Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Ftesë për reflektim mbi ambicjen për pushtet dhe krimet

Vrasja e Jul Çezarit në Romë. E Xhuljanos ne Firence dhe e Mehmetit në Tiranë. Ftesë për reflektim mbi ambicjen për pushtet dhe krimet, pjellë e pabesë e saj.
Mëngjesi i atij marsi kobzi, kishte filluar fare ters. Me ëndërrat shqetësuese të bashkëshortes së tij dhe parashikimet që ndillnin gjëmë. Ishte ditë feste, Gli idi di Marzo, ndaj senatorët, si çdo vit, simbas traditës, ishin mbledhur fare herët tek teatri i Pompeit në Romë dhe prisnin të vinte koka për tu prerë. Perandori, i trembur nga paralajmërimet kobzeza, nuk donte të shkonte, por Bruti, miku i tij më besnik, i kishte shkuar enkas në shtëpi dhe ia kishte kthyer sërisht mëndjen. “Është turp mos shkosh. Ofendim i madh. Senatorët po të presin”. Çezari, sapo ishte ulur në poltronën e tij, kur në çast, iu afrua një nga senatorët dhe me insistim po kërkonte ti fliste. “Nuk kemi ardhur sot”, ia ktheu perandori, “për të diskutuar për problemet e tua personale, por për të adhuruar Nënën e madhe, Cibelën”! Në atë çast Tillio e kish mbërthyer prej manteli. As ishte parë dhe as dëgjuar, një sjellje e tillë. E kish shtrënguar aq fort, me aq egërsi, sa gati kish harruar se po lozte me zjarrin. Me vetë jetën e tij. Kujt po ja shtrëngonte pelerinën? Njeriut më të pushtetshëm në botë?! Çezari e kish parë me përçmim dhe habi, krejt i shtangur: “Si guxon”?! i kish shprehur me vështrimin e rreptë, krejt i nxehur. “Nuk e di vallë, kush jam unë”?! Shtrëngimi me arrogancë i mantelit, kishte qenë edhe sinjali i fillimit të aksionit. Ndërkohë senatorët e kishin rrethuar Perandorin, nga të gjitha krahët. I pari e ngriti thikën Publio Kaska. Cezari, pa thikën t’i vetëtinte ndër sy, pastaj e ndjeu hekurin t’i ngulej në grykë. “Mos jeni gjë i çmendur”?! i vetëtiu në mendje, krejt i habitur nga guximi vrastar i tjetrit. Instiktivisht, me një lëvizje prej ushtaraku, i kish kapur krahun e djathtë dhe ia kish shtrënguar fort. Pastaj, ia nguli kunjin e hekurt me majë, me të cilin shkruante, në krah agresorit, por nuk pati kohë ta nxirrte atë rishtaz. Senatorët e rrethuan në çast dhe gjithkush kishte nga një thikë në dorë, drejtuar nga ai. Atëherë ai e kuptoi, që ishte e kotë. Ndaj mbuloi kokën me mantelin imperial. Me krahun e majtë, e shtriu atë në të gjithë gjatësinë e trupit, në mënyrë që vdekja ta gjente në errësirë dhe nuk e hapi më gojën. Ato ia ngulnin thikat rishtaz e rishtaz. Nga të gjitha anët. Perandori ra. Gjaku, filloi të skuqë, në fillim mantelin e bardhë perandorak, pastaj me vrrjaga turpi, shkiste mbi mermerin famëmadh të perandorisë. Rridhte dhe çiklonte gjithkund me stërpikje të hatashme. Të pabesueshme. Vërtet dukej si një ëndërr e keqje, aq e pavërtetë. Por ishte edhe shpagimi, therrori, sakrifikimi mbi altarin e pushtetit. Ai, gjak kërkonte dhe veç me gjak ushqehej. Haraç të madh kërkoka pushteti. Shpagë të tmerrshme! Shumë mendonin se perandori as nuk e mori vesh kurrë, pse e godisnin me aq tërbim. Për 23 herë majat e thikave, plot urrejtje ia dhunuan mishin gjigandit Cezar. Nga të cilat veç njëra kish qenë fatale. Me shprehjen mes habisë, tmerrit dhe alarmit që frika prodhon, zgurdullonte sytë, shtrirë në dysheme dhe përballte në një heshtje pasive, urrejtjen e aq shumë senatorëve. Por, dukej qartë një gjë. Aq shumë të tmerrshme e kishte fytyrën pushteti, i cili tani po dergjej në agoni mbi dysheme, sa senatorët, me pulsin që i dridhej, nuk arrinin t’ia ngjeshnin si duhej tehun e thikës në mish. Ndaj veç e ciknin atë lehtshëm, thjesht e plagosnin. Edhe pse urrejtja e akumuluar, ishte e pafund. Komplotistët ishin mbi 60. Çezari dergjej i larë në gjak, akoma i gjallë, me shprehjen e habisë ngrirë në tipare. I fundit iu afrua Bruti. “Edhe ti, biri im”?! arriti t’i thoshte Çezari, krejt i tronditur, nga tradhëtia. Pastaj, krejt i përlytur me gjak, tek rrinte shtrirë tek këmbët e skulpturës gjigande të Pompeut, dha shpirt. Dergjej tani, 56 vjeçar, pa jetë, poshtë armikut të tij të përbetuar. Kokën e prerë të të cilit, 4 vjet më parë, ia kishin servirur mbi një tepsi argjëndi, si shenjë fitorje. Tani, me 23 goditje në trup, rrinte shtrire humbës, tek këmbët e të mundurit, po vetë nga ai. Chi di spada ferisce, di spada perisce. Tragjedia ndodhi, tek Kuria e teatrit të Pompeit, në Romë. Atë mëngjes, nuk donte të dilte nga vila e tij. Jo vetëm ëndërrat e këqija e kishin torturuar tërë natën, por edhe mëlçia e demit të sakrifikuar, ishte interpretuar kobshëm prej falltarëve të besuar perandorak. “Gjëmë për festë”! i kishte thënë ata, me sytë e tmerruar nga frika. Gli idi di Marzo.
Pastaj, në sallë sundoi heshtja. Një heshtje e rëndë, gërryese, e thellë. Një heshtje vrastare. Ajri u mbush me erë gjaku. Ishte një erë aq e fortë dhe e padurueshme sa senatorët, krejt të tromaksur për kobën e zezë, ia mbathën jashtë me piskama tmerri. Më kot Bruti kërkonte t’i qetësonte: “Ndaloni në emër të Jupiterit. E meritonte, ky tiran, këtë fund! Kish tradhtuar Idealet e Republikës”! Në të padukshmen, shpirtërat e gjakut, ngopur tani me mbrapshtinë e tyre, dolën nga trupat e vrastarëve dhe ia mbathën me ngut drejt shtatë kodrave. Në qytet, mbas përhapjes së lajmit kobzi, njerëzia, nga tmerri dhe frika, ishte kyçur nëpër shtëpi. Dyqanet mbyllën dyert dhe kanatet, tregu u boshatis krejt, nëpër rrugët krejt të heshtura, sundoi hija e rëndë e vdekjes. Si plumb i shkrirë, i kishin zemrat nga kobi. Populli, krejt i tmerruar, nga frika se mos pështjellimi dhe kaosi do të sundonte në qytet, rrinte me zemër të ngrirë. Kush me Çezarin, kush me vrasësit. Asgjë e mënxyrshme nuk ndodhi. Kjo bëri vaki, me 15 mars 44, para Krishtit…
1522 vite më vonë, 232 kilomtera më në veri të gadishullit famëmadh, me 26 prill 1478, në katedralen më të madhe të qytetit rilindas, dy bij milionerësh, filizat e familjes së madhe fjorentine Mediçi, ulur tek rradha e parë e njerëzve më fisnikë, po ndiqnin meshën e shenjtë. Kisha ishte përplot me burrat më të shquar të qytetit.
Peshkopi i qytetit, sapo kishte ngritur ostian, trupin e Krishtit; kur nga prapa, i ulur në rreshtin e dytë të të pranishmëve, Bernardo Baroncelli, ngrihet vringthi dhe mbas shpine i ngul shpatën Xhuljanos së Mediçëve, duke e lënë atë shakull në vend. Ndërkohë, që po ndodhte kjo mënxyrë e pistë, sakrilegj dhe blasfemi fare e ndyrë, tmerr i padëgjuar kurrë, dy vrasësit me pagesë, veshur si priftërinj, simbas planit, iu vërsulën Lorencos, të vëllait tjetër. U orvatën ta vrisnin gjithashtu edhe atë. Ndërsa shpatat xixëllonin me vrull, sytë e lebetitur të të pranishmëve kishin ngrirë krejt nga tmerri. Në çast, në gurgulenë e tmerrshme, zallahi e madhe, ngrihen dy shqytarët e princit Lorenco, vëllezërit Kavalkanti dhe e mbrojnë deri edhe me trupat e tyre, princin e familjes Mediçe. Lorenco, i plagosur, mbrojtur mrekullisht nga thonjtë e vdekjes, falë gjithashtu edhe mantelit të tij, ia mbath me ngut. Nëse viktima e parë, burri më i pushtetshëm i botës, mijëra vjet më parë e kishte përdorur mantelin për të mos e parë vdekjen me sy, krejt i bindur për orën e tij të fundit; i dyti, princi fjorentin, pasardhësi i familjes më të madhe në qytet, po e përdorte atë, për të hutuar dhe shpërndarë vrasësit. E valëviste me aq shpejtësi, nën shikimet e nxira nga tmerri të qytetarëve fjorentinë, sa vrasësit e humbën fare. Pastaj me vrap, Lorenco kish arritur të mbyllej në Sakristinë e Katedrales. Nga jashtë, akoma dëgjoheshin zhurmat plot tërbim të thikave të vrasësve që godisnin portën. Ato tinguj vdekje, Lorenco nuk do t’i harronte në jetë të jetëve. Dera e drunjtë e dhomëzës ku priftërinjtë ndërroheshin, u bë aq shumë fërtele nga goditjet plot urrejtje të thikave të vrasësve, sa më pas e ndërruan. Nuk arritën ta hapnin. Brenda, Lorenco, krejt i tmerruar, me krahun që i rridhte gjak, dridhej nga një tmerr i fshehtë. “ç’kam bërë që më urrejnë aq shumë”?! pyeste duke lutur Perëndinë që të dilte i gjallë. Lindur nën yllësinë me fat të mirë, falë një engjëlli mëshirmadh, shpëtoi nga gjëma. Ndërkohë Kisha ishte boshatisur me zhurmë dhe bujë nga paria e qytetit. Hakmarrja e Lorencos kundër komplotistëve, do të ishte e tmerrshme. Deri në Kostandinopol e gjeti një nga vrasësit dhe e vari në mes të qytetit, pa gjyq…
Ishte 11 dhjetori i 1981 në Tiranë. Kishin kaluar plot 503 vjet që nga bëma mizore, djallëzore, e cila kishte ndodhur në çastin më të shenjtë. Ndërsa kremtohej ngritja e Jezusit në qiell. Tani, në kryeqytetin komunist shqiptar, ndodhi një vrasje tjetër për të mos u harruar kurrë. Yshtja nxitëse ose motivi ishte i njëjtë: etja për pushtet. Në kampin socialist ku po farkëtohej njeriu i ri, tani, po hidhej në short, vetë poltrona kryesore e pushtetit. Diktatori Hoxha, i sëmurë rëndë, nuk do ta kishte shumë të gjatë. Kush do të ishte pasardhësi: Mehmeti apo Ramizi. Komplotistët, me një dinakëri të hollë djallëzore kishin arritur të kombinonin fejesën e djalit të Shehut, Skënderin me volejbollisten Silvia Turdiu, një kushërirë e Arshi Pipës. Intelektual konsideruar tradhtar dhe spiun i perëndimit. Pra, vajza ishte me “biografi të keqe”. Në fillim, gjithçka po shkonte si mos më mirë. Sidomos kur vetë diktatori i bëri një vizitë zyrtare numrit 2 të partisë. Gëzimi në familjen e të fejuarit Skënder Shehu, ishte fare i dukshëm. Por se me tinëzi, me dinakëri keqëdashëse, ia kishin mbajtur të fshehtë diktatorit, biografinë nga ana a nënës së vajzës në fjalë. Më pas, kur fejesa ishte kryer, i pëshpëritën në vesh diktatorit të sëmurë, që vajza ishte mbesa e një armiku të popullit, agjent i perëndimit, në emigrim. Kurthi ishte kurdisur me shumë kujdes. Diktatori, me sëmundjen e sheqerit në trup, nuk e kish bërë të gjatë. “Të anullohet fejesa”! Iu vu kundër numrit 2 të partisë komuniste. Mehmet Shehut. Në këtë pezm të hidhur, në këtë gjëmë familjare, Shehu, kriminel lufte, duke mos ditur si të sillej, e kish humbur fare qetësinë dhe toruan. Helmin në çaj ia sollën me kujdes, mbrëmjen e 17 dhjetorit. Shërbyesja e tij personale, e cila do t’i shpiente çajin, ditën tjetër do të zhdukej fare pa lënë gjurmë. Dërguesja e çajit atë natë, për fatin e saj të zi, me siguri duke qenë aty prezente, gjatë përpëlitjeve të fundit të të helmuarit, kishte parë, kishte dëgjuar, dinte pra gjithçka. Të fshehta të tmerrshme. Ndaj u tret si në acid.
Pastaj, atë natë të tmerrshme, kur demoni po luante aktin kyç të tragjedisë, në vilën labirinth, dikush erdhi fare tinëzisht, nga tuneli me hyrjen e fshehtë. Nga porta sekrete dhe e shkoi dy herë me plumb, të helmuarin nga çaji i darkës. Vrasësi, si një adoleshent i pamësuar, i kishte lënë edhe revolverin në krah. Sikur i vetëvrari, mbasi kishte vdekur, të kishte pasur akoma frymë, jo vetëm të qëllonte për së dyti në zemër, por edhe ta mbështeste armën me kujdes në krahun e tij të djathtë. Bëma çmendurake. Fantazi që edhe vetë Shekspiri nuk do të mund t’i imagjinonte aq hollësisht.
I kishin dhënë, bekimin e fundit. Pastaj lajmi doli në tv-në shtetërore. Tani e kishte radhën të luhej farsa më absurde e kësaj tragjedia. “Mehmet Shehu, agjent, vrau veten”! Ah helmi në vesh, helmi në vesh. Nuk duhej që të dridhej edhe ferri duke yshtur fantazma për ta treguar të vërtetën. Ngjarja dukej që ishte e sajuar. Edhe shkrimtari me më pa intuitë, nuk do të mund të krijonte një detektiv më idiot, për ta zbuluar se teza e vetevrasjes ishte një gënjeshtër e ndyrë.
Lufta për pushtet ka qenë gjithmonë një kostante e ngjareve mbi këtë rruzull që njohim. Që pushteti është një nga tundimet më të forta, kjo dihet. Por të arrihet edhe të eleminohet edhe vetë jeta për hir të saj, kjo është një nga gjërat më absurde që njeriu ka bërë, bën dhe do të bëjë, pa iu dridhur as qerpiku.
Please follow and like us: