Albspirit

Media/News/Publishing

Leka Bungo, polemikë me drejtorin e Përgjithshëm të RTSH

 

Leka Bungo, kryetar i Këshillit Drejtues në RTSH.

 

(Letra nuk është në emër të Këshillit Drejtues. Është personale).

 

 

 

I nderuar zoti Drejtor,

Këto rreshta nuk do t’i botoja në qoftë se në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues nuk do të ndodhte një “incident“.

Ashtu si në mbledhjet e mëhershme njoftova Departamentin e Informacionit të sillte një ekip për të xhiruar kronikën.

Në kohën që do të niste mbledhja ju ndërhytë:

“Zoti Kryetar, juve nuk keni asnjë të drejtë të ftoni gazetaret pa dijeninë time, aq më shumë për një mbledhje të zakonshme që nuk përbën lajm.

Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar jam unë dhe askush nuk ka të drejtë të veprojë pa urdhrin tim”.

Pas këtij turfullimi dhatë urdhër dhe gazetarët u larguan duke ngritur supet.

(Statuti i RTSH-së, Neni 17, Gërma c: Këshilli Drejtues shprehet publikisht për transmetime, programe, dhe qëndrime të organeve të tjera drejtuese të RTSH-së dhe stafit të tij…).

Kjo s’kish ndodhur asnjëherë më parë!

Kënaqësia që të dha “incidenti” të lexohej në sy.

Më në fund ia “tregove vendin” Kryetarit në sytë e anëtarëve të Këshillit dhe Gazetareve, të cilët pak minuta më vonë do t’u tregonin kolegëve se kishin qenë prezent kur Drejtori i Përgjithshëm ia “futi të dyja këmbët në një këpucë Kryetarit të Këshillit Drejtues“.

Në të vërtetë, motivi që fshihej pas këtij “incidenti” ishte tjetër.

Në mbledhje do të diskutohej për herë të parë pas NËNTË muajsh (!) Raporti i Drejtorisë së Përgjithshme për ecurinë e Reformës që kishit marrë përsipër kur aplikuat për postin e Drejtorit në RTSH.

Ajo që u detyroi të përzinit gazetarët ishte “meraku” se gjatë debateve për raportin prej dhjetëra faqesh, mbushur me hollësira të panevojshme që rropateshin të mbulonin “hallet” e vërteta të institucionit si:

Shikueshmëria e ulët e ekranit tonë.

Përkeqësimi i strukturës të rikonceptuar nga stafi juaj.

Mungesa e spektakleve artistike.

Pamundësia për prodhimin e programeve që duhet të “ushqejnë” numrin e pafund të kanaleve televizive.

Mungesa drastike e reklamave, e të tjera…

Duke larguar gazetarët, çdo diskutim do të mbetej brenda mureve të sallës së mbledhjes dhe nuk do të transmetohej në ekran.

Kjo ishte edhe arsyeja që vendosa t’i botoja në shtyp, gjithë sa trajtova në mbledhje.

 

*  *  *

Këshilli Drejtues për të GJYKUAR rreth veprimtarisë të sektorëve të shumtë, në të cilët janë punësuar një mijë punonjës të profesioneve të ndryshme, duhet të jetë i INFORMUAR që nga nisja e zhvillimit të projekteve deri në transmetimin e tyre nëpërmjet valëve të Radios apo ekranit të Televizionit.

Vetëm atëherë Këshilli Drejtues mund të kryej misionin për të cilin është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në qoftë se Transparenca është një nga kolonat kryesore mbi të cilën duhet të mbështetet veprimtaria e institucionit tonë, INFORMACIONI është bazamenti i saj.

Sipas gjykimit tim mungesa e Informacionit për Këshillin nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme krijon “konflikt” ndërmjet tyre. Konflikt, i cili për hir të së vërtetës nuk është ndërmjet Drejtorit dhe Kryetarit të Këshillit Drejtues, siç përpiqet ta minimizoje ndonjë “avokat” i juaj në Këshill.

Zoti Drejtor,

Të gjithë Departamentet e Institucionit janë urdhëruar të mos i japin informacion Kryetarit të Këshillit!

Nisur nga një urdhër i tillë, i pabesueshëm, në datën 2. 6. 2022, nr. 69/2, Këshilli Drejtues mori vendimin e mëposhtëm:

  1. T’i delegojë të drejtën Kryetarit të Këshillit Drejtues, zotit Leka Bungo për të marrë Informacion lidhur me veprimtarinë e Drejtorisë se Përgjithshme dhe sektorëve të tjerë në RTSH.
  2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Por pesë ditë më vonë juve dërguat përgjigjen e mëposhtme:

“…Sjellim në vëmendje se, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së është menaxheri kryesor që drejton dhe kontrollon administrimin e veprimtarisë së RTSH-së, pra organizon dhe menaxhon punën në RTSH, jo vetëm se ai është personi që përgjigjet për çdo gjë që ka të bëjë me veprimtarinë e RTSH-së, por edhe si pasojë e parashikimit ligjor është ai që duhet të informojë Këshillin Drejtues për çdo informacion të nevojshëm të këtij organi kolegjial”.

Sipas përgjigjes suaj çdo INFORMACION për gjigandin mediatik ku janë punësuar jo më pak se një mijë punonjës të profesioneve të ndryshme, ku çdo ditë gëlojnë qindra probleme, informacioni duhet të merret VETËM nga Drejtori i Përgjithshëm?!

Një qëndrim i tillë mund të mbahej vetëm atëherë kur dikush ka “nuhatur” se Kryetari nuk e kërkon informacionin për t’ia bërë të njohur Këshillit Drejtues, por do t’ia “shpërndajë armikut”.

I nderuar Drejtor, po nëse, larg qoftë, lindin dyshime se ju personalisht merreni me ndonjë “punë të errët”, si duhet të veprojmë?

Duhet t’u drejtohemi JUVE për të na informuar nëse është i saktë apo jo dyshimi?

Mos ndoshta “ekskluziviteti i informacionit” është një mënyrë për t’ia dhënë informacionin Këshillit Drejtues me pikatore? Ose për ta informuar për çështje që nuk nxjerrin “andrralla”?

Ose ca më keq, për të mbajtur fshehur ndonjë paudhësi?

Opsioni i fundit është më i mundshmi.

Që nga dita e emërimit tuaj janë bërë dhjetëra emërime të reja në RTSH.

Nuk është fjala për punonjësit e thjeshtë, por për anëtarët më të rëndësishëm që përbëjnë stafin e Drejtorisë së Përgjithshme.

Që në krye të herës kam dyshuar se pjesa më e madhe e tyre është emëruar në mënyrë klienteliste, personalisht nga ana e juaj dhe për këtë u kam vënë në dijeni disa muaj më parë.

Asnjeri prej tyre nuk i është nënshtruar KONKURSIT. (Statuti i RTSH-së, Neni 29, Pika 2, e përcakton qartë dhe në mënyre taksative:

“Marrja në punë bëhet sipas kritereve të pranimit në punë, të miratuara me vendim të Këshillit Drejtues të RTSH-së, ku përcaktohet edhe përbërja e komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e punonjësve…”.

Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë qysh nga dita e emërimit tuaj.

Megjithatë, në shkresën e datës 27.05.2022 me nr. 1659/5, ju ktheni përgjigjen:

“…Në përfundim theksojmë se procedurat për marrjen në punë të punonjësve bëhen sipas kritereve të pranimit në punë, të miratuara nga Këshilli Drejtues në përputhje me Nenin 29, Pika 2 e Statutit të RTSH-së”.

Në cilën mbledhje të Këshillit Drejtues është përcaktuar

PËRBËRJA E KOMISJONIT AD-HOC PËR TË PËRZGJEDHUR PUNONJËSIT E RTSH-SË?!

Në cilin statut jeni mbështetur?

Statuti i RTSH-së ka vetëm një nen me numrin 29!

Ta lëmë një çast mënjanë argumentin e mësipërm për të ardhur tek një tjetër pyetje.

Mund të ndodhë që të gjithë anëtarët e stafit të Drejtorisë së Përgjithshme, me ndonjë përjashtim, të vijnë nga i njëjti institucion?

E pra…

Drejtoresha e kabinetit.

Drejtoresha juridike.

Drejtori i sektorit ekonomik- financiar.

Drejtori i administratës.

Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit

Asistente e Drejtorit të Përgjithshëm.

Shefi i sektorit të kontabilitetit.

Përgjegjësja e pastrueseve…

Të gjithë këta, (përfshi edhe ju) kanë ardhur në Radio Televizionin Shqiptar nga Qendra Spitalore e Tiranës, ku ju keni qenë Drejtor!

Mund të bëhet fjalë për GARË, siç pretendoni ju, në një rast të tillë?

Shumë-shumë mund të quhet KOINCIDENCË që nuk arrin t’i shpëtojë humorit të korridoreve të RTSH-së ku herë-herë dëgjohet ndonjë pëshpërimë: “Ishallah nuk na detyrojnë të paraqitemi në punë me bluza të bardha”.

Madje “komisionet” e ngritura nga ana juaj kanë pasur në përbërjen e tyre komisione që nuk kanë kaluar VETË në asnjë komision.

Edhe pse ka kaluar kohë nga emërimi tyre, unë jam i mendimit se të gjithë ata, pa përjashtim, duhet japin DORËHEQJEN.

Të njëjtën kërkesë ua kam bërë shumë kohë më parë.

Unë ngulmoj përsëri se ata duhet të DORËHIQEN dhe të futen në garë, ashtu si e kërkon ligji.

Në të kundërt ata do të mbeten të PA LIGJSHËM përsa kohë do të rrinë ulur në ato karrige.

RTSH-ja është institucioni më i madh MEDIATIK e megjithatë në strukturën e tij drejtuese nuk ka asnjë GAZETAR!

Asnjë!

Edhe zëvendës Drejtori i Përgjithshëm, i cili sipas ligjit duhej të ishte punonjës i Medias, është INXHINJER!

Ndërkohë që Neni 13 i Statutit thotë:

“Zv. Drejtori i Përgjithshëm duhet të ketë përvojë pune ose drejtuese të DREJTËPERDREJTË në median e shkruar ose audiovizive jo më pak se pesë vjet”.

Zv. Drejtori i përgjithshëm është trajtuar në mënyrë të veçantë nga ana juaj.

Ai nuk ushtron vetëm funksionin e tij.

Ndërkohë ai është emëruar (me komandë) Drejtor i Prodhimit, e cila në organikën e saj ka rreth njëqind e shtatëdhjetë punonjës, ku pjesa më e madhe janë regjisorë, operatorë, montazhierë, skenografë, piktorë, me fjalë të tjera ARTISTË.

Dhe të gjithë këta udhëhiqen nga një INXHINJER!

Po ky INXHINJER është emëruar Drejtor i Festivalit të Këngës në RTSH!

Në konferenca ndërkombëtare, në delegacione të ndryshme, në marrëveshje ndërinstitucionale, si ajo me Radio Televizionin e Kosovës apo me RAI-n, Zv.Drejtori është i kudo ndodhur, ndërkohë që Këshilli Drejtues informohet për aktivitete të tilla të RTSH-së nga portalet e ndryshme, sikur të ishte Këshilli i Ndërmarrjes në Rrobaqepësinë Ushtarake të Gjirokastrës.

Përse ndodh kjo?

Sepse, ju i nderuar, i keni ushqyer vetes mendimin se Drejtoria e Përgjithshme është eprore e Këshillit Drejtues, ndërkohë që sipas ligjit është kundërta.

Por edhe pse e njihni ligjin ju e konsideroni KD-në një organizëm të përbërë nga njëmbëdhjetë noterë të cilët kanë vetëm një detyrë, të ngrenë dorën për të miratuar çdo propozim të bërë nga ana juaj.

Stafi i Drejtorisë së Përgjithshme, i cili nuk ka asnjë gazetar apo krijues, por vetëm inxhinierë, financierë dhe përgjegjës të ndryshëm, duket si një ekip që drejton “Uzinën Traktori” dhe jo një Institucion Mediatik!

Drejtori i Prodhimit dhe ai i Programeve, të cilët mbajnë peshën më të madhe në realizimin e programeve të Radios dhe Televizionit, nuk janë emëruar akoma edhe pse ju keni nëntë muaj në karrigen e Drejtorit të Përgjithshëm.

Pse…?

Procesi i rekrutimit të atyre që duhet të marrin përsipër udhëheqjen e punëve, kryesisht në fushën e krijimtarisë, nuk është i thjeshte.

Përkundrazi. Është sa i vështirë aq edhe delikat.

Ai kërkon modesti dhe vullnet nga drejtuesit më të lartë të institucionit për t’u konsultuar me profesionistë të zot jo vetëm brenda RTSH-së, por edhe jashtë tij.

E vetmja përpjekje nga ana e juaj në këtë rrafsh, është emërimi i Udhëheqësit Artistik të orkestrës Simfonike.

Pa e vënë aspak në dyshim dëshirën e mirë dhe personalitetin e tij artistik, jam i mendjes se emërimi i tij nuk ishte zgjidhja më e mirë.

Ai punon dhe jeton në Francë.

Cili do të ishte ndryshimi nga një dirigjent tjetër që vjen ca ditë në Tiranë, dirizhon koncertin dhe të nesërmen largohet përsëri?!

Misioni dhe detyrat e udhëheqësit artistik nuk janë të njëjta me ato të një dirigjenti të përkohshëm.

Për këtë arsye ato nuk mund të realizohen me “korrespondencë”.

Dhe për të kompensuar mungesën e prezencës së përhershme të Udhëheqësit Artistik pranë Orkestrës keni punësuar me kontratë një menaxher, i cili është i domosdoshëm për mbarëvajtjen e punëve të orkestrës. Mirëpo kur mësova se EDHE ky punon dhe jeton në Francë…?!

** ** *

Mungesa e gjykimi profesional në fushën e krijimtarisë artistike, hera-herës e vë Drejtorinë e Përgjithshme në një situatë të vështirë dhe shpesh propozimet e saj tingëllojnë amatoreske.

I tillë është rasti i fundit kur sollët për miratim në Këshillin Drejtuese “Draft-rregulloren” e Festivalit të Këngës në Radio Televizion.

(Propozimi mbante në fund shënimin: Ju lutemi bëni urgjent mbledhjen e Këshillin Drejtues për miratimin e rregullores sepse Festivali është në muajin Dhjetor).

E pra, Festivali ka plot gjashtëdhjetë vjet qe zhvillohet vetëm në Dhjetor!

Ky është një nga rastet tipike kur Drejtoria e Përgjithshme për të realizuar pikësynimet e saj, kërkon të “fshihet” pas votës kolegjiale të Këshillit Drejtues.

Sipas “Projekt rregullores” të paraqitur nga ana juaj, e cila u miratua (!) për herë të parë në historinë e Radio Televizionit Shqiptar, Drejtor i Festivalit të Këngës do të jetë një INXHINJER.

Megjithatë, për një çast le ta quajmë normal një emërim të tillë.

Ajo që është ANORMALE, janë kompetencat që i jep kjo Rregullore Drejtorit të Festivalit. Ato janë shumë, por unë po citoj dy -tre nga kompetencat:

  1. c) Emërimin dhe dhe shkarkimin pa arsye të Drejtorit artistik të Festivalit.
  2. f) Emërimin dhe shkarkimin pa arsye të Drejtuesit (prezantuesit) të Festivalit.
  3. g) Emërimin dhe shkarkimin pa arsye të Regjisorit të Festivalit.
  4. I) Emërimin dhe shkarkimin pa arsye të autorëve të Festivalit, në cilësine e autorit të skenarit letraro- artistik dhe të autorit të regjisë…

Këto dhe kompetenca të tjera i janë dhëne Drejtorit inxhinjer!

Ndoshta Neni 9 i rregullores është edhe më absurd.

Ja Neni 9:

“Kënga fituese e dalë nga votimi i PUBLIKUT, përfaqëson Republikën e Shqipërisë në Festivalin

European të Këngës. (Eurovision Song Contest 2023).

Me fjalë të tjera sipas këtij vendimi, verdikti për vlerësimin e këngës që do të marrë pjesë në Festivalin Europian nuk do të jepet nga një JURI PROFESIONISTE, por nga shumica e votave që do të vijnë, bie fjala nga ish kooperativistët e Tërbufit, azili i pleqve të  Rrogozhinës  apo ndërmarrja e përpunimit qumështit në Librazhd.

*  *  *

Sipas ligjit, skenarët dhe projektet e ndryshme në fushën e Gazetarisë apo të krijimtarisë artistike, miratohen në Këshillin Artistik.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se të gjithë anëtarët e tij, janë personalitete në fushat të ndryshme krijuese.

Megjithatë, hera-herës, në gjykimet e tyre ata bien “PRE” e presioneve të Drejtueseve të Institucionit.

Këta të fundit, shpesh herë e detyrojnë Këshillin Artistik të marrë në shqyrtim edhe projekte që nuk përmbushin kriteret sipas ligjit.

Gjithsesi, cilido qoftë presioni, Anëtaret e Këshillit nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë.

Të më ndjejnë, por rasti i miratimit të projektit për realizimin e filmit “Prokurori”, pa lexuar skenarin, duke u mbështetur vetëm tek Synopsys… është i pa falshëm.

Dhe për fat të keq ky nuk është rast i vetëm.

 

* *  *

Një nga problemet më të rëndësishme në transmetimin e projekteve të RTSH-së, i cili nuk ka gjetur zgjidhje, është CENSURA PROFESIONALE.

Shpesh në valët e Radios apo në ekranin e Televizionit transmetohen programe me nivel të ulët profesional. Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë, mungon CENSURA profesionale, ose mekanizmi që e bën të mundur atë.

Akush nuk ushtron kontroll PROFESIONAL përpara se të Emetohen Programet.

Kësisoj autoriteti i ekranit të RTSH-së është vetëm në “Duart” e Realizuesit.

Nga ana tjetër, Regjisorëve, Gazetarëve, Operatorëve,  Skenografëve u mungon “Ai” që t’u thotë një fjalë të mirë, t’u bëjë një sugjerim, një vërejtje, t’i përgëzojë…! Edhe një Udhëheqës Artistik i cili për tridhjetë vjet me radhë është përpjekur të luaj një rol të tillë, në strukturën e re është ELIMINUAR!

Ndoshta pas ndërtimit të STRUKTURËS SË RE ku mungojnë:

Departamenti i Filmit dhe Dokumentarit, Departamenti i Spektaklit Artistik, Departamenti i Programeve Artistike për Fëmijë.

Ndoshta udhëheqja artistike nuk është e domosdoshme.

*  *  *

Një nga prioritetet që zuri vendin kryesor në debatet e mbledhjes, e cila u bë shkak për të shkruar këto rreshta ishte MUNGESA e PROGRAMEVE ARTISTIKE në RTSH.

Përveç festivaleve të këngës dhe koncerteve për mbrëmjet e vitit te Ri, në Radio Televizionin më të madh shqiptar, për të cilin punojnë një mijë vetë, sinjali i të cilit mbulon të gjithë territorin e Republikës dhe shkon deri në skajet më të largëta të botës ku jetojnë shqiptarët, ka plot GJASHTË VJET që nuk ka realizuar qoftë edhe një spektakël artistik permanent.

AS EDHE NJË?!

Në një kohë, kur të gjithë Televizionet e Tiranës, qofshin kombëtare apo lokale realizojnë dhe transmetojnë shpesh, jo një, por disa spektakle të natyrës artistike.

Për më shumë se tredhjet vjet, Radio Televizioni Shqiptar ka transmetuar QINDRA spektakle për teleshikuesit, njeri më i suksesshëm se tjetri.

Nëpërmjet tyre janë promovuar dhe janë bërë të famshëm dhjetëra ikona të këngës dhe të humorit.

RTSH-ja ka qenë “materniteti “ i Vaçe Zelës, Koço Devoles, Stefan Gajos, Irma Libohovës, Vera Grabockës, Pali Kukes, Luan Zhegut, Albert Mingës, Sherif Merdanit e dhjetra, e dhjetra artistëve të mëdhenj të cilët morën EMËR prej tij.

Sot ai nuk është në gjendje të transmetojë për publikun shqiptar qoftë edhe një spektakël artistik?!

“Nuk e përballojmë financiarisht”!

Ky është justifikimi sa herë që shtrohet kjo kërkesë në Këshillit Drejtues.

“Nuk kemi para”!

Edhe pse në çdo mbledhje është kërkuar nga Anëtaret e Këshillit Drejtues, edhe pse ju personalisht e keni konsideruar mungesën e spektakleve artistike si një MUNGESË TË MADHE, sot e kësaj dite, ato i mungojnë ekranit tonë.

Nisur nga debatet e mbledhjes së fundit, por edhe nga probleme të ngritura më parë, ju bëtë një deklarate të pazakontë.

“Në qoftë se gjendja e krijuar në RTSH nuk ndryshon deri në muajin mars, unë do të jap DORËHEQJEN”.

Deklarata juaj në mbledhjen e Këshillit Drejtues, sipas gjykimit tim, ishte e nxituar dhe emocionale.

Unë personalisht nuk e mbështes një deklaratë të tillë.

Sidoqoftë, duke dëgjuar nga goja juaj konstatimin për gjendjen në të cilen ndodhet institucioni i ynë, shpresoj që edhe ndonjë nga anëtaret e KD, i cili ka “nxituar” për të votuar propozime që nuk e ”shpien ujin” atje ku duhet të mos “ngutet” përsëri .

Zoti Drejtor, sipas gjykimit tim, juve nuk duhet TË JEPNI DORËHEQJEN nga posti që mbani.

JU DUHET TË HIQNI DORË nga Strategjia e Drejtimit të Institucionit.

 

 

* *  *

 

Shënim i veçantë 

Gjithë sa kam shkruar në këto rreshta, me ndonjë përjashtim, i kam shtruar në mbledhjen e Këshillit Drejtues. Gjithçka është e regjistruar dhe pasqyruar në proces-verbal.  

Please follow and like us: