Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Kallamata: Ana tjetër e dhimbjes

Ndoshta shqipja është pak e kursyer me asnjëanësinë gjinore dhe nuk jep shumë mundësi gjithëpërfshirëse. Fjalë si “i përndjekur” (apo edhe shumësi, “të përndjekurit”) vijnë më lehtësisht në mashkullore. Gjithësesi, nuk duhet të jetë vetëm gjuha, por edhe një thyerje brenda ndërgjegjes sonë kolektive që na ka bërë ta shohim (edhe në rastet kur kemi dashur ta shohim) atë plagë të tmerrshme si padrejtësi historike që iu është bërë kryesisht burrave.
Ne flasim e lexojmë (gjithmonë më pak se duhet) për të përndjekurit e regjimit, për të burgosurit politikë, për të internuarit, për figura anti-komuniste ose thjesht mendjehapura që kanë vuajtur trajtën më të ashpër, më të pashpirt të egërsisë njerësore. Janë më së shumti burra, ndërkohë që rrallëherë kujtohemi për atë dhimbjen tjetër të madhe, dhimbjen e grave dhe vajzave, e foshnjave, fëmijëve, që vuanin përkrah tyre.
Pikërisht këtë ka dashur të na kthejë në kujtesë Bujar Alimani me filmin e tij dokumentar “Fluturat”, që iu çfaq ditën e shtunë, në datën 15 Tetor, 2022 për shqiptarët e Torontos në një nga teatrot e Kinemave Cineplex në Etobiko.
“Flutrat” e Alimanit është ajo ana tjetër e dhimbjes, anë që ose nuk e njohim, ose e mbajmë të ndrydhur në vetëdijen tonë shoqërore. Është drama stërmadhe e gjithë atyre familjarëve të të burgosurve që jetuan, shpresuan dhe pritën me zemër të dridhur fatin e tyre dhe të të afërme të tyre nga sektorët e internimit. Ne kemi folur (kurrsesi aq sa dhe si duhet) për gjyqet e sajuara, për dënimet e pajustifikuar, për torturat e paligjshme, për vrasijet mizore në burgje. Por pak, shumë pak jemi ndalur te vuajtjet e familjarëve, te inkoherencën logjike e internimeve, te mungesa e plotë e justifikimit ligjor për vendimet që shkatërronin plotësisht aq shumë jetë njerëzish të pafajshëm.
“Fluturat” është mozaiku i ndjenjave jetësore të 21 grave dhe vajzave që rikujtojnë tmerrin e fëmijërisë dhe rinisë së tyre në sektorin e internimit në Gradishtë të Lushnjes. I gjithë filmi është një klithmë, të cilën Alimani dhe, natyrisht edhe vetë zonjat protagoniste, kanë arritur ta japin qetë, bukur, plot dinjitet. Nuk është bërtitje, nuk është ekzagjërim, nuk është shfrehje e pakontrolluar ndjenjash, megjithese të gjitha këto do të ishin plotësisht të justifikuara për vuajtjet që ato kanë kaluar.
Me një gjuhë të pastër dhe tejet elokuente, me emocion të përmbajtur trimërisht, gratë e intervistuara qëndrojnë me rradhë përpara kamerës dhe paraqesin akuzën e tyre ndaj një sistemi, një shoqërie që në mënyrën më të përbindshme i vinte etiketën armik foshnjeve të porsalindura, përndiqte, përbuzte, torturonte dhe mundohej t’i shkatërronte ëndrrat fëmijëve të pafajshëm, iu vriste adoleshencën vajzave të reja që s’i kishin bërë dëm kërkujt në jetë. Ato risjellin në kujtesë punën e rëndë, kushtet e papërballueshme, mungesat e mjeteve më të domosdoshme të jetesës dhe, mbi të gjitha, trajtimin çnjerëzor nga shumë prej atyre që kishin përreth. Flasin për tmerrin që ngjallte ardhja në intervale të rregullta të “xhipit” të Degës së Punëve të Brendshme për të arrestuar ndonjë prej baballarëve apo vëllezërve të tyre, për shpirtvogëlsinë e brigadierit që i detyron të punojnë të zhytura në ujë e baltë pa asnjë shpërblim, për cinizmin e drejtorit të shkollës që gjen kënaqësi në torturimin e një nxënëseje krejtësisht të pafajshme. Tregojnë për mallin e papërballueshëm për etërit e burgosur, torturuar e vrarë, për udhëtimet e gjata dhe cfilitëse drejt burgjeve për t’iu çuar të afërmve pak ushqim, ndërkohë që shtëpinë pas i kanë lënë bosh.
Artistikisht Bujar Alimani është në të njëjtin hap me mesazhin që përcjellin personazhet e tij. Kamera, në dukje statike dhe e paangazhuar, iu le grave hapësirë të plotë të shprehin vetveten. Ai di të kombinojë bukur intervistat me pamjet e kursyera filmike nga e kaluara dhe ato origjinale. Dokumentari ka një ritëm të brendshëm dhe nuk të lodh. Përkundrazi, të bën ta ndjekësh me një frymë.
“Fluturat” është një dëshmi e gjallë e asaj ane të dhimbjes së shoqërisë shqiptare që ne nuk duhet ta lemë kurrsesi në harresë. Pranimi dhe kujtesa kolektive e një krimi monstruoz është më e pakta dhe, njëkohësisht, më e domosdoshmja që ne si shoqëri mund dhe duhet të bëjmë jo vetëm për të respektuar ata që kanë vuajtur, jo vetëm për të pastruar ndërgjegjet tona, por edhe për t’i shërbyer vetvetes, për të mos lejuar përsëritjen. Filma si “Fluturat” duhet të jenë pjesë e programit mësimor në shkolla.
Në këtë vështrim është për t’u çmuar veçanërisht nisma e dy organizatave të komunitetit shqiptaro-kanadez në Toronto, Albanian Canadian Development Alternative, themeluar nga Rudin Dakli dhe RH Scholarship themeluar nga Rej Haxhillari që e sollën filmin për shqiptarët e Torontos. Nëse filmi do ishte në DVD shumë prej nesh, të pranishmëve, do të ishim të lumtur të kishim një kopje të tij në shtëpitë tona.
Please follow and like us: