Albspirit

Media/News/Publishing

Thanas Dino: LIBRI PËR GJYSHËRIT NGA MËMA

 

 

 

Si mbaroi librin e parë, atë për gjyshërit nga babai, biografi Vasil Muka, me një lloj përpëlitjeje, siç e përshkruan vetë, u ndie i detyruar të vazhdojë me librin për gjyshërit e tjerë nga mëma.

E kish më të vështirë, jo se ata banonin një çerek qyteti larg të parëve, ku autori u rrit, gjë që ndihet nga përshkrimet balzakiane të imtësive që u bëhen ngjarjeve dhe njerëzve, por ka arsye të tjera, më të thella e të rënda, të kuptueshme për ata që e njohin atë fis. Ata dukeshin si të hedhur e të kaluar në mërgim, në harrim, në një mohim me paragjykime, ku sundonte diferencimi politik. Ishin bërë të huaj dhe për të vetët. Këta ishin Papavangjelajt, burim nga Labova e Vogël e Zhapës, fshati me histori.

Pak i ndryshëm nga libri i parë, por i shkruar me të njëjtin patos e informacion sa ai, ‘’Papavangjelajt’’ japin kohën nga një optikë tjetër. Kontributi kryesor besoj se është psikoza e të përndjekurit politik; si tjetërsohen dhe dalin nga vetja familjet me ‘’damkë’’, si ndahen e bëhen të huaj, si venë deri aty sa të akuzojnë dhe të vetakuzohen. Kështu është dhënë jeta e familjeve të këtilla në Gjirokastër, Vlorë, Qestorat, Tiranë, Greqi, Amerikë etj. Kapitull më vete i kësaj drame është jeta e njerëzve të ndarë nga kufiri.

Autori i librit dhe vëllai i tij më i madh, Panua, mik imi, më kanë thënë se nëna e tyre, sa herë i binte rasti dhe duhej të kalonte rrugën që zbret për Varosh, para vilës kthente kokën nga ana tjetër, për të mos iu drejtuar ndonjë i zellshëm, borgjeze, e ke mendjen te pasuria dhe regjimi shtypës. Si padashur ky zakon po u ngjitej edhe atyre.

Gjenealogjia e fisit është veshur me tregime, jetë e portrete njerëzore dhe ngjan si një pemë mbushur me gjethe e fruta.

Gjenealogjia, kalvari i persekutimit politik dhe saga e pambyllur gjyqësore për pronat janë në linjat e librit.

Shenjë e kulturës dhe e aftësisë letrare është dhe mënyra si janë dhënë në libër Papavangjelajt, Zografot, Tolajt, Qirkot, Papajt, Dadot, Angjelajt etj., që ishin fise të njohura, nga ata që në Perëndim thirren familje të mëdha, që përmes krushqive do të krijonin dinastinë shqiptare. Sistemi që vendosi patrioti i tyre, Enver Hoxha, i preu ata me sëpatë, siç prishi e shpërbëri gjithë fiset e mëdha të qytetit. Kjo ishte një nga bazat e platformës së regjimit, po dhe një gjë që duket i shkonte shpirtërisht prijësit të tij.

Kam qenë në Labovën e Vogël, vendorigjina e Papavangjelajve, në Qestoratin e Zografove, kam qenë dhe në Hotovë të Përmetit, fshat i boshatisur tanimë, vendorigjina e Arsaqit. Këto vende kanë dhënë tre donatorët më të mëdhenj të Epirit e Ballkanit, Zhapën, Arsaqin dhe Zografon, kontributi i të cilëve nuk është vlerësuar sa duhet dhe e meriton. Në vitin 2007 Niko Zografua, i fundmi i fisit, nxënës i Enver Hoxhës në Liceun e Korçës, më ka thënë: Papavangjeli, krushku ynë, u thoshte njerëzve të shtëpisë, pushoni, se fjala del nga oxhaku edhe vete te regjimi, i cili i prishi të dy palë familjet.

Libri i Vasil Mukës, autorit që i shtohet radhës së gjatë të rrëfyesve dhe piktorëve që kanë dhënë Gjirokastrën, duke qenë një punë testamentale për fiset e njohura, është njëherësh libër për qytetin, që ndriçon një anë jo fort të ndriçuar të tij, botën e krishterë, këtë komunitet të gjerë me shumë kontribute në progresin, në larminë dhe bashkëjetesën e qytetit.

Isha i pranishëm në ceremoninë për titullin “Mirënjohja e qytetit” dhënë nga Bashkia për Papavangjelajt, si dallëndyshet e kapitalizmit në Gjirokastër. Pas fjalëve të rastit u ftuam të vizitojmë vilën e rikthyer te pasardhësit. Hera e parë që e shihja me imtësi. Më kanë mbetur në sy disa pllaka në katin e parë, mbi të cilat ishin ngjitur letra të bardha ku shkruhej, vend floriri. U kërkova të zotëve të sotëm të më shpjegonin më shumë. Nuk besoj se pas kontrolleve të shumta që janë bërë në themelet e shtëpisë në kohën e luftës, nga të nacionalçlirimtares, ballistët dhe pushtuesit, të sekuestrimit e shtetëzimit, më vonë dhe nga ‘’qiraxhinjtë’’ e shumtë funksionarë të regjimit, kryesisht ushtarakë, trashëgimtarët të kenë gjetur diçka nga pasuritë e shumta të gjyshërve të tyre, Papavangjelajve.

Por prej gërmimeve ka dalë flori i madh, jo lirë, po pendolirë, ky libër i pasardhësit të denjë, atij që trashëgon emrin e Basho Ciles, Vasil Mukës së Ri.

Please follow and like us: