Albspirit

Media/News/Publishing

“Mirënjohje” titullohet koncerti recital i kantautorit Gjergj Leka

“Mirënjohje” titullohet koncerti recital i kantautorit  Gjergj Leka, në 60 vjetorin e lindjes së tij dhe 45 vjetorin në skenë.

Ky ishte një koncert, i cili bëri bashkë nostalgjinë dhe të ardhmen, ku pjesëmarrës ishin këngëtarët më në zë të para viteve ’90, por edhe shumë talentë të rinj, të cilët i sollën mjaft bukur këngët ndër vite. Kantautori Gjergj Leka ideimin e këtij recitali e përcolli shumë bukur dhe me mjaft emocion, por  edhe moderimin e gjithë koncertit, duke rrëfyer fillimet e karrierës, sukseset e tij të para, jetën në Itali, rikthimin në skenë, por edhe misionin që ai ka për të mbajtur gjallë vlerat e muzikës  shqiptare. Ai nuk është dakord me shprehjen e famshme se jeta nis 40 vjeç, sepse këtë e patën thënë autorë amerikanë me libra motivues që në fillim të viteve ’30 të shekullit të kaluar, madje e bënë film  me të njëjtin titull.

Sot gjen me qindra artikuj psikologjikë me argumente se përse jeta e vërtetë nis  në këtë moshë. Por jo për Gjergj Lekën, jeta e të cilit nis pas të të gjashtëdhjetave. Nuk ka argument më bindës sesa kremtimi i ditëlindjes së gjashtëdhjetë me ketë koncert recital, që nuk ndalet vetëm te nostalgjia e së shkuarës, por materialet muzikore erdhën mjaft bukur, madje janë këngë që i kanë rezistuar kohërave, duke ardhur edhe më të freskëta, të interpretuara nga brezat e rinj. Ky koncert u  transmetua në televition, në ditën e lindjes së  kantautorit Gjergj Leka më 8 tetor.

Gjergj Leka  u shpall  fitues në Festivalin e Pranverës në vitin 1985, me këngën e tij “Në duart e nënës”, të cilën ai e veçon si ndër krijimet më të mira, që ia dedikoi nënës, mexosopranos dhe dirigjentes së parë grua në Opera, Rozmari Jorganxhi. Gjergji ka treguar për publikun se këngën e  shkroi në repartin ku kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ishte një ndjesë nga shpirti për gabimet. Këngëtari i njohur  Bashkim Alibali u kthye në bashkëpunëtor të pandarë i Gjergjit, me disa këngë të përjetësuara tashmë në repertorin e muzikës së lehtë shqiptare. Bashkim Alibali ndër të tjera është shprehur përpara interpretimit të tij:

“Unë pata fatin që të këndoja dy këngë të Gjergjit, me tekst të së madhes Zhuljana Jorganxhi  “Në duart e nënës” dhe “Për ty baba” . Mua më kujtohet në këto momente kur e kam njohur shumë afër babain e Gjergjit, një njeri me një diapazon shumë të pasur të inteligjencës, një njeri që e njihte mirë edhe muzikën klasike, një njeri që kishe dëshirë që ta dëgjoje kur fliste, buronte vetëm dituri, gjithashtu  edhe nënën e Gjergjit, artisten Rozmari Jorganxhi” ka thënë Alibali.

Me një gjyshe triestine nga ana e të atit, Kostandinit, muzika italiane e përkundi dhe e rriti këngëtarin shqiptar Gjergj Leka. Falë gjyshes, ai fliste rrjedhshëm italishten. Fat i madh ishte edhe fonoteka e bollshme që kishte familja e tij me operat, operetat e këngët italiane që i dëgjonin familjarisht. Kjo fonotekë po e ndihmon edhe sot  kantautorin Leka për të realizuar programin e tij “Na ishte njëherë muzika”.

Gjergj Leka është një nga ata kantautorë  që e dinte rëndësinë e madhe të lirikave. Ndaj bashkëpunimi me tezen e tij, poeten Zhuliana Jorganxhi, një yll i shumëkërkuar nga kompozitorët e kohës për tekste këngësh, u bë përtej gjakut edhe një lidhje arti.

Prindërit e Gjergjit, Kostandin Leka, ishte me profesion fizikan, por pasioni nuk e mbajti larg artit, duke iu dedikuar letërsisë, veçanërisht asaj fantastiko-shkencore. Ndërsa e ëma, Rozmari Jorganxhi do të mbahet mend si gruaja e parë dirigjente e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Me ndryshimin e sistemeve  Gjergj Leka vendosi të largohej drejt Italisë, i ndjekur më vonë nga e gjithë familja, e cila ndante rrënjët italiane. I ndruajtur fillimisht se nuk do ia dilte dot me nivelin e muzikës në shtetin e dashur përtej detit, me kohë kuptoi se formimi akademik dhe veprimtaria muzikore që kishte kryer në Shqipëri, njohja e muzikës ndërkombëtare dhe e gjuhëve të huaja, ishte në fakt një armë e fortë. Por Gjerrgji u rikthye sërish në Shqipëri në skenat e festivaleve.

Një nga sipërmarrjet më të mëdha ka qenë ajo e ruajtjes së vlerave të muzikës së mirë dhe përpjekjes për të mos lënë në harresë këngëtarët që shkruan historinë e muzikës shqiptare, por edhe kthimi në një shkollë të vërtetë për të rinjtë e talentuar. Puna e tij e përhershme me  koncerte, programe televizive dhe përgatitjen e talenteve të rinj, i është kthyer në të vetmin mision që ai ka në jetë.

Please follow and like us: