona e marrëzisë fjalët e humbin peshën…

…bie fjala, jo vetëm për luftrat reale, as jo vetëm për romane të llojit “lufta dhe paqja”, shkrimtarët i përdorin “fjalët” dhe për luftrat e imagjinatës, e përdorin “zërin”, thirrjen, klithmën, ehon, britmën, ofshamën, gjithçka – madje shpikin dhe armë, i quajnë bombash “zanore”, psh. nëse kompresuar e paketuar siç duhet nëpër bombulat adekuate, valët e “zërit” e kanë fuqinë thërmuese të bombave bërtha-mike, disa shkrimtarë thonë se valët sonike e dridhin, e copëtojnë vetë nukleusin, bërthamat e atomeve, ndoshta i eksplodojnë dhe “zemrat” e fotoneve, i trullosin bozonet, të gjitha grimcat etj. etj., andaj dhe qenë shpikur bombat “sonike” siç ashtuquhen (psh. nga shkrimtarët e Star Wars)…

…në rregull, e qartë se këso bombash s’janë reale, disa gjëra qenë shpikur nga shkrimtarët duke lozur me imagjinatën, meqë skica jonë nuk lejon përdorimin e armëve reale, thjesht na u desh diç si shembull – sidoqoftë, s’bën të shkitet në kurthet e Lili-Putit të luftës, aferim shkrimtarëve për shpikjet e tyre, por s’do i përdorim madje as bombat “sonike” të Hollivudit, kesaj radhe le ta përdorim sëndukun e Napoleonit, arkën e ëndrrës, le t’ia kthejmë me akujt e harresës, me kristale shpirtrash (të mërdhirë), me ftohtësinë e Siberisë, me kristalet e gumësisë..

Please follow and like us: