Albspirit

Media/News/Publishing

Në Shkup nis botimi i revistës për kulturë dhe dije “JUVENILJA”

Shkup, 14 tetor 2022 – Në hapësirën kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut këto ditë nisi botimi i revistës  mujore për kulturë dhe dije “Juvenilja”. Kjo revistë, me seli në Shkup, drejtohet nga një redaksi e zgjedhur me emra të shquar të kulturës dhe të artit shqiptar. Kryredaktor i saj është publicisti dhe shkrimtari Emin Azemi.

‘JUVENILJA vjen me një rreth të gjerë bashkëpunëtorësh, të cilët janë autorë profilesh të ndryshme nga letërsia, albanologjia, kinematografia, teatrologjia, eseistika, filozofia, antropoligjia, arkeologjia, etj.

“Revista mujore JUVENILJA që po starton në Shkup nuk është një risi, por as shkëputje nga zhvillimi paraprak i veprimtarisë botuese në gjuhën shqipe në këtë krah të kulturës shqiptare. Përkundrazi, kjo revistë vjen si shtytje e natyrshme e impulseve të reja kreative për të dinamizuar jetën kulturore edhe me një dritare të re, prej nga do të shikohet pak më ndryshe prodhimi letrar e kulturor i autorëve të këtij krahu, të cilët pa të drejtë nuk përfshihen në qasjet integrale të letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.

JUVENILJA do të jetë kryekëput një agorë e lirive krijuese në letërsi, eseistikë, kritikë, filozofi, antropologji, teatër, film, etj. Do të nxisë para së gjithash kreativitetin individuial dhe kapacitetet krijuese të autorëve nga Maqedonia e Veriut, duke u dhuruar atyre një kënd të ri ku do të mund të risistemohej kierarkia e vlerave tona.

JUVENILJA do të mbështesë autorët e afirmuar dhe do të promovojë autorë të rinj. Do të ndjekë produksionin letrar, teatror, kinematografik e figurativ të krijesve tanë, sepse  synim i saj është zgjerimi i hotizontit të shprehjeve dhe rezonimeve.

Në kudër të revistës JUVENILJA do të themelohet edhe një çmim letrar për nxitjen e kritikës dhe eseistikës letrare, dramaturgjisë e prozës shqipe, e që do të jetë si një kurorë e një manifestimi tradicional-tematik, me theks të posaçëm nxitjen e mendimit kritik dhe prodhimin dramaturgjik të autorëve tanë”, shkruan, ndër të tjera, në fjalën hyrëse kryeredaktori i saj Emin Azemi.

Revista “Juvenilja” do të shpëndahet në mbarë hapësirën shqiptare dhe në diasporë. Por, fillimisht lexuesit mund ta gjejnë në Shkup, Tetovë, Strugë, Prishtinë, Tiranë, Shkodër e Korçë. Së shpejti ajo do të jetë pjesë e bibliotekave nacionale, si edhe në bibliotekën e Kongresit Amerikan në Washington.

Nga viti i ardhshëm, kjo revistë do të ketë edhe një edicion elektronik, me qëllim të vënies në dispozicion të një rrethi më të gjerë lexuesish dhe krijuesish.

Please follow and like us: