Ilia Lëngu: Mbi përkthimet nga shqipja në gjuhë të huaja
Një tjetër vëzhgim i prof. Xhevat Lloshit ishte rreth përkthimit nga rusishtja në shqip i poezisë së njohur të Eseninit “Letër nënës” nga Ismail Kadare dhe Jorgo Bllaci. Njohës të shkëlqyer të gjuhës ruse, poetë dhe përkthyes të mirënjohur, të dyve në strofën e parë u ka shpëtuar veçantia e epitetit “njeskazanij” që e bën dritën e izbës krejt të veçantë për Eseninin.
Unë vetë, në seancën kushtuar punës përkthimore të Jusuf Vrionit, krahas një materiali të përgatitur ndër vite prej meje, që ilustronte konkretisht mjeshtërinë e lartë të saj, iu referova dhe punimit “Paraqitja e vlerave të shqipes artistike” nga libri i prof. Xh Lloshit “Shkrime rreth përkthimit”, ku ka një sërë vëzhgimesh me interes të veçantë mbi bazën e një analize profesionale të një faqeje nga romani i Ismail Kadaresë “Kush e solli Doruntinën”, të përkthyer në frëngjisht nga Vrioni dhe më pas në anglisht, në gjermanisht dhe në bullgarisht. Gjithë duke vënë në dukje vlerat e përkthimeve të Jusuf Vrionit dhe meritat për njohjen e letërsisë shqiptare në Francë dhe në botë, prof. Xhevat Lloshi pohon se “disa prej përftesave gjuhësore tejet mbresëlënëse në gjuhën shqipe nuk ka qenë e mundur të jepeshin në gjuhët e huaja” (f.43), si për shembull neologjizmat e krijuara si fjalë të përngjitura ‘jetëvdekje’, ‘vdekjejetë’, ‘i tejjetshëm’ ose ligjërata e llojit surrealist, çka e bën rrëfimin kadarean më ‘përshtypjelënës dhe tërheqës’, duke ngjallur njëherazi ‘kureshti’ dhe ‘drithmë’…”. Në po këtë frymë, gjatë seancës së trajnimit, u ndalëm edhe tek gjetja e Jusuf Vrionit për shprehjen ‘Bëjmë tutje’ me ‘Droit devant’ apo ‘Dum Babën’, duke e lënë si në shqip, ‘longue jupe’ për ‘xhubletën’, përdorimin e lidhores së frëngjishtes për dëshiroren e shqipes, etj.
Sa më sipër synoi të vinte në dukje se arritjet e vyera të mjeshtrave të përkthimit janë një shkollë e mirëfilltë e punës përkthimore për përkthyesit e rinj, por gjithë duke përfituar prej përvojës së tyre, lipset që ata të mbajnë parasysh se gjuha shqipe nderkohë është bërë më e zhdërvjelltë dhe më e pasur në mundësitë e saj shprehëse dhe tashmë kërkohet një cilësi e re dhe sa më e lartë e punës përkthimore në të dy kahet e saj, në mënyrë që dhe letërsia shqipe të njihet dhe të vlerësohet më mirë, duke zënë vendin që i takon në gjirin e trashëgimisë letrare botërore.
Please follow and like us: