Idriz Morina: Vulini i Serbisë sërish kërkon luftë/Perëndimi duhet ta godasë këtë aleat të Rusisë
Sapo është kthyer nga Rusia, ku ka takuar njerëzit më të afërt të Putinit, dhe menjëherë ka kërkuar publikisht, para opinionit që Serbia ta vendosë kufirin në Ibër.
Pra, ndërsa presidenti i Serbisë Vuçiq bën thirrje për zbatim marrëveshjesh të nënshkruara në Bruksel, dhe madje duke u treguar se kinse ‘ndodhet’ nën presionin Perëndimor, një nga njerëzit e tij më të besuar, gjithashtu bashkëpunëtor i Kremlinit, Aleksandër Vulin, bën thirrje të hapur për luftë me Kosovën.
Por, çfarë po tregon kjo?
Sipas shërbimit inteligjent gjerman, Rusia dhe Putini, nuk e kishin në mendjen e tyre thjesht luftën kundër Ukrainës, pushtimin e saj.
Qëllimi i vërtetë sipas këtij shërbimi është lufta e vërtetë, por e pa shpallur, nga Kremlini kundër demokracisë perëndimore.
Mediat perëndimore, e citojnë shefin e inteligjencës gjermane, Bruno Kahl, që ka deklaruar, “se e ka konsideruar luftën e Rusisë në Ukrainë si “shpallje e luftës” kundër gjithë botës demokratike perëndimore”.
Duke besuar thellësisht në përvojën e tij personale dhe të pushteteve ruse, të kërcënimit të Perëndimit me përdorimin e armëve bërthamore, ka besuar se sukseset e tij në luftë do të jenë të padiskutueshme. Me rezultate të tilla, pas pushtimit të Ukrainës, ka besuar ai dhe Kremlini në imponimin e një rendi të ri botëror, duke e zhvendosur apo thyer boshtin perëndimor, transatlantik.
Këto informacione të bëra publike, jo vetëm që e rrisin apo shtojnë unitetin perëndimor, por duhet ta kenë të qartë se është koha, që lufta me Rusinë, ballafaqimi në Ukrainë, të mos përfundojë aty, deri në nënshtrimin e Kremlinit, që të thyhet përfundimisht kultura binare-revolucionare ruse, dhe që kultura trenare perëndimore të ngadhënjejë.
Që të jemi më të qartë, pavarësisht të metave të kësaj kulture, pikërisht falë kësaj, Kosova është çliruar nga Perëndimi, i cili çështjen e Kosovës e qendërzoi në sistemin e tij, deri në zgjidhjen e tij. Teorikisht shpjegohen edhe pasojat tjera, por ngadhënjimi i tij është jo vetëm i paharrueshëm për ne, por qenësor.
Thirrjet për luftë me Perëndimin
Pra, ne duhet ta kemi të qartë se shqiptarët duhet që të jenë të vetëdijshëm për rrezikun ruso-serb.
Në kontekstin e mësipërm, tashmë është e qartë, dhe këtë tashmë duhet ta shfrytëzojë më hapur dhe më botërisht, pra diplomacia e Kosovës, pa ngurrim, se Serbia ishte dhe ende është pjesë e strategjisë së Kremlinit për të shkatërruar rezultatet e demokracisë perëndimore.
Pra, Serbia, nuk është peng i miqësisë me Rusinë si thuhet, por është peng i marrëveshjeve të saja të fshehta, i projektit antiperëndimor! Pra, përveç se ishte dhe është pjesë e marrëveshjeve antishqiptare, antiKosovë dhe antiBosnjes, Serbia është pjesë e projektit antiperëndimor, të nisur në Ukrainë!
Vetë thirrjet publike të Vulinit, për ta vendosur kufirin në Ibër, në lumin që ndan Mitrovicën, janë thirrje të hapura për luftë me Perëndimin. Gjithnjë duke llogaritur Vulini dhe Serbia në përkrahjen e Rusisë, pavarësisht skenarit, se si mund të rrjedhë.
Po ashtu ai ka bërë thirrje të qarta, që Serbia nuk duhet të kërkojë fare integrimin europian, BE-në, që realisht është shfaqje, më shumë se thirrje, që ajo të integrohet me Rusinë, projektet e saja!
Këto mesazhe duhet të nxirren nga diplomacia jonë dhe t’i kundërvihen politikave mashtruese të Serbisë. Gjithashtu Perëndimi nuk duhet ta kursejë një aleat të Rusisë, me të cilin ajo donte ta godiste një pjesë të projekteve euro-atlantike.