Albspirit

Media/News/Publishing

Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës do të zhvillohet nga 16 deri më 22 tetor

Të shtunën pasdite, zëdhënësi i Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës Sun Yeli e njohu medien në një konferencë për shtypin në Pekin me agjendën e Kongresit. Kongresi do të hapet të dielën paradite në orën 10 në Pekin dhe do të mbyllet më 22 tetor. Tani të gjitha punët përgatitore janë gati.

Agjenda e Kongresit përfshin dëgjimin dhe shqyrtimin e raportit të Komitetit të 19-të Qendror të PKK-së, shqyrtimin e raportit të punës të Komisionit të 19-të Qendror të Kontrollit të Disiplinës, shqyrtimin dhe miratimin e Statutit së rishikuar të PKK-së, zgjedhjen e Komitetit të 20-të Qendror dhe zgjedhjen e Komisionit të 20-të Qendror të Kontrollit të Disiplinës.

Sun Yeli u shpreh se Komiteti Qendror i PKK-së i kushtoi  rëndësi të madhe hartimit të raportit të Kongresit të 20-të dhe krijoi posaçërisht grupin e punës me sekretarin e përgjithshëm Xi Jinping në krye. Për të hartuar mirë këtë raport, Komiteti Qendror ka zhvilluar hetime e studime të thella dhe organizoi aktivitetin e kërkimit të mendimeve për raportin në internet, duke marrë mbi 8 milionë e 542 mijë opinione. Xi Jinping-u drejtoi pesë biseda për të dëgjuar mendimet e palëve të ndryshme, duke përfshirë veteranët, përfaqësuesit e partive të ndryshme demokratike e të Federatës Mbarëkineze të Industrisë e Tregtisë dhe personat pa parti.

Sun Yeli u shpreh se në këtë kongres do të rishikohet Statuti e PKK-së, ku do të përfshihen teoria, pikëpamjet e mendimet e rëndësishme strategjike të përcaktuara në raportin e Kongresit të 20-të, për të paraqitur sukseset dhe përvojën e fundit të arritur në qeverisjen e vendit e në forcimin e Partisë.

Sun Yeli u shpreh se rishikimi i Statutit është një traditë e PKK-së. Statuti i tanishëm i PKK-së u rishikua në Kongresin e 12-të Kombëtar. Këtë herë, për rishikimin e Statutit të PKK-së janë kërkuar mendimet e palëve të ndryshme.

Sun Yeli u shpreh se 2296 deputetë do të jenë të pranishëm në Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së, duke përfaqësuar mbi 4.9 milionë organizata-bazë dhe mbi 96 milionë anëtarë të PKK-së.

Zëdhënësi vuri në dukje se deputetët e zgjedhur kanë përfaqësi të gjerë. Sipas traditës, Komiteti Qendror do të ftojë gjithashtu disa veteranë të Partisë për të marrë pjesë në kongres.

Sun Yeli tha se ndërtimi i shoqërisë relativisht të begatë tani në Kinë i ka tejkaluar parashikimet e fillimit të Reformës e Hapjes dhe e ka arritur objektivin e paraqitur në Kongresin e 18-të të Partisë. Mund të thuhet se kjo është vërtet një shoqëri relativisht e begatë, theksoi zëdhënësi.

Sipas tij, në vitin 2020 PBB-ja e Kinës arriti në 101.6 trilionë juanë, duke ruajtur vendin si ekonomia e dytë në botë, ndërsa PBB-ja për frymë i kaloi 10 mijë dollarët. Ndërkohë, shtresa e mesme kineze i kaloi 400 milionët, duke u bërë grupi me të ardhura të mesme më i madh dhe me potencialin më të fuqishëm në botë. Në të njëjtën kohë, koeficienti “Engel” i banorëve të qytetit e të fshatit u ul përkatësisht në 29.2 për qind dhe 32.7 për qind, çka shënon një ngritje të dukshme të cilësisë së jetesës së popullit. Sun-i theksoi se shoqëria relativisht e begatë ka të bëjë jo vetëm me shifrat e vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë, por edhe me përmirësimin e jetesës së shtresës së varfër, gjë që është më e rëndësishme. Deri në fund të vitit 2020, të 98 milionë e 990 mijë banorët e varfër në zonat rurale, të 832 kontetë e varfra dhe të 128 mijë fshatrat e varfër dolën nga skamja. Kjo është hera e parë në historinë e Kinës dhe konsiderohet si mrekulli në historinë e zbutjes së varfërisë të njerëzimit.

Duhet vërejtur gjithashtu, u shpreh zëdhënësi, se begatia relative në Kinë është e gjithanshme, që do të thotë se demokracia në të gjithë procesin ka pasur një zhvillim të pandërprerë, jeta shpirtërore dhe kulturore e popullit kinez është bërë më e pasur, niveli i barazisë së shërbimeve publike është ngritur shumë dhe ndërtimi i qytetërimit ekologjik ka pasur përparim të dukshëm. Këto arritje konkrete mund t’i bëjnë ballë provës së kohës, theksoi ai.

Sipas zëdhënësit, gjatë periudhës së viteve 2013 – 2021, PBB-ja e Kinës u ngrit mesatarisht 6.6 për qind në vit, që është më e lartë se niveli botëror prej 2.6 për qind dhe i ekonomive në zhvillim prej 3.7 për qind gjatë së njëjtës periudhë. Ndërkohë, kontributi mesatar i ekonomisë kineze për rritjen e ekonomisë botërore i kaloi 30 për qind.

Aktualisht, ekonomia kineze ndodhet përpara presionit relativisht të madh, si pasojë e pandemisë dhe e mjedisit ndërkombëtar, tha Sun-i. Megjithatë, Kina ka marrë një sërë masash efektive, duke stabilizuar gjendjen e përgjithshme të ekonomisë dhe duke ruajtur prirjen e mirë të zhvillimit. Kina vijon të jetë një stabilizator dhe një motor i rëndësishëm për rritjen e ekonomisë botërore, vuri në dukje zëdhënësi i Kongresit të 20-të të PKK-së Sun Yeli.

Sun Yeli theksoi se reforma e Kinës ndodhet ende përpara shumë sfidave serioze, por PKK-ja do ta çojë përpara reformën me guxim politik dhe mençuri më të madhe.

Sun-i tha se do të ketë shumë vështirësi lidhur me vetëmbështetjen në teknologjinë e lartë, në ndërtimin e sistemit të tregut të nivelit të lartë, në garantimin e sigurisë së ushqimeve, energjisë e burimeve, në parandalimin e rreziqeve dhe në kalimin drejt zhvillimit të gjelbër ekonomik e shoqëror. “Do të ngulim këmbë në drejtimin e duhur të reformës dhe do të ruajmë vendosmërinë për reformën,” theksoi ai.

Sun Yeli tha që, në bazë të politikës së përgjithshme “zero-COVID dinamike”, Kina ka përsosur masat konkrete të parandalimit e kontrollit të epidemisë. Strategjitë dhe masat e Kinës në këtë drejtim do të jenë më shkencore, më të sakta e më efektive dhe Kina do të jetë më e aftë në balancimin e kontrollit të epidemisë me zhvillimin ekonomik-shoqëror, tha zëdhënësi.

Sipas tij, “zero-COVID dinamike” është një politikë parandaluese në përputhje me gjendjen konkrete të Kinës dhe ligjet e shkencës. Thelbi i saj është reagimi i shpejtë dhe parandalimi e kontrolli i saktë, duke u përpjekur për ta vënë nën kontroll epideminë me koston më të ulët shoqërore e brenda një kohe sa më të shkurtër, duke mbrojtur në maksimum sigurinë e jetës dhe shëndetin e popullit dhe duke pakësuar në minimum ndikimet ndaj zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe jetesës normale të njerëzve.

Sun Yeli theksoi se Kina do të zbatojë në mënyrë të palëkundur një hapje në sferë më të madhe, në fusha më të gjera dhe nivel më të thellë.

Sun Yeli tha se ndërtimi i një modeli të ri zhvillimi është një cikël i dyfishtë i hapur brenda dhe jashtë Kinës, jo një cikël i vetëm i mbyllur i brendshëm. Trajtimi i ciklit të brendshëm si bosht kryesor nuk do të thotë aspak funksionim me dyer të mbyllura, por një lidhje më e mirë e tregut kinez me tregun ndërkombëtar, duke shfrytëzuar potencialin e kërkesës së brendshme. Hapja e nivelit të lartë ndaj botës është thelbësore për ndërtimin e një modeli të ri zhvillimi, u shpreh zëdhënësi.

Sun Yeli vuri në dukje që ekonomia private ka qenë gjithmonë një bazë e rëndësishme për ruajtjen dhe zhvillimin e socializmit me karakteristika kineze. Konsolidimi e zhvillimi i palëkundur i sektorit publik të ekonomisë dhe inkurajimi, mbështetja e drejtimi i palëkundur i zhvillimit të sektorit jopublik janë bërë një politikë madhore e Partisë dhe e vendit dhe janë përfshirë në strategjinë e ndjekjes dhe zhvillimit të socializmit me karakteristika kineze në epokën e re. Këto parime e politika nuk kanë ndryshuar dhe nuk do të ndryshojnë edhe në të ardhmen.

Zëdhënësi theksoi se Kina është një shtet ligjor dhe si kapitali shtetëror, ashtu edhe ai privat, si kapitali vendas, ashtu edhe ai i huaj, mbrohen sipas ligjit. “Ne do të mësojmë plotësisht nga praktikat e dobishme të vendeve të tjera të botës dhe do të përmirësojmë vazhdimisht mjedisin e biznesit të orientuar nga tregu, të legalizuar dhe të ndërkombëtarizuar,” u shpreh Sun Yeli.

Sun Yeli u shpreh se gjëja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare në 50 vitet e ardhshme është që Kina dhe ShBA-ja të gjejnë mënyrën e duhur për të shkuar mirë. Kyçi për këtë, vuri në dukje zëdhënësi, është respekti i ndërsjellë, bashkëjetësa paqësore dhe bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella, siç u propozua nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës Xi Jinping.

Sun Yeli tha se interesat e përbashkët të Kinës dhe ShBA-së i tejkalojnë dallimet. Marrëdhëniet e shëndetshme dhe të qëndrueshme kino-amerikane përputhen me interesat e përbashkët të popujve të të dy vendeve. Për sa u përket lidhjeve ekonomike-tregtare, vëllimi i tregtisë dypalëshe në vitin 2021 shënoi një rekord prej mbi 750 miliardë dollarësh amerikanë, një rritje prej 28.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Bashkëpunimi ekonomik-tregtar kino-amerikan ka mbështetur 2.6 milionë vende pune në ShBA. Duhet të theksohet se ka shumë sfida në botën e sotme që kërkojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, u shpreh zëdhënësi.

Sun Yeli theksoi se bashkatdhetarët në të dy anët e ngushticës së Tajvanit duhet të bashkohen për të kundërshtuar me vendosmëri ndarjen e “pavarësisë së Tajvanit” dhe ndërhyrjen e huaj, dhe së bashku të krijojnë një të ardhme të ndritur për ribashkimin paqësor të atdheut.

Sun Yeli tha se “ribashkimi paqësor” dhe “Një vend, dy sisteme”  janë politikat bazë të Kinës për të zgjidhur çështjen e Tajvanit. Realizimi i ribashkimit të atdheut me mjete paqësore është zgjedhja e parë për zgjidhjen e çështjes së Tajvanit. “Ne dëshirojmë të bëjmë përpjekjet më të mëdha me sinqeritetin më të madh për të arritur ribashkimin paqësor dhe për të krijuar hapësirë për ribashkimin paqësor,” u shpreh zëdhënësi. Por, shtoi ai, Kina nuk premton të heqë dorë nga përdorimi i forcës dhe rezervon mundësinë e marrjes së të gjitha masave të nevojshme kundër ndërhyrjes së forcave të jashtme e shumë pak separatistëve të “pavarësisë së Tajvanit” dhe veprimeve të tyre separatiste, jo kundër bashkatdhetarëve të Tajvanit.

Sun Yeli shtoi se Kina do të vazhdojë t’i përmbahet parimit të “konsultimeve, ndërtimit e ndarjes së përbashkët” për të promovuar arritjen e pandërprerë të rezultateve prej nismës “Një brez, një rrugë”.

Sun Yeli tha se gjatë 9 vjetëve pas paraqitjes së nismës “Një brez, një rrugë”, Kina ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me mbi 140 vende e më shumë se 30 organizata ndërkombëtare. “Një brez, një rrugë” është bërë një produkt publik global i mirëpritur dhe një platformë e rëndësishme për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. Deri në qershor të këtij viti, vëllimi i tregtisë mes Kinës e vendeve përgjatë “Një brez, një rrugë” arriti në rreth 1.2 trilionë dollarë, bëri të ditur zëdhënësi, duke shtuar se shumë projekte bashkëpunimi u kanë sjellë vendeve përkatëse përfitime në zhvillimin ekonomik e përmirësimin e nivelit të jetesës.

Please follow and like us: