Albspirit

Media/News/Publishing

Nga Mehmet Shehu i shpërfillur te kthimi në Shqipëri i 1574 kg flori, historia e patreguar e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA

Nga Ksenofon Krisafi

 

Më 8 prill të vitit 1819 nga një anije e ankoruar në molin e Sajadhës së Çamërisë, zbritën dy gazetarë amerikanë. Ata do të shkonin te Ali Pashë Tepelena. Përshtypjet nga takimi si dhe nga vizitat në vend, i pasqyruan në një reportazh, që e botuan në vitin 1820, në revistën Amerikane The North-American Review and Miscellaneous Journal, nën titullin: Visit to Joannina and Ali Pasha.

Ndër të tjera shkruajnë se Aliu iu kërkoi ndihmë për të vendosur raporte diplomatike dhe lidhje tregtare me kontinentin e largët, madje propozoi edhe dërgimin e një konsulli amerikan në Janinë. Është një dëshmi me rëndësi që ndihmon për të kuptuar më mirë konceptin e Ali Pashë Tepelenës për Pashallëkun e Janinës, formacionin politiko-social dhe administrativo-territorial që kishte krijuar, një strukturë sui generis. Duket se prirej nga modele shtetesh me emër dhe prestigj për kohën. Shembulltyra e parë ishte perandoria  osmane, pjesë e së cilës ishte Pashallëku i tij.

Të tilla ishin gjithashtu edhe Fuqitë e Mëdha të kohës, Anglia, Franca, Rusia etj. konsullatat e të cilave ishin akredituar dhe vepronin në “shtetin” e tij. Tashmë, gazetarët amerikanë që i trokitën në sarajet e veta, i shtinë në mëndje edhe lidhjen me një tjetër shtet, jo dhe aq të dëgjuar, por sidoqoftë kurioz, me Amerikën e përtej oqeanit. Këtë histori e përshkruajnë studiuesit Irakli Koçollari dhe Auron Tare, duke sjellë përveçse një këndvështrim interesant mbi politikën e jashtme të Ali Pashës, por edhe një dëshmi autentike se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, nuk janë aq të vona sa mendohet ndonjëherë. Zanafilla e tyre zbret deri në dekadën e dytë të shekullit të XIX.

Se ç’ndodhi në vijim nuk dihet, por vështirë të mendohet që zhvillimet e asaj kohe të jepnin shanse për ndonjë rezultat konkret. Sepse jo më larg se pas tre vjetësh koka e Aliut do të udhëtonte drejt Stambollit në tepsinë e mjaltit, kurse trupi do t’i varrosej në Janinë. Nga ana tjetër duhet patur parasysh se shërbimi diplomatik amerikan, sapo kishte mbushur 40 vjetorin e krijimit të tij.

Nuk besohet që kishte arritur të krijonte përfytyrimet e duhura rreth pashallëkut të Janinës që ekzistonte disa mijëra milje larg Uashingtonit, që ta vendoste kërkesën e Pashait në rendin e ditës së veprimtarisë së vet. Edhe nëse e pranojmë atë të kapërcyer,të zgjidhur pozitivisht, mund të shfaqej si faktor tjetër pengues statusi dhe personaliteti i themeluesit të tij, të cilat rrethoheshin nga një mjegullnajë e fuqishme e përhershme.

Pas një itinerari historik përgjithësisht drejtvizor, raportet shqiptaro-amerikane do të traumatizoheshin nga ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, kur u ndërprenë, për të rifilluar pas gati 52 vjetësh, përçka do të flitet në vijim.

 

***

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në vitet e para pas Luftës së Dytë Botëroreu ndikuan nga orientimi politik dhe ideologjia komuniste e udhëheqjes shqiptare. Ajo dekurajoi dhe dalëngadalë mbylli shtigjet e lidhjeve me ShBA. Pavarësisht se propaganda zyrtare shqiptare në media, në shtyp e në fjalime, në OKB ose në organizata ndërkombëtare, shprehej kundër politikës dhe qëndrimeve amerikane, edhe pse kishte ndaluar kategorikisht takimet ose komunikimet me diplomatë ose edhe me shtetas amerikanë, shtresa të gjera shqiptarësh të ushqyer prej dekadash me ndjenja miqësore për ShBA dhe amerikanët, vazhduan të ruanin konsideratat pozitive dhe nostalgjinë e miqësisë ndaj Amerikës.

Disa qindra, ndoshta mijëra vetë, kaluan ilegalisht kufirin për të mbërritur në tokën amerikane duke rrezikuar ose humbur jetën, shumë të tjerë për shkak të shprehjes së simpatisë ndaj SHBA përfunduan nëpër burgjet komuniste. Edhe ShBA, që nuk pajtoheshin me këtë anormalitet, vazhduan pa reshtur përpjekjet për të gjetur shtigjet dhe kohën e duhur për kapërcimin e tij.

Në periudhën e gjatë të vacuumit të madh politik, Uashingtoni ka dëshmuar interes dhe mbështetje për Shqipërinë dhe për shqiptarët, doemos jo për regjimin e asaj kohe.

Në arkivat e Departamentit të Shtetit të SHBA gjendet një memorandum i hartuar nga kreut i çështjeve evropiane (Hickerson) për zv. sekretarin e shtetit në OKB (Rusk). Ai i referohet një bisede me ambasadorin shqiptar në Francë, Behar Shtylla, i cili i transmetoi autoriteteve amerikane dëshirën e qeverisë shqiptare për të diskutuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike

Pak a shumë kjo pohohet edhe nga vetë Behar Shtylla, i cili thotë shprehimisht se “më 1949, qeveria shqiptare rifilloi përçapjet pranë qeverisë amerikane për njohjen e saj dhe normalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve mbi bazën e njohjes së traktateve të vjetra nga ana e Shqipërisë.

Me këtë detyrë u ngarkova unë”. Shtylla e zhvilloi takimin në Nju Jork, por edhe pse “nuk iu mbyll dera”, nuk u arrit rezultati i pritur.

Në vijim ka pasur tentativa të tjera. Një prej tyre, gjithashtu e pasuksesshme, është ajo e nëntorit të vitit 1955, kurzv. ministri i jashtëm shqiptar i përcillte zyrtarisht përfaqësuesit francez në Tiranë, Burdej, dëshirën që, në qoftë se qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe dëshironin, Shqipëria do të ishte gati të shkëmbente përfaqësuesit diplomatikë me këto qeveri.

Përpjekja pasuese i takon gushtit të vitit 1957. Dokumentat amerikane të deklasifikuara kohët e fundit thonë që pas dështimit të operacioneve të CIA-s, amerikanët hoqën dorë nga planet për Shqipërinë dhe ia kaluan ato shërbimit partner, UDB-së jugosllave. Gazetari Herrison Sallsbëri, në një shkrim të botuar në Nju Jork më 1988, flet për një takim me Mehmet Shehun në Tiranë, në gushtin e vitit 1957.

Ai shkruan se “kryeministri Mehmet Shehu insiston që Shqipëria do t‘i normalizojë marrëdhëniet me Perëndimin. Ka arsye të mjaftueshme për të besuar që Moska nuk do ta lejonte këtë normalizim, por të paktën ky është një hap para dhe një ndryshim i madh nga situata e dy viteve më parë”. Sallsbëri vazhdonte se “Pavarësisht nga kritikat ndaj politikës së Shteteve të Bashkuara, z. Shehu nuk e mbajti të fshehtë bindjen e vet se ai do të preferonte më mirë të jetonte në paqe me Shtetet e Bashkuara. Në fakt, ai mendonte se nuk mund të kishte alternativë tjetër”. “Ne nuk mund të shkojmë dot në Hënë”, tha Shehu me një shprehje sarkastike. “Dhe ju nuk mund të shkoni dot në Mars. Ne duhet të jetojmë së bashku. Ka vetëm një Tokë. Nëse nuk bashkëjetojmë, ne do të vdesim së bashku”.

Por në Departamentin e Shtetit, sikurse thotë Peter Lucas-i, nuk e morën seriozisht këtë kërkesë.

Vite më pas do të vinte një tjetër ofertë. Propozimet e tërthorta të SHBA për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, zënë fill në raportet vjetore të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Roxhers. Në pjesën kushtuar marrëdhënieve me vendet e Evropës Lindore në vitet 1970- 1972, lihet të kuptohet qartë se ato e mbanin në konsideratë edhe Shqipërinë.

Në 14 janar 1972, në Misionin Shqiptar në Nju Jork, ishte paraqitur kryetari i shoqatës së pingpongistëve amerikanë, Ranford Harrison, i cili dorëzoi kërkesë për vizë për të vizituar Shqipërinë në korrik të atij viti,  pas një vizite që do të bënte në Jugosllavi. Një udhëtim të tillë e kishte bërë në prillin e një viti më parë, në RP të Kinës, pas së cilës vijoi takimi i pingpongistëve amerikano-kinezë, që thuhet se lehtësoi disi përgatitjen e klimës së takimeve të Kisingerit me udhëheqësit kinezë. U mendua se ky mund të ishte edhe qëllimi i vizitës së tij në Tiranë, prandaj kërkesa e tij mbeti në heshtje.

Episode të tjera në vijim tregojnë se çështja e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane nuk u la asnjëherë mënjanë. Ndonjëherë këto kanë qenë veprime të ndërmarra nga palë të treta, të cilat janë shfaqur nëtolin e ndërmjetësuesve, duke ofruar shërbimet e tyre për lehtësimin e kontakteve midis palëve.

Përkundër nismave të tilla administrata amerikane në atë kohë doli vetë hapur dhe drejtëpërdrejtë me propozimin për normalizimin e marrëdhënieve. Në numrin e 19 qershorit 1973, të gazetësThe Christian Science Monitor, u botua shkrimi me titull “Amerika ka futur një faktor të ri në marrrëdhëniet e saj me Shqipërinë, aleaten e Kinës komuniste”.

Njoftohej se “në 4 prillin e kaluar (1973), zëvendëssekretari i Departamentit të Shtetit, Keneth Rash (Kenneth Rush), i bëri Shqipërisë një propozim publik miqësor. Ai tha se SHBA-ja është e gatshme të normalizojë marrëdhëniet me Tiranën… Deri më tani, Shqipëria nuk i është përgjigjur zyrtarisht ofertës amerikane.Nuk përjashtohet që në këtë sinjal të Uashingtonit për Shqipërinë të ketë ndikuar edhe hapi i ndërmarrë në marrëdhëniet e Amerikës me Kinën. Ndoshta është gjykuar që nëse mund të shënohet sukses me Pekinin, mund të ketë shanse që të përmirësohen marrëdhëniet edhe me aleatin e tij ballkanik.

Në dhjetor 1974, ambasadori amerikan në Bukuresht, nëpërmjet ambasadorit të Meksikës, propozoi bisedime direkte për vendosjen e marrëdhënieve dip1omatikemidis të dy vendeve, ndonëse Enver Hoxha gati dy muaj më parë, kishte lënë të kuptohej se pala shqiptare nuk ishte e interesuar.

Por, pavarësisht qëndrimeve të Tiranës, shpeshherë të formuluara me terma të vrazhda, gjatë gjithë kësaj kohe duket se administrata amerikane nuk e kishte humbur interesin ndaj Shqipërisë. Nëpërmjet burimeve të ndryshme të informacionit  ajo grumbullonte të dhëna rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe në varësi të tyre ndërtonte platforma qëndrimesh dhe veprimesh. Midis tyre përmendet një përpjekje për të parë nga vrima e çelësit”, përtej kufirit grek, në vitin 1983, e raportuar nga Erik Margolis në Nju Jork Tajms.

Periudha pas vdekjes së Enver Hoxhës përkoi me probleme serioze brenda vendit, të reflektuara në vështirësi të mëdha të karakterit ekonomik e social si dhe me jehonën qartësisht të dukshme të zhvillime tronditëse në bllokun e vendeve të Lindjes. Për kapërcimin e tyre në fushën e politikës së jashtme u ndërmorrën hapa që për kohën konsideroheshin të guximshme, siç ishin vazhdimi i bisedimeve me RF të Gjermanisë për reparacionet e luftës, fillimi i kontakteve me Britaninë e Madhe për diskutimin e çështjes së arit shqiptar etj.

Në shtypin e asaj kohe thuhej gjithashtu se Shqipëria po lëvizte nga armiqësia e hapur drejt një ujdie graduale me Uashingtonin. “Është ende çështje e ditës se sa shpejt do të ndodhë tranzicioni. Ka pak gjasa për një kthesë të vrullshme dramatike në të ardhmen e afërt në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Por ekziston një prirje afatgjatë drejt uljes së tensionit.”

Në këtë kuadër udhëheqja shqiptare e kohës po e shihte me vëmendje çështjen  e koregjimeve të disa veprimeve që ishin ndërmarrë dekada më parë në fushën e politikës së jashtme. Ndër to bënin pjesë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA, ish-Bashkimin Sovjetik, Britaninë e Madhe, RF të Gjermanisë, rishikimi i marrëdhënieve me disa prej organizatave ndërkombëtare, ku prania dhe pjesëmarrja e Shqipërisë ishte më shumë çështje imazhi dhe propagande.

Në pranverën e vitit 1984 ndodhi një ngjarje që do të shënonte zhvillim të bujshëm në raportet e Shqipërisë me Perëndimin në përgjithësi dhe me SHBA në veçanti. Siç u tha, disa kohë më parë kishin nisur dhe zhvilloheshin negociata konfidenciale ndërmjet Tiranës dhe Bonit për çështjen e shpërblimit të dëmeve të shkaktuara në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.Për një varg rrethanash objektive por edhe subjektive ritmet dhe rezultatet ishin tepër modeste.

Si pjesë e stafit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në detyrën e përgjegjësit të Byrosë Juridike, në fillimin e viteve ’80 të shekullit të kaluar, isha caktuar në grupin e punës që do të punonte për përgatitjen e negociatave për shpërblimin e dëmeve të shkaktuara në Shqipëri nga pushtuesit nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. M’u kërkua gjithashtu që të punoja edhe për përgatitjen e platformës juridiko-ndërkombëtare për bisedime eventuale me Britaninë e Madhe për kthimin e rezervës së arit monetar të ish – Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

Nisja e kontakteve, fillimisht të tërthorta e në vijim të drejtpërdrejta me palën angleze (por edhe atë amerikane) u bënë shkak që të njihesha nga afër edhe me problematikën e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe ShBA-së, të ndërprera në vitin 1939.  Gjatë bisedimeve konfidenciale që u zhvilluan në Paris, Nju Jork, Gjenevë, Romë e Tiranë, krahas çështjeve që kishin të bënin me rikthimin e arit, rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe, u trajtuanedhe aspekte të marrëdhënieve me ShBA-në. Ishte një odise e gjatë tratativash që zhvilloheshin nga delegacioni i arit (le ta quajmë kështu konvencionalisht)dhe kryesisht nga një ekip i posaçëm diplomatësh e funksionarësh në aparatin e MPJ, në Misionin shqiptar pranë OKB në Nju Jork dhe, sipas rastit, edhe në përfaqësi të tjera diplomatike shqiptare.

Kërkesa e parë zyrtare e ShBA për marrëdhënie me Shqipërinë, ishte ajo që erdhi me të ashtuquajturin “Propozimi prej 7 pikësh”, që ambasadori francez në Tiranë, Marcel Martin, i dorëzoi ish zëvendësministrit shqiptar të punëve të jashtme, Sokrat Plaka, në një nga ditët e javës së tretë të prillit të vitit 1984. Ai fokusohej kryesisht në trajtimin e çështjes së arit dhe normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-britanike, por jo vetëm. Nëpërmjet tij transmetoheshin kërkesat e qeverive të Britanisë së Madhe dhe të SHBA për t’i ofruar qeverisë shqiptare mundësinë e zgjidhjes së çështjes së rezervës së arit të Bankës Kombëtare caktuar nga Komisioni Tripalësh i Arit. Aty përmendej gatishmëria e tyre për të dhënë pëlqimin në Komisionin Tripalësh të Arit (ku ato së bashku me qeverinë franceze ishin palë) për kthimin në Shqipëri të një sasie prej rreth 1574 kg ar, i identifikuar prej tij që në fundin e viteve ’40 të shekullit të kaluar, si pronë e shtetit shqiptar.

Pohohej gjithashtu se njëkohësisht, por pa lidhje me livrimin e arit, Shqipëria do t’i paguante qeverisë amerikane një shumë minimale (më pak se dy milionë dollarë amerikanë) në lidhje me pretendimet për shpronësimin e papaguar të pasurive amerikane në Shqipëri. Uashingtoni, me marrjen e shumës së vet, do të konfirmonte me shkrim se pagesa përbënte një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të pretendimeve për shpronësimin. Nuk ishte e domosdoshme që Shqipëria të nënshkruante ndonjë dokument që do të njihte vlefshmërinë e pretendimeve amerikane e britanike.

Te ky dokument dhe te bisedimet në vijim për trajtimin e çështjeve të përmendura prej tij, zë fill kapitulli i fundit i historisë që do të çonte në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe në hapjen e një faqeje të re miqësie e bashkëpunimi midis tyre.

Në ditën e parë të bisedimeve që nisën në Paris, më 15 mars 1985 (pjesë e të cilave ishte edhe autori i këtij shkrimi),kryetari i delegacionit britanik, Xhon Bërç, i cili njoftoi se ishte autorizuar të fliste edhe në emër të qeverisë amerikane, lexoi një deklaratë ku thuhej ndër të tjera se qeveria britanike së bashku me qeverinë e SHBA, morën një iniciativë të re për të diskutuar në frymë konstruktive dhe pozitive dhe për të gjetur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme për çështjet e pazgjidhura. Sqarohej se kërkesa e Uashingtonit kishte të bënte me pasuritë e disa shtetasve amerikanë që iu morën pa shpërblim nga Qeveria shqiptare në fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Si pjesë e programit të përgjithshëm të pretendimeve të luftës, qeveria amerikane ka ndjekur dhe ka plotësuar kërkesat për humbjet ose dëmet që kanë pasur pasuritë e shtetasve amerikanë në Shqipëri në fillim të Luftës së Dytë …” Sipas palës amerikane bëhej fjalë për rreth 2000 amerikanë që kishin pasuri në Shqipëri dhe që iu ishin shtetëzuar.

Ishte hera e parë që SHBA ngrinin çështje të kësaj natyre përkundrejt Shqipërisë. Kryetari i delegacionit shqiptar, ambasadori Andon Bërxholi, u përgjigj se “nuk na rezulton që të ketë prona amerikane të shtetëzuara në Shqipëri. Por, po të na paraqiten dokumente nuk kemi kundërshtim që t’i shqyrtojmë…Në Tiranë, vazhdoi ai, është akoma e paprekur një ndërtesë, pronë e SHBA-së, e cila i është dhënë me qira nga pronari amerikan shtetit italian për ta përdorur si seli të ambasadës së vet. Ne atë nuk e kemi shtetëzuar dhe nuk e kemi prekur. Në kohën e shtetëzimeve që u bënë pas çlirimit në vendin tonë nuk u vu dorë mbi pronat e shteteve me të cilët ishim aleatë në luftë.”

Sidoqoftë, përfundoi ai, “numri i avancuar nga pala amerikane kalon çdo kufi për të qënë e besueshme.”

Pas mbylljes pa rezultat të tre takimeve në Paris, më vonë pati kontakte të tjera kryesisht në Nju Jork, që çuan në rifillimin e negociatave informale. Dalëngadalë do të afroheshin qëndrimet e palëve. Transformimet që po ndodhnin në botë, në rajon dhe në Shqipëri, do të kontribuonin në krijimin e kushteve të përshtatshme për negocimin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet ShBA dhe Shqipërisë.

Pala shqiptare përpiqej ta shmangte diskutimin e kërkesës amerikane nga problemi i rikthimit të arit. Por, kur u pa se ishte e pamundur, në takimin e Nju Jorkut të 6 qershorit 1988, ajo deklaroi se problemet bilaterale që mund të ekzistojnë midis dy palëve, siç janë edhe çështjet pasurore, mund të bëhen objekt diskutimi, kur ato të vendosin për t’i shqyrtuar.. Pohimin e mësipërm Uashingtoni e interpretoi si propozim të tërthortë për bisedime direkte, çka nuk vonoi të prodhonte sinjale inkurajuese. Më 28 nëntor 1989drejtori politik në Departamentin e Shtetit deklaroi publikisht se ShBA respektojnë pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë, të drejtën për siguri e paqe sikurse edhe për të gjithë shtetet e tjerë të Evropës dhe janë të gatshëm për dialog dhe për marrëdhënie normale e miqësore me popullin dhe qeverinë e Shqipërisë.

Pikërisht në këto kohë, mars-prill 1990, në sektorët përkatës në MPJ dhe në një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh të Ministrit Reis Malile, me porosi nga “lartë”, kishte filluar përpunimi i një Platforme për strategjinë dhe taktikat që duheshin ndjekur në eventualitetin e negociatave direkte me SHBA. Në preambulën e saj vihej në dukje “se në realitetet e sotme politike, me qëllim që të ulet efekti i presionit politik e ekonomik i Perëndimit ndaj nesh, por edhe për të ruajtur një ekuilibër politik me superfuqinë tjetër, Bashkimin Sovjetik, është në interes të vendit normalizimi i marrëdhënieve me ShBA…

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe zgjidhja e problemeve ekzistuese me SHBA do të krijojnë mundësi për bashkëpunimin ekonomik, tekniko-shkencor dhe shkëmbime tregtare direkte me firma amerikane, gjë për të cilat është e interesuar ekonomia jonë. Po kështu, edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.”

Sinjali i ardhur nga ShBA dhe i pranuar nga Tirana për nisjen e negociatave ishte konkretizuar. Përfaqësues të të dy vendeve kishin filluar takime të drejtpërdrejta dhe kishin avancuar në përpunimin e një projekt-akti për normalizimin dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Në përgatitje të terrenit të brendshëm si dhe për të justifikuar qëndrimin e ndërmarrë, presidenti i vendit, Ramiz Alia, në mbledhjen e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, më 18 prill 1990, u shpreh se “nëse SHBA dhe BS, sikurse thonë, do të ndryshojnë me të vërtetë qëndrim ndaj Shqipërisë, ne nuk kemi asnjë arsye që të mos e mirëpresim atë”. Dukej se politika shqiptare po largohej nga kursi dogmatik i vetizolimit.

Në prillin e vitit 1990 ambasadori shqiptar në OKB, Bashkim Pitarka me dy nga bashkëpunëtorët e tij, Genc Mlloja dhe Sazan Bejo, u takuan me  katër diplomatë amerikanë në një nga sallat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Grupi i diplomatëve të Uashingtonit, ku bënte pjesë edhe  përfaqësuesi i përhershëm i SHBA në OKB, ambasadori Tomas Pikering, kryesohej nga David J. Kramer, ndihmës i zëvendës-sekretarit të shtetit. Në bisedën e kondensuar prej gati 30 minutash pala amerikane la të kuptohej se dëshirohej përshpejtimi i procedurave të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Më 5 nëntor 1990, ambasadori Pitarka takoisërish në Nju Jork Kramerin, i cili riafirmoi se zgjidhja e pretendimeve amerikane është shumë e rëndësishme. Në vijim, në Departamentin e Shtetit në Uashington, ata sigluan projekt-memorandumin e mirëkuptimit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Por pavendosmëria e udhëheqjes shqiptare të asaj kohe bëri që përfundimi i procedurave të nënshkrimit të memorandumit dhe shpalljes së rivendosjes së marrëdhënieve, të shtyhej deri më 15 mars 1991. Flitej se ishte mirë që të ruhej një lloj ekuidistance në marrëdhëniet me dy superfuqitë, ShBA dhe ish Bashkimin Sovjetik, qëndrim ky që është interpretuar si pretekst për të përligjur presionin e lobistëve prorusë ndaj Ramiz Alisë.

Veprimet për formalizimin dhe sanksionimin juridik të përfundimit të procesit që do të çonte në normalizimin e raporteve dhe në nënshkrimin e aktit që do të rivendoste marrëdhëniet diplomatike, u kryen me skrupulozitet. Ato ishin inkuadruar në një skenar protokollar të përpunuar me hollësitë më të mëdha, të cilat i tregojnë në disa intervista ambasadori Bashkim Pitarka edhe numri 2 i Misionit shqiptar në OKB Genc Mlloja.

Në rrëfimet e tyre përshkruhen rrethanat në të cilat do të firmosej Memorandumi. Kishin ndodhur ndryshime të jashtëzakonshme. Vala e përmbysjeve politike që kishte përshkuar pothuajse gjithë vendet e Europës Lindore, kishte mbërritur edhe në Shqipëri. Në janarin e vitit 1990 ishte krijuar Partia Demokratike, që kishte dalë në krye të lëvizjes përpërmbysjen e sistemit monist dhe vendosjen e demokracisë. Më 20 shkurt kishte rënë busti i Hoxhës në Tiranë. Më 31 mars 1991do të zhvilloheshin zgjedhjet e para pluraliste.

Në krye të ministrisë së punëve të jashtme kishte ardhur Muhamet Kapllani, i cili një ndër veprimtaritë e para do ta realizonte në Nju Jork, ku do të nënshkruante Memorandumin e mirëkuptimit.Në 15 marsin e 1991, në Sallën e Traktateve të DASH, ai, në emër të palës shqiptare dhe zëvendës-sekretari amerikan i shtetit Raymond Sajx, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit. E veçanta dhe njëkohësisht surpriza për funksionarët shqiptarë, ishte prania në këtë ceremoni e Sali Berishës dhe Gramoz Pashkos, dy nga drejtuesit e PD, që kishin udhëtuar nga Tirana në Uashington, të thirrur nga DASH.

Përveç kësaj, një farë sikleti përjetuan Kapllani, Pitarka dhe bashkëpunëtorët e tyre të pranishëm në ceremoni edhe nga pjesëmarrja e disa figurave të njohura te emigracionit shqiptar që ishin kundër regjimit komunist, kryesisht drejtues të Ballit Kombëtar, të Legalitetit etj. Ata, gjithashtu ishin ftuar nga pala amerikane për t’i dhënë Tiranës mesazhet e qarta të domosdoshmërisë së ndryshimeve dhe të pranimit të pakushtëzuar të pluralizmit politik dhe partiak. Duhet mbajtur parasysh se në Shqipëri ishte ende në këmbë regjimi komunist dhe Kapllani ishte ministër i një qeverie komuniste.Nuk duhej shumë për të kuptuar se SHBA kishte përcaktuar tashmë piketat e ecurisë së mëtejshme të Shqipërisë demokratike.

Pas nënshkrimit u procedua në hapjen e ambasadës shqiptare në SHBA. Zyrat e para të saj u vendosën në Nju Jork, në selinë e Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në OKB, për t’u transferuar më pas në Uashington.

Kjo ngjarje me rëndësi të veçantë ndodhi në një kohë kur në Shqipëri, si kudo në vendet e Lindjes ish Komuniste, ishte inaguruar fillimi i një epoke ndryshimesh, që dalëngadalë, do të merrte trajtën e një transformimi rrënjësor, madje të një cunami politik. Regjimi komunist që kishte marrë tatëpjetën do të shëmbej me shpejtësi dhe do të fillonin proceset demokratike për ndërtimin e një sistemi tjetër.

Në themel të tij ishte shteti i së drejtës, ekonomia e tregut, ndarja e qartë e pushteteve, të cilat do t’i hapnin rrugën sanksionimit të pronës dhe nismës private, mbrojtjes reale të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut etj.

Kjo atmosferë u reflektua edhe në veprimtarinë e pushtetit dhe të administratës shtetërore, ku pati gjithashtu ndryshime strukturore, lëvizje personash, mbivendosje apo përplasje mentalitetesh etj. Në përgjithësi mbretëronte një situatë pështjellimi, kaosi, ankthi etj. ku gjithësesi konturohej qartë tendenca e ndryshimeve pozitive dhe e progresit drejt një të ardhmeje më të mirë.

Ambasada e ShBA në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me diplomatin Kristofer Hill si i ngarkuar me punë a.i (ad interim), i pasuar nga ambasadori Uilliam Rajerson, i cili i paraqiti letër kredencialet më 21 dhjetor 1991.

Rivendosja e marrëdhënieve dhe vizita e sekretarit amerikan të shtetit,Xhejms Bejker, i shtendosi përfundimisht raportet shqiptaro-amerikane, krijoi kushte për zhvillime të përshpejtuara, duke i siguruar Shqipërisë përkrahjen e superfuqisë më të madhe dhe më me peshë në jetën ndërkombëtare.

Të identifikuara si marrëdhënie me rëndësi stretegjike dhe me prioritet të veçantë në politikën e jashtme të Shqipërisë, ato kanë njohur progres të vazhdueshëm. Tirana, por edhe Uashingtoni, tregojnë kujdes maksimal për përparimin e tyre të pandalshëm.

*****

Nuk mund të flitet për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane pa përmendur dhe pa shprehur një falenderim dhe mirënjohje të thellë e të pafundme për ShBA nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, për kontributin themelor që, krahas forcave të NATO-s dhe shteteve të tjerë, dhanë në çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe dhe për krijimin e shtetit të saj të pavarur.

Ato përbëjnë një ndër krerët veçanërisht të rëndësishëm të raporteve shqiptaro-amerikane, ku dallohet përnjëherësh kontributi unikal për zëvendësimin e statusit politik dhe juridiko-ndërkombëtar të Kosovës, nga një krahinë e zakonshme e ish-Jugosllavisë dhe më pas e Serbisë në një shtet të pavarur dhe subjekt të mirëfilltë të së drejtës ndërkombëtare. Meritë të veçantë patën presidentët amerikanë Bill Klinton e Xhorxh Bush si dhe sekretarja e shtetit Medlin Ollbrajt, ambasadorët Riçard Hollbuk, Kris Hill, Uilliam Uoker dhe shumë personalitete të shquara amerikane, britanike etj. ShBA është dhe mbetet faktori kryesor dhe garanti i palëkundur i Kosovës së sotme, të çliruar e të pavarur.

*****

Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në Ballkan, në emigracion e në diasporë, janë një nga popujt më proamerikanë të globit. ShBA është miku i madh i tyre, partneri kryesor strategjik, një ndër garancitë mbështetëse të zhvillimeve demokratike në vend.Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë se miqësia shtohet me forcimin e demokracisë dhe institucioneve të shtetit, zbatimin e ligjeve, luftën ndaj korrupsionit, zhvillimin e ekonomisë së tregut, me bashkëpunimin e të gjitha forcave politike shqiptare, të cilat duhet të udhëhiqen nga interesat e vendit, nga qëllime të qarta, afatshkurtra dhe afatgjata kombëtare.

Ato kanë theksuar se marrëdhëniet me popullin shqiptar nuk kushtëzohen dhe nuk varen nga ndonjë politikan i përkohshëm, as nga ndonjë ideologji apo parti politike, por konsiderohen si marrëdhënie popull me popull. Ato bazohen në vlera, parime dhe të drejta universale të njeriut, pa marrë parasysh se cili person ose cila parti udhëheq qeverinë shqiptare, në një kohë të caktuar.Drejtuesit e ShBA kanë theksuar vazhdimisht se populli i Shqipërisë duhet të mbështetet tek miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara, prandajmarrëdhënia midis tyre është e fortë dhe e qëndrueshme./gazeta dita

Please follow and like us: