Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarët duhet ta kthejnë Shkupin në kryeqendër të tyre!/T’ia vënë lakun në fyt integrimit të Maqedonisë V.

A është Shkupi ende një shans, që të kthehet nën dominimin shqiptarë, duke ia kthyer shqiptarëve të drejtat legjitime të pronës dhe jetës?

Një nga padrejtësitë, dhe madje pësimet më të mëdha, që shqiptarët i kanë pësuar në më shumë se 150 vjet histori, është humbja dhe shpopullimi i shqiptarëve nga Shkupi.

Qendër trashëgimie-shpirtërore

Kjo qendër që shquhej me trashëgiminë e saj iliro-dardane, me shumë gjasë për herë të parë në historinë e tij, e humbi shumicën dominuese në Shkup, në dekadat e fundit, për shkak të vënies në funksion të politikave shoviniste serbe, tashmë në emër të sllavo-maqedonasve.

Gjetjet arkeologjike dëshmojnë praninë rreth 6 mijëvjeçare, madje në zemër të qytetit, në kalanë e sotme (e restauruar), nga e cila mund ta sodisësh Shkupin. Ndërsa, prova të tjera argumentojnë për një prani thuaja të pashkëputshme.

Historia nuk njeh popullsi tjetër të ketë vetuar, veç paraardhësve tanë. Të tjerët mund të kenë lëvizur apo ardhur si pakica, dhe të kenë qëndruar si shumë pushtues, dhe më në fund të jenë larguar.

Shkupi ka qenë një qendër e përhershme rajonale iliro-dardane, nëpër të cilin kalonin linjat e komunikimit nga skajet e Ilirisë, por edhe përtej tyre, që nga territoret e Italisë veriore, Austria e sotme, Zvicra etj., dhe nga aty drejt Kostandinopojës, Stambollit të sotëm.

Qendër e kryengritjes çlirimtare

Shkupi, po ashtu qe shquar edhe si një nga qendrat e kryengritjes shqiptare, në verën e vitit 1912, kur pas çlirimit të pjesës më të madhe të qyteteve shqiptare, të Kosovës dhe përtej saj, edhe pse e ishin të lira qytetet shqiptare, pavarësisht që flamuri shqiptar valoi, nuk e shpallën pavarësinë e Shqipërisë, pasi nuk arritën ta kuptonin rëndësinë e aktit me kohë, ose edhe nën ndikimin austriak, të cilët vlerësonin se nuk ishte çasti i duhur.

Shkupi në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të u bë qendër e Vilajetit të Kosovës, i cili u formua në vitin 1877, një vit para themelimit të Lidhjes së Prizrenit (1878), me një territor prej 32.900 km katrorë, më të madh se sa sipërfaqja e Shqipërisë së sotme, me mbi 28 (28.748) mijë km katrorë.

Historianët, duke iu referuar studimeve nga burime të Perandorisë Osmane, të shpallura më 1878, thuhet se Vilajeti i Kosovës i kishte 1.199.154 banorë, ndërsa vetëm Sanxhaku i Shkupit, bazuar në regjistrat e viteve 1896-1900, i kishte 324.982 banorë.

Edhe thuaja gjatë gjithë shekullit 20-të, Shkupi do të ketë pasur shqiptarë më shumë se sa çdo lloj etnie tjetër. Por, përveç se mbretërisë së Jugosllavisë, që ka punuar para Luftës së Dytë Botërore për dëbimin e shqiptarëve nga Shkupi, me terror e gjenocid, dhe gjithandej nga ishin shqiptarët, me konfiskimin arbitrar të pronave të shqiptarëve, dëbimin për Turqi, dhunë për t’i asimiluar, të njëjtat veprime në mënyrë sistematike i ka kryer Maqedonia komuniste. Ajo po ashtu sërish ka vazhduar me konfiskimin e pronave të shqiptarëve, nëpërmjet nacionalizimit dhe shpronësimit (eksproprijimit).

Por, projektet antishqiptare nuk kanë të ndalur në Maqedoni dhe në Shkup, duke e vijuar dëbimin e shqiptarëve, me mënyra dhe qasje të reja.

Kështu ajo pjesë njohu një ekspansion zhvillimi edhe falë ndihmave botërore, pas tërmetit tragjik të vitit 1963, ndërsa maqedonasit punësoheshin në administratë, arsimoheshin, shqiptarëve u krijoheshin qindra sfida, të cilat i shtynin gjithnjë drejt ikjes, ndërsa shqiptarët ortodoks drejt asimilimit. Ky komunitet, që ende din për trashëgimin e tij shqiptare, vlerësohet se përbën, 200-300 mijë veta.

Tashmë, viteve të fundit shqiptarët ikin në vend të Turqisë, drejt Perëndimit, trend ky që nuk është frenuar as pas heqjes së vizave.

Kjo ka bërë që në regjistrimin e fundit, sado i manipuluar, që shqiptarët të nxirren në më pak se një të katërtën e popullsisë, 22.8 për qind, që ishte një korrigjim i lehtë prej mbi 2%, krahasuar me regjistrimin e vitit 2002.

Drejtësi edhe në Strasburg për pronat

Këto shtypje dhe trajtime të pabarabarta të shqiptarëve, kanë rikthyer vëmendjen e inteligjencës shqiptare në Maqedoni, që t’ju bëjnë thirrje shqiptarëve, që të bashkohen në kërkimin e drejtësisë së nëpërkëmbur për rreth një shekull.

Kështu publicisti i njohur nga Maqedonia, Nijazi Muhamedi ka reaguar vrullshëm, pak ditë më parë, me një thirrje për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë dhe me origjinë nga ajo, që t’i bashkojnë përpjekjet për t’i kthyer pronat e tyre që ia ka marrë shteti, duke ua konfiskuar, nacionalizuar dhe rikonfiskuar, si dhe të shpronësuara gjatë tërmetit shkatërrues për Shkupin.

Të gjitha këto veprime shtetërore, kanë pasur qëllimin e vetëm, që shqiptarët t’i lënë pa prona, pa pasuri dhe kështu pa mundësi jetese, në mënyrë që ata të ikin për të shpëtuar drejt Turqisë ose ata që mbesin, të vdesin urie, të asimilohen dhe të tjerë të jetojnë të poshtëruar.

“…Shqiptarët e shpërngulur në Turqi nga dhuna e Rankoviqit, shqiptarët, që nga Reka gjer në Manastir; shqiptarë katolikë të Shkupit (dhe të tjerë që nga Saraji, Nerez e qendër, të shpronësuar pas TËRMETIT 1963) dhe pronarët e tokave të nacionalizuara, të konfiskuara në vitin 1946 dhe të rikonfiskuara edhe gjatë procesit farsë të “denacionalizimit”, të krijojnë Shoqatat e tyre, të mbledhin tapitë dhe të kërkojnë restituimin dhe jo vetëm, të tokave të tyre..!”, ka shkruar Muhamedi në Fb.

Pra, është koha që shqiptarët e dëbuar për në Turqi, dhe kudo, të cilët janë trashëgimtarë apo edhe të gjallë, që t’i kërkojnë pronat e tyre të konfiskuara nga shteti në çdo kohë, madje duke i dërguar çështjet në gjykatën në Strasburg.

Kjo çështje, nëse shqiptarët ia arrijnë ta bëjnë për vetveten, do t’ia vënte lakun në fyt, integrimit të Maqedonisë Veriore në BE.

Ky ‘lak’ do të ishte ndoshta mjeti më efikas, që ta detyrojnë Maqedoninë që të fillojë dhe t’ia pranojë të gjitha të drejtat, që shqiptarët etnik i meritojnë, aq më tepër si popullsia e vërtetë indigjene, që ka ruajtur edhe gjuhën, traditën dhe kulturën e trashëguar nga kohët primordiale.

https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1884472/shqiptaret-duhet-ka-kthejne-shkupin-ne-kryeqender-tia-vene-lakun-ne-fyt-integrimin-te-maqedonise-v/?fbclid=IwAR2D-xLOzYQCx7_Q1MOzxndS9SkJQUO7KUKDyhCyuiDChrvcf5sjxMBXxgY

Please follow and like us: