Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Shahu: KUR NUK TË SHEH SYRI I PARTISË

REXHEP SHAHU, botuesi i revistës illz

(Festivali letrar i Tiranës, illz, revistë letrare e Tiranës dhe antologjia poetike ballkanike ‘Diell pa hije’ me 54 poetë nga 12 shtete të Ballkanit…)

Kjo nuk është lutje për qeverinë në asnjë rrethanë. Në Tiranë këtë fillim tetori u bë një festival letrar me shkrimtarë shqiptarë të zgjedhur pleq të rinj, të rinj dhe shkrimtarë nga Ballkani e më tej. Në një nga këto ditë të festivalit, me 6 tetor u takova për kafe me shkrimtarin shqiptar të Maqedonisë Lulzim Hazirin dhe ia dhashë Antologjinë e poezisë ballkanike me titull ‘Diell pa hije’, me 54 autorë nga 12 shtete të Ballkanit të përzgjedhur e të përkthyer nga Ramadan Musliu e të botuar prej meje me shtëpinë time botuese Klubi i Poezisë, pasi Luli është pjesë e saj dhe i dhashë edhe një komplet të illz, revistë letrare e Tiranës ku ai është botuar.

Teksa rrinim në kafe, Lulzimi thirri edhe poetin maqedonas Nikola Maxhirov, i cili është pjesë e kësaj antologjie dhe ia dhashë edhe atij një antologji. Ai u mrekullua dhe më dha shumë falenderime. Ndersa flisnim të tre, Lulëzimi foli si vetmevete, po derisa ne si shkrimtarë ballkanas jemi mbledhur të flasim edhe për fqinjësinë…, pse të mos prezantohet kjo antologji e poezisë ballkanike ku janë bashkë 54 shkrimtarë ballkanas. Unë nuk e kisha menduar këtë gjë aspak, nuk dija për këtë festival asgjë, sepse duket ai festival bëhet për shkrimtarët që i sheh syri i partisë, syri i ministrive, ministreshave e drejtoreshave te partisë në pushtet. Ndaj as kam pritur as pres nga partia e shteti që pothuaj gjithmonë janë njëlloj, nuk i shohin vlerat, u ikin e u fshihen atyre, nuk jetojnë dot me to. Por veç po them se prezantimi i kësaj antologjie para shkrimtarëve ballkanas do të ishte sofra më e bukur për ta, pasi ata do ta shihnin begenisjen që u ka bërë gjuha shqipe e do të krenoheshin njëmijë fish më tepër. Antologjia ballkanike ka shkuar te mjaft shkrimtarë ballkanas, por do të ishte bukur të paraqitej si arritje shqiptare në këtë festival letërsie, pasi ndodheshin në Tiranë disa shkimtarë ballkanas, tre a katër prej të cilëve janë të përfshirë në këtë antologji e do të ishte nder për ta e nder për shtetin, do t’i zbardhej ndoshta pak fytyra shtetit shqiptar që lincon me heshtje e mospërmendje këtë antologji dhe revistën illz, reviste letrare e Tiranës. Po ta kishin bërë këtë antologji ata që bëjne festivale do të thyheshin ekranet e mikrofonat, por këtë antologji dhe këtë revistë letrare i ka bërë dashuria që është fuqi e privilegj i të paktëve.

Po pse të mos promovohet kjo revistë në këtë festival letërsie… Kjo revistë me emrin illz, revistë letrare e Tiranës përderisa festivali bëhet në Tiranë…

A mund të ketë qerasje më të mirë, nderim më të madh për shkrimtarët ballkanas se sa t’u lëshosh në duar antologjinë ballkanike me 54 poetë ballkanas dhe revistën illz, revistë letrare e Tiranës ku ata gjejnë veten e shokët e tyre… Besoj ata do të ndjeheshin mirë dhe shteti shqiptar, zyrtarët e tij do të mburreshin e do të krenoheshin. Por zyrtarët liliputë të shtetit nuk kanë fuqi të gëzohen, të krenohen, të mburren, të lavdërojnë e të pranojnë punët e të tjerëve që nuk janë të vathës së tyre.

U ndamë më Lulin e Nikolla Maxhirovin dhe unë vazhdova të flas me vete. Nuk kam patur as kam pritje nga institucionet përjashtuese të shtetit që janë ndoshta në nivelin e para 1900-tës, por më vjen keq për shtetin tim torollak. Asgjë më të bukur nuk do të kishte se sa të promovohej para shkrimtarave ballkanas Antologjia poetike ballkanike me titull Diell pa hije, që e ka përgatitë Ramadan Musliu dhe e kam botuar unë me mbështetjen e humanistit deputet Flamur Hoxha, Asgjë më e dinjitetshme dhe e fisshme nuk nuk do të ishte se sa të prezantohej kompleti i revistës illz, revistë letrare e Tiranës me 39 numrat e saj me 10 mijë faqe B/5, me mbi 2500 shkrimtarë nga gjithë bota, me mbi 100 shkrimtarë nga Ballkani. Por jo, do duhej që të mos jem unë botuesi e kryeredaktori i kësaj reviste, të mos jetë miku im Izet Duraku drejtor i kësaj reviste që e sponsorizon fisniku Flamur Hoxha.

Festivalbërësit mund të bëjnë gjithçka, mund të pikturojnë fytyrat e tyre në portretin e Tiranës por nuk mbeten në historinë e letërsisë shqipe para revistës illz, revistë letrare e Tiranës që sado ta shmangin, përjashtojnë e ta fshehin, nuk e tresin e zhdukin dot, pasi Tirana e vertetë krenohet me revisten illz, revistë letrare e Tiranës që partia nuk e sheh as me cep të syrit të majtë as të djathtë. Urrejtja, përbuzja, linçimi, ndarja, përjashtimi janë të thella. Nuk u hyn në sy as titulli e nëntitulli i revistes illz, reviste letrare e Tiranës, pasi dikush mendon se Tiranën nuk e kanë gjetë këtu ku është por e kanë sjellë me vete… për ta sunduar se nuk jetojnë dot të lirë në të se u duket e huaj. Lutem, kjo nuk është lutje për qeverinë në asnjë rrethanë.

Please follow and like us: