Diplomati dhe analisti Shaban Murati promovon librin “Rusët po vijnë”: Faktor negativ historik për çështjen shqiptare
Diplomati dhe analisti i njohur, Shaban Murati promovoi sot botimin e tij të ri “Rusët po vijnë”, një përmbledhje analizash ndër vite mbi rrezikun e faktorit rus mbi Shqipërinë dhe Ballkanin.
Në aktivitet morën pjesë politikanë, diplomatë, gazetarë si dhe miq e dashamirës të autorit. Të pranishëm ishin edhe ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, këshilltari i presidentit Bajram Begaj për diplomacinë, Fatmir Çela, etj.
Në fjalën e tij, autori Shaban Murati renditi disa nga arsyet e botimit të këtij libri. Ai tha se ishte nisur nga 3 shqetësime kryesore.
“Shqetësimi i parë, mbrojtja e çështjes kombëtare nga faktorë të jashtëm të fuqishëm si Rusia, e cila ka qenë faktor negativ për Shqipërinë dhe shqiptarët që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 e deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.
Shqetësimi i dytë ka qenë nevoja që diplomacia shqiptare të aftësohet me problemet që ndesh në rrugën e saj me faktorin rus, në momentin kur ky problem ndodh. Pra, ka rëndësi që për një zhvillim të caktuar të përgjigjesh në moment, të jesh gati për ngjarjen aty ku ndodh.
Ndërkohë që politika e jashtme, nuk është domen i qeverisë, por është domen i shtetit”, deklaroi Murati, i cili ka një eksperiencë mbi 50-vjeçare me diplomacinë dhe politikën e jashtme. Në promovim folën për librin dhe veprimtarinë e autorit, publicisti Pano Hallko, profesor Enis Sulstarova, etj.
Botimi i librit “Rusët po vijnë” u mundësua nga fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” dhe kryetari i saj, Alket Veliu./gsh.al