LAÇO – NJERIU I LETRAVE, POLITIKËS DHE DIPLOMACISË
Halil RAMA – Mjeshtër iMadh
- Prej gjashtë vitesh, letrave shqipe u mungon njëri prej shkrimtarëve më të shquar, kulturës kombëtare i mungon një kalorës fisnik, politika dhe diplomacia shqiptare ndjejnë mungesën e politikanit dhe diplomatit të urtë Teodor Laço.
- Nëse do të jetonte sot Teodor Laço, një prej figurave të shquara intelektuale e krijuese shqiptare, do të mbushte 86 vjet. Por vdekja para gjashtë vitesh vitesh (15 tetor 2016) ia ndërpreu jetën e veprimtarinë e tij të shumëfishtë.
NDËR EMRAT MË TË SPIKATUR TË LETËRSISË,
POLITIKËS DHE DIPLOMACISË
Prej gjashtë vitesh, letrave shqipe u mungon njëri prej shkrimtarëve më të shquar, kulturës kombëtare i mungon një kalorës fisnik, politika dhe diplomacia shqiptare ndjejnë mungesën e politikanit dhe diplomatit të urtë Teodor Laço.
Ai zë vend nderi në historinë e letrave shqipe, si një prej shkrimtarëve më të shquar dhe përfaqësues i letërsisë bashkëkohore shqiptare, që përveç përvijimit të një profili modern në krijimtarinë letrare, nuk u tregua indiferent edhe ndaj zhvillimeve demokratike, duke u kthyer në një nga zërat kryesore në jetën parlamentare shqiptare.
U mbushën gjatë vite që kurse botës së mendimit i mungon ky intelektuali i shquar, vizionar dhe kurajoz, i cili së bashku me kolegët e tij do ta shndërronin Kinostudion në verën e vitit ‘90 në djepin e mendimit liberal për kohën. Gjashtë vjet që politikës i mungon ministri i aftë dhe kompetent i kulturës, njëri ndër themeluesit e Partisë Socialdemokrate, ish-themeluesi dhe kryetari i Partisë Bashkimi Social Demokrat (sot Bashkimi Liberal Demokrat).
Laço ishte dhe mbetet simbol i politikanit të arsyes, luajal ndaj vlerave dhe parimeve që besonte… Ai ka lënë pas një trashëgimi të vyer në të gjitha fushat ku kontribuoi. Kontributet e tij kanë qenë të spikatura që nga periudha kur hyri në kulturën dhe letërsinë tonë, por edhe në nxitjen e proceseve demokratike.
“THËRRIME” NGA “THESI POETIK” I LAÇOS
Teodor Laço, me korpusin e tij letrar, që përfshin mëse 50 tituj romanesh, vëllimesh me tregime, dramash, komedish e kujtimesh, zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe. Si romancier, tregimtar, dramaturg, komedian, esseist, komentator, opinionist e politolog, ai padyshim njihet nga lexuesi shqiptar, por dhe ai i huaj ku është përkthyer, si një nga kolosët e letrave shqipe.
Por nëse, në këto gjini, Laço radhitet me elitën krijuese të kombit, ai si poet njihet pak. Jo se nuk ka shkruar poezi, por ato i ka ruajtur si “thesare” të laboratorit të tij krijues.
Por pikërisht, në pragun e 80-vjetorit të lindjes së tij, (29 shtator 2016) nga labirintet e këtij laboratori arritëm të zhbirojmë talentin e tij të rrallë edhe në poezi. Poezi të shkruara në harkun kohor të pesë dekadave, përmbajtja e të cilave rrok hapësira të gjera dhe përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën tonë.
Mjafton qoftë edhe një lexim i vëmendshëm për t’u mrekulluar me poezinë e Laços që është poezi përqëndrimesh dhe me karakteristika shumë të sakta, përsa i përket formës dhe kompozicionit, si p.sh tek vjersha e titulluar: “MOTIV LASGUSHIAN” (kushtuar bashkëshortes, MIRJANËS): “Më trokite prej së largu/ me një degëz dashurie/ miturisht e çmendurisht/ më vjen natën si një hije./ Grua je a lozonjare/ kërkon prehje apo halle/ qofsh çapkëne apo manare/ ti më vdiqe, ti më ngjalle….”.
Apo dhe tek poezia: “KAFENETË E TIRANËS” :“Kioska, kafene/ kryqëzime kryefjalësh/ kryeqendra kryeqyteti/ Pagat në pus/ Çmimet në qiell/ raca e çuditshme/ shtyn ditën,/ vret kohën kafeneve…./ Edhe një kafe e pimë/ një “koka”, një çaj/ Bajmë fjalë/ qeveria të rrëzohet/ duhet të bjerë/ qeveri e mjerë! /…nga kioskat tryeza: /qeverisim më mire/ pak kryeministër/ pak president/ lumi i nxori në breg/ ne lundrojmë në pritje me turmën!…”
Gjen në poezitë e tij tituj shumë intrigues që të bëjnë për vete që në krye të herës. Mendimin e thellë filozofik të këtij gjeniu krijues e dallon qoftë dhe në vargjet: “O, si hesht, si nuk pëlcet zemërimi/I lidhur në prangat e durimit!….”
Në tërësinë e tij, ky cikël (si edhe qindra vjershat e pabotuara të Laços), shpalos profilin poetik të një poeti me ndjeshmëri të lartë, me teknika vjershërimi midis tradicionales dhje modernes e postmodernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.
Këto risi të poezisë së tij mund t’i dallojmë më së miri në vargjet e vjershës me titull: “Pendim”: “Kur zë e ngryset dita e përhime/ dhe nisin të përgjumen plot vegime/ ca mllefe, ca inate, ca metime;/ Një tog me hi, një mal zhgënjime/ Filloj i flas e vras vetveten time…/ Pse rashë pre e kotësisë/ e kohëhumbjes, rastësisë/ e rrethit mëkatar të prapësisë/ ku plot shtriganë të babëzisë/ Shtrëngojnë lakun e fatkeqësisë?/ Kur zë e ngryset dita e përhime/ filloji i flas e vras vetveten time….”
Apo dhe te poezia:“FUNDSHEKULLI SHQIPTAR”: “Tymtarët e krimit/ vjellin shtëllunga…/ qiell i mbyllur, i blozët/ hedh shira blozë./ Tymtarët e kartës/ brerojnë breshër rrenash/ tymtarët e gojës/ cipën e ndrangur hedhin…/ Fundshekulli shqiptar/ ceremonial pambarim/ i kortezhit të shpresave…..”.
Ky cikël, të cilin personaliteti i shquar i letrave shqipe ma besoi mua për ta botuar në ndonjë gazetë letrare, disa muaj para se ai të mbushte 80 vjeç (që u botua në “NACIONAL”), do të përbënte embrinon e vëllimit poetik “Hapjani dritaren pulëbardhës”, të cilin familja e tij e botoi tetë muaj pas ndarjes nga jeta të Teodor Laços. Siç është shprehur poeti Bardhyl Londo, vetë titulli i poezisë “Hapjani dritaren pulëbardhës” që shërbeu si titull i librit është një metaforë që të gozhdon menjëherë. “Një himn për dashurinë, mirësinë, humanizmin, shpirtin lirik. Pulëbardha është pastërtia njerëzore është humanizmi, dashuria, dhembshuria, miqësia, lirizmi, shpirt i pavdekshëm dhe i panjollosur nga djallëzitë dhe paudhësitë e përjetshme njerëzore. kësaj pulëbardhe simbol duhet t’ia mbajmë gjithmonë derën hapur, të mos ia mbyllim kurrë edhe kur shfryjnë erërat e ftohta dhe të tërbuara të dimrit të egër. Pulëbardha është vet shpirti i Teodor Laços, që do të na trokasë gjithmonë në dritare”, shprehet B.Londo. Dhe në të vërtetë: “Hapjani dritaren pulëbardhës /Që stërkala shpresash po iu shkund,/ Që çan me afsh këtë qiell mardhës dhe zgjon e ngre e shkund e mund…”, është një imazh i rrallë, me një lirizëm dhe humanizëm që shok ka vetëm veten. Vargu i fundit vjen si një kreshendo shpërthyese që godet, ngre stërkala, shkumëzon: është një varg, i cili nga mënyra si është ndërtuar të kujton gjithmonë për mirë mjeshtërinë e Lasgushit dhe të Nolit. Madje, sipas Londos: “Interesi i Laços për të shfrytëzuar hapësirat artistike, që t’i jep vetëm poezia, për më tepër se intuitën e lindur të një prozatori, të sjell ndër mend kërkimet këmbëngulëse të një poeti të talentuar që është vazhdimisht në lëvizje në udhën e vet poetike. Sensi i masës dhe hapësirës së fjalës, ngjyrimi stilistik, përdorimi i tingëllimit të saj për të bashkuar hapësirën vizive me tingëllimin kumbues, veti të vyera këto të Teodorit prozator, në poezi arrijnë të marrin dhe të fitojnë një hapësirë të re, hapësirë që shpesh herë të detyron t’i rikthehesh poezisë sërish. Dhuntitë që Laço si prozator i ka me shumicë, e ndihmojnë që në poezitë më të mira të krijojë imazhe të goditura, të cilat imponohen, të ravijëzojë situata poetike ku imazhi gërshetohet natyrshëm me një ritëm dhe muzikalitet elegant ku imazhi flet me gojë, këndon kumbon me një harmoni të plotë solide”.
KUJTIME PËR KOHË TË SHKUARA DHE NOSTALGJI RINIE
Todi siç e thërrisnin miqtë, me një diplomë në bujqësi, për të cilën punoi si agronom për një periudhë të shkurtër në vendlindje, Korçë, do t’i përkushtohej letrave në fillim viteve 60-të.
Është autor i shumë romaneve, novelave, përmbledhjeve me tregime, dramave, komedive, skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë. Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmimet më të larta që jepen në Shqipëri, ndërsa pjesë të rëndësishme të veprës së tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja.
Pas viteve ‘90 është angazhuar edhe në jetën politike të vendit; për dymbëdhjetë vjet ka qenë deputet në parlamentin shqiptar, ministër i Kulturës në vitet ‘94-‘97 dhe ka përfaqësuar shtetin shqiptar si ambasador në Federatën Ruse.
Gjatë dy dekadave bashkëpunimi të ngushtë me kolosin e letrave shqipe T.Laço (1996-2016), në memorien time janë skalitur kujtime për kohë të shkuara dhe nostalgji rinie, punë dhe përpjekje mes njerëzve të dashur, miqve dhe shokëve, prej të cilëve (siç shprehej ai me modesti), një pjesë të mbeten bashkudhëtarë dhe plot të tjerë, kanë kohë që kanë shkuar nga kjo botë duke lënë pas kujtimet.
Por për një shkrimtar të mirënjohur si Ai, jeta dhe bota, fare mirë mund të vijnë edhe përmes letërsisë së shkruar dhe botuar ndër vite, si një dritare e së shkuarës dhe të tashmes.
Ai u lind dhe u rrit në Dardhë të Korçës. Në atë fshat që sipas tij, nuk ka të dytë; “në fshatin tim malor,- do shkruante në një tregim,- netëve të verës, qielli është një magji që mund të mrekullojë edhe shpirtrat e thatë. Gjithësia e hap gjirin në një tejdukshmëri të ndritshme dhe atëherë, etja të duket më pranë së kurrë me hënën e madhe që lëviz si mbi një lundër në detin e errët të kreshtës mbi korijen e Shën Pjetrit, me yjet e mëdhenj që vezullojnë dritë shkëlqyese, me yjet e vegjël që regëtijnë në të venitur, me yjet që bien e digjen, duke ndjellë trishtim për jetët që shuhen”.
Në fushën e letërsisë, veprat e tij do të përbënin një zgjedhje të preferuar për lexuesit që më tregimin “Malaji” e deri në romanin e fundit “Gropas 67”, botuar në 2014.
Në gjithë krijimtarinë e tij, Teodor Laço, krijoi karaktere të çdo kohe, e disa prej tyre u mishëruan edhe në prodhime të Kinostudios Shqipëria e Re, si “Përballimi” “Shi në plazh” etj.
VEPRA LETRARE E LAÇOS KA VEND PËR ANALIZA TË THELLA
Në letërsinë e Laços lëvrijnë pafundësisht vajza dhe gra, studente dhe gjeologe, agronome dhe fshatare, mjeke dhe artiste. Të dashuruara dhe fatkeqe. Me dramë të jashtëzakonshme si partizania e plagosur që përdhunohet prej Demos, deri edhe e vdekur, apo me fund të lumtur si Ana, tek tregimi me një antagonizëm dashuror të jashtëzakonshëm kur njeriu provon ta zgjojë atë tek vetvetja e harruar dhe e fjetur, apo “Ngrohtësia e të tjerëve”.
Në veprat poetike e prozaike, dramaturgjike apo studimore të Laços ndërthuret një lëndë letrare shumëngjyrëshe me dramaticitet drithërues, plot shpirtëzime estetike që bulojnë nga brendia e përmbajtjes. Siç është shprehur shkrimtari Andon Andoni “vepra letrare e këtij shkrimtari ka vend për analiza të thella dhe që, duke iu qasur asaj në tri dimensione, të kohës së shkrimeve, gjedheve dhe llojeve të gjinive letrare që lëvroi, si dhe tematikës së gjerë që trajtoi në to, do të përmbushej një boshllëk i madh që kritika letrare në veçanti, por dhe studiuesit e fushës së letërsisë në përgjithësi, u kanë borxh letrave shqipe të më se një treçerek shekulli”. Madje sië është shprehur prof. Zymer Mehani: “Në krijimtarinë e shkrimtarit Teodor Laço kritika ka veçuar vërtetësinë dhe prirjen për zhbirime psikologjike të botës së njeriut të mirë e altruist, vizatimin e karaktereve me penelata të holla, lirizmin që nuk mungon as kur subjekti shtjellohet në situata konfliktesh, përshkrimin poetik të natyrës. Metafora e tij më shprehëse duket se kërkohet te bardhësia e borës dhe trishtimi i mjegullës. Krijimtaria letrare e shkrimtarit Teodor Laço Teodor Laço, ndër emrat më të njohur në letërsinë shqiptare, përfaqëson në të njëjtën kohë një nga ato dukuri të rralla kur shkrimtari lëvron me sukses në disa fusha të letrave.
NË DIPLOMACI, SI AMBASADOR NË FEDERATË RUSE
Teodor Laço e mbylli karrierën e tij si ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse (2006-2008). Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me të ashtuquajturit “diplomatë të karrierës”, promovimi i të cilëve ndjek rrugën e zakonshme të ngritjes nga një gradë diplomatike në tjetrën. Por Laço me meritë e fitoi edhe këtë titull, duke përfaqësuar denjësisht shtetin shqiptar në Federatën Ruse. Sidomos në këtë shtet të madh ai u angazhua dhe ia arriti të promovojë një nivel të lakmueshëm kulturor.
Ashtu si nobelistët Miguel Anhel Asturias, Octavia Paz etj., që njihen edhe si ish-ambasadorë të Amerikës Latine në Francë, edhe Laço ynë përfaqësoi në Moskë modelin shqiptar të diplomatit Me bindjen se angazhimi i krijuesve në diplomaci, gjithsesi, paraqet sfida të shumta, Laço qe ndoshta nga të rrallët ambasadorë që diti të ndërtojë një raport të drejtë midis pasionit kryesor të tij që ishte krijimtaria dhe detyrës shtetërore.
Për të, një nga rastet kur i është dashur gjithë gjakftohtësia dhe vendosmëria për ta kaluar, ka qenë koha që u shpall Pavarësia e Kosovës, kur në selinë e ambasadës shqiptare në Moskë erdhi një kërcënim për vendosje bombe, i cili u shoqërua me protesta pas bllokut të ambasadës. Këtë moment tejet të vështirë, ish-ambasadori Laço e menaxhoi me përpikërinë maksimale. Gjithsesi, si sukses të tij gjatë atyre dy viteve mund të përmendim diplomacinë kulturore.
Por ato dy vite, pa iu shmangur fushës së letrave, i shërbyen shkrimtarit dhe diplomatit Teodor Laço për të skeduar librin “Një dritare në Kremlin – Nga Hrushovi te Putin”, që do ta botonte disa vite pasi kishte dalë në pension, duke i ardhur kështu në ndihmë lexuesit për të hapur një dritare në kështjellën që rusët e quajnë Kremlin, me një brendësi plot mistere. Kështu, dy vitet si ambasador në Moskë Laço iu përkushtua historisë, arkivave, shtypit, librave të botuara, që mëtojnë se kanë zbuluar shumëçka nga ngjarjet që kanë ndodhur brenda mureve të Kremlinit në 50 vitet e fundshekullit të kaluar.
Nëse do të jetonte sot Teodor Laço, një prej figurave të shquara intelektuale e krijuese shqiptare, do të mbushte 86 vjet. Por vdekja para gjashtë vitesh vitesh (15 tetor 2016) ia ndërpreu jetën e veprimtarinë e tij të shumëfishtë.
Ai ka studiuar Agronomi në Universitetin e Tiranës. Ka filluar të botojë që prej viteve ’60. Për kontributin e tij intelektual, krijues e veprimtar Teodor Laço mban “Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë”, “Çmimin e Republikës” si dhe emblemën “Qytetar Nderi” i Qarkut të Korçës.