Miho Gjini: RIPËRTËRITJE E ‘KOMEDISË SË ARTIT’
Një aritje e mrekullueshme u duk në Festivalin Botëror të Teatrit, që po zhvillohet në Elbasan, me organizimin tradicional prej Artistit Pasionant Adonis Filipi, nga aktorët e ardhur nga Roma CINZIA GRANDE e ANDREA LATTARI, nëpërmjet interpretimit të dy personazheve tipik të “Comedia del’Arte” të Rilindjes Italiane. Si një traditë me vlerë të madhe e njerëzimit, shtatë shekuj më parë, ku e qeshura përbënte tiparin kryesor të jetës, si fenomen shoqëror, në sfidimin e fshikullimin e së keqes. Kur jeta dhe arti, thuajse ishin njësuar në atë harmoni, sa Teatrit i dhanë një nga vlerat më të mëdha: DOBINË SOCIALE, si “Institucion shëtitës”, midis njerëzve dhe për njerëzit! Këta dy personazhe të pavdekshëm të komedisë, kujtohen edhe sot me nderime (përmes Historisë së Artit, po realisht edhe nëpërmjet Skenës), sikundër ishin: Innamorata Isabella, për guximin e saj të daljes në skenë, pas errësirës së mesjetës, duke tërhequr pas vetes edhe dhjetra-qindra vajza e gra të tjera në podiumin e skenës, po edhe nëpër rrugë e sheshe pubike, si edhe Francesco Andreini, dramaturg, regjisor e aktor njëherësh, kontributi e vizioni i të cilëve pruri evente të reja e revolucionarizuese në modernizimin e Artit Skenik e të vet Teatrit si institucion.
Së pari, për tonalitetin gazmor, si superioritet në jetën njerëzore, tek po mposhtej frika, droja e një shoqërie të shëndetshme, të sapo dalur nga “vargonjtë e mesjetës”. Së dyti, nga problematika e gjerë, tiparet dhe sfidat e goditjeve thelbësore të kohës. Së treti, nga interpretimi “pa dorashka” që bënte vulgu, në adresë të shtresave parazitare të realitetit egzistues, kundër disniveleve sociale, mashtrimeve korruptive dhe veseve pa mbarim që zvetënojnë jetën përreth tyre. Po edhe së katërti, me inprovizimet e natyrshme që u shtoheshin prej vetë artistëve, në tekste e interpretime, skenare, si një mbivlerë e artit të tyre të rrallë… U portretizuan kështu tipat e mëvetshëm të personazheve kryesorë, sikundër ishin: Arlekini i shkathët, me dialektin Venecian, Pulcinella me dialektin Napolitan e Pantalone që tipizonte tregëtarët e vjetër të Venetikut. Po edhe personazhe të rrugës, që përdornin maska e bënin gallatë, bile edhe me personazhe të ndryshme grash, sikundër qe edhe Cinzia Grande në rolin e Isabellas të kësaj shfaqjeje, me trupin e saj të bëshëm e lozonjare si ajo. Po edhe me një mimikë fortë të pasur, pa dalur asnjëherë jashtë natyrësisë…
Aktorët Cinzia Grande (Isabella) e Andrea Lattari (në rolin e Francescos), të shfaqjes “UDHËTIMI I FABULOS” së Kompanisë Teatrore “Maner Manushi” të Romës, sjellin në skenë pra, figurat kryesore të “Comedia del”Arte”, si të Isabellës e të Francesco Andreinit, që revolucionarizuan jo vetëm shoqërinë e asaj kohe, po edhe vetë Teatrin si gjini. Për afro një orë, aktoria e mrekullueshme Cinzia, u vërtit në skenë si një balerinë virtuoze, me gjithë shëndetin e saj “të rrumbullakosur”, me naze e shpotitje bashkë, me shakanë e trashë në buzë e në vithe, pa mundur ta përmbajë hapësira e skenës së “Skampës”. Me një partner po aq virtuoz që interpretoi dhjetra role aty për aty, si edhe ajo, me rekuizitën e tyre në karrocën e tyre, vishu e zhvishu, duke folur e kënduar, po me aq shkathtësi edhe ndër kërcime të muzikuara, këngët e vulgut e ato të operas, me të gjitha manierat që falte kjo gjini e këndshme e shesheve dhe e rrugëve, me maska e pa maska, në atë periudhe të artë për njerëzimin, kur nisi revolucionarizimi i jetës kudo e ngado: HUMANIZMI. Ky “UDHËTIM I MAHNITSHËM” i dy aktorëve të Comedia del’Arte, mbështetur në një histori të lirë udhëtimesh nëpër botë, se ç’kishte edhe diçka reale: inprovizimin e të dy aktorëve, gjersa erdhën (me tekst!), përbri kësaj kështjelle, me emrin e lashtë “Skampa”, ku dikur, në shek. IV të erës sonë, një legjion i ushtrisë perandorake Romake qe vendosur pranë këtyre mureve (dy mijë vjeçare), të siguronin egzistencën e rrugës së rëndësishme “Egnatia”… Një dëshmi e re paqeje, nga një kohë e lashtë luftrash!… Komediantët e sotëm romakë u përkulën para publikut Elbasanas që i duartrokiti për mirëseardhjen e artin e tyre… Pa asnjë maskë!
Elbasan, më 15 tetor 2022.
Please follow and like us: