Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA: Dronët iranianë për Rusinë shkelin sanksionet

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pajtohen me aleatët perëndimorë që Irani e ka furnizuar Rusinë me dronë shpërthyes, duke shkelur sanksionet e Kombeve të Bashkuara.

Kievi është goditur me të ashtuquajturit “dronë kamikazë” më 17 tetor, të cilët janë lëshuar nga Rusia, mirëpo besohet se janë prodhuar nga Irani.

Për sulme të reja është raportuar në Ukrainë edhe më 18 tetor, duke shënjestruar infrastrukturën kritike të energjisë.

Ende nuk dihet nëse dronët kamikazë janë përdorur edhe për sulmet e së martës.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se pajtohet me vlerësimet franceze dhe britanike që dronët shkelin rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kjo rezolutë, e lidhur me marrëveshjen bërthamore të Iranit, ua ndalon iranianëve transferimin e disa pajisjeve teknologjike ushtarake.

Ukraina ka identifikuar dronët si armë iraniane, Shahaed-136.

Pse quhen dronë kamikazë?

Ata quhen dronë kamikazë pasi dy pilotë ushtarakë japonezë kanë kryer misione vetëvrasëse në Luftën e Dytë Botërore.

Këta dronë shpesh nisen në grup dhe vështirë vërehen përmes radarit.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Irani ka planifikuar që të dërgojë qindra dronë të tillë në Rusi dhe se secili kushton 20.000 dollarë.

Edhe Ukraina ka përdorur “dronë kamimazë” – përfshirë një model të prodhuar nga Shtetet e Bashkuara.

“Ne besojmë se këta dronë, që janë transferuar nga Irani në Rusia, dhe janë përdorur nga Rusia në Ukrainë, janë në mesin e armëve që do të mbesin nën embargo sipas rezolutës 2231”, ka thënë, Vedant Patel, nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Irani hedh poshtë mundësinë e furnizimit të Rusisë, mirëpo Patel ka thënë se SHBA-ja “ka bërë të ditur publikisht se Rusia ka pranuar dronët nga Irani dhe që kjo gjë ka qenë pjesë e planit të Rusisë për të importuar qindra dronë iranianë”.

Ai ka thënë se ekzistojnë “dëshmi” të mjaftueshme për përdorimin e tyre nga ana e Rusisë në Ukrainë.

Sulmet ruse kanë shënjestruar të hënën infrastrukturën kritike në Kiev, në Dnjipro dhe Sumi, dhe për pasojë shumë qyteza dhe fshatra kanë mbetur pa energji, ka thënë Qeveria në Kiev.

Të paktën tetë persona janë vrarë – katër në Kiev dhe katër në Sumi.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do ta mbajnë “Rusinë, përgjegjëse për krime lufte”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Aleanca Rusi-Iran

Patel ka thënë se thellimi i aleancës në mes të Rusisë dhe Iranit është diçka që e gjithë bota duhet ta shohë si kërcënim.

Rusia dhe Irani kanë ofruar ndihmë ushtarake kyçe për presidentin sirian, Bashar al-Assad në luftën civile të Sirisë.

“Kushdo që bën biznes me Iranin, që mund të ketë lidhje me dronët, me zhvillimet rreth raketave balistike, apo me bartjen e armëve nga Irani në Rusi, duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë që të përdorin sanksionet”, ka thënë Patel.

Sulmet e së hënës janë regjistruar pasi Rusia ka nisur një mori raketash në Kiev dhe qytetet tjera ukrainase një javë më parë.

Analistët perëndimorë besojnë se armët iraniane janë duke i ndihmuar Rusisë që të vazhdojë sulmet me rreze të gjatë, pavarësisht mungesës së precizitetit të raketave.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se Bashkimi Evropian është duke mbledhur po ashtu të dhëna për dronët iranianë dhe është i gatshëm të veprojë – duke dhënë shenja për mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja.

Negociatat për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, janë bllokuar tani për tani.

Sipas marrëveshjes me fuqitë perëndimore, Irani është pajtuar për të kufizuar aktivitetet bërthamore, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Përgatiti: Krenare Cubolli
Please follow and like us: