Albspirit

Media/News/Publishing

Ymer Çiraku: NJË LIBËR PËR BABAZOTËT

Para disa kohësh, një shoku im i fëmijërisë dhe rinisë së hershme, Vasil (Baçi) Muka, më ofroi për të lexuar një libër të tij në dorëshkrim, kushtuar jetës së babazotëve të tij. Një vend të konsiderueshëm këtu zë sidomos figura e aq të njohurit në Gjirokastër, Cile Mukës, babazotit (gjyshit) të tij nga ana e babait. Libri është shkruar, pra, nga pasardhësi i Basho Ciles, një mësues ky i talentuar dhe që për shumë vite ka punuar si drejtues i arsimit në rrethin e Gjirokastrës. Dua të ndaj disa përjetime mbresëlënëse prej leximit të tij.

Vasil (Cile) Muka (1883-1972) mbetet një figurë emblemë e qytetit të Gjirokastrës dhe më gjerë. Ai pati emër në kohën e tij dhe vazhdon që ta ketë të pashlyer nga kujtesa e shumë njerëzve edhe sot e kësaj dite, jo pse ishte protagonist i ndonjë ngjarjeje të madhe historike, apo se u dallua për ndonjë akt të veçantë apo të çartur të atij qyteti. Jo, ai ishte dhe mbeti qytetari i përkushtuar në atë lokalin e tij fare të thjeshtë nga jashtë, por që ishte aq i madh për njerëzit e shumtë frekuentues dhe kuvendet që lëvonin atje. Ishte një lokal i ngritur shumë vite para Luftës së Dytë Botërore dhe që vazhdoi edhe më pas, deri sa u lejua prona private në kohën e socializmit Mblidheshin në atë lokal njerëz të të gjitha shtresave e profesioneve: shoferë, tregtarë, postierë, intelektualë, shkrimtarë, gazetarë, nëpunës, gjykatës, studentë, pushtetarë partiakë, librarë, hamenj, policë, mjekë…, të cilët gjenin atje, pa dallim mes tyre, shërbimin e pastër e plot përkushtim, pa ato salltanetet e jashtme formale e pa bereqet. Ai ambient ishte për ta një fole e ngrohtë, ku zienin diskutimet si në agoratë antike, pa u ndier fare hierarkitë e pushteteve të çdonjërit, transmetoheshin lajmet më të fundit mes tyre dhe nën zë – edhe nga ato më delikatet e qytetit dhe të botës mbarë. Njeriu këtu, nën aromën e qofteve me nam të Ciles dhe nën avujt e kupave të verës e rakisë qelibar e ballë kazani, përjetonte një copë herë kënaqësinë e kuvendit të lirshëm, pa sinore mendimesh e prapamendimesh. “Cile Mukën e kam pranë dhe kulturën përkarshi” do ta titullonte një shkrimin e tij në gazetë Dritëro Agolli, ku vinte përballë me shpoti gjallërinë e një lokali modest me qetësinë e plogësht të ngrehinës së pallatit të kulturës të qytetit.

Libri, i shkruar nga nipi për gjyshin (babazotin), doemos që krijon një emocion të veçantë, sepse dëshmon lidhjen dhe respektin e mirënjohjen mes brezave, si shenjë qytetarie dhe nderimi për traditat. Dhe kjo është e natyrshme, sepse Gjirokastra, në fakt, është vetë traditë dhe tërë ansambli arkitekturor dhe shpirtëror i saj e rrezaton më së miri e më qartazi këtë ndërlidhje kaq të harmonishme e mbresëlënëse mes brezave dhe epokave. Duhet vlerësuar se gradualisht po krijohet edhe te ne tradita e jetëshkrimeve të familjeve, të cilat janë ato qelizat vitale, prej të cilave krijohen krahinat e pastaj vetë Atdheu, ky universi ynë i Shenjtë. Për jetën në Gjirokastër, për traditat zakonore dhe karakteristikat gjuhësore janë shkruar jo pak kronika, jetëshkrime e studime me vlerë si p.sh. ato nga Musine Kokalari, Lefter Dilo, Muzafer Xhaxhiu, Mimoza Karagjozi Kore, Baftjar Dobi, Shpëtim Emiri, Andon Lula, Sotiraq Paskali dhe të tjerë.

Ky libër i ri, besoj si edhe për të tjerët, është veçmas i veçantë edhe për mua. Kam kaluar fëmijërinë dhe rininë e parë në lagjen “Pazar i vjetër”, shtrirë nën kalanë e qytetit, fare pranë mitropolisë, ku ngjitur ishte shtëpia e Basho Ciles. Kam qenë pothuaj moshatar me Vasilin, kemi ndarë lojërat dhe bisedat plot fantazi me njëri- tjetrin. Si banorë të asaj lagjeje rrëzë kalasë dhe ndofta më e vjetra e qytetit, kemi pasur rastin të jemi ndër të zgjedhurit edhe në festat e krishtera – për të marrë pjesë plot zell në ceremonitë fetare që organizoheshin për Krishtlindje, apo në ditët e Pashkëve në mjediset e mitropolisë. Kemi pasur privilegjin të vishnim petkat ceremoniale, për të kaluar nën ritmin e korit kishtar të burrave – poshtë tryezës hijerëndë, ku qëndronte libri i shenjtë. Pastaj vazhdonim me gjithë të tjerët ritin e ecjes disa herë rrotull kishës, nën dritën e qirinjve dhe duke përsëritur formulat e lutjeve biblike. Ishte si një ëndërr magjepsëse e plot mister për ne, që e përjetonim me aq seriozitet e devotshmëri, sado që ishim ende fëmijë.

Pikërisht asaj rruge të lagjes sonë kam parë të kalonte për në lokalin e tij Basho Cilen dhe tërë dinastinë Muka, të rritur e të vegjël, ku secili prej tyre kishte rolin e vet, kush duke mbajtur tepsitë e qofteve, kush taset e mëdha të urles, trastat me bukë e zarzavate etj. Në atë qytet kam parë atë lidhje e harmoni të mrekullueshme familjare që funksiononte si një koshere bletësh, ku secili kishte dhe kryente rolin e vet. Kujtoj p.sh. një shtëpi, diku nga fundi i agjencisë së udhëtarëve, që ngjante si një kështjellë nga përmasat (ashtu si edhe ajo e Ciles në pjesën e sipërme), ku thuhej se jetonin në harmoni një varg vëllezërish me fëmijët e nipërit e tyre. Plaku i shtëpisë, “babazoti”, hijerëndë e me këpucët me proka, që i kërcisnin autoritetshëm në kalldrëmin e Qafës së Pazarit, kur hynte në dyqanin e bukës, e shihnim të ndjekur nga një tufë nipërish nga pas, tek u vendoste nëpër trasta mbase edhe 20 copë bukë. Ishte furnizimi ditor i asaj shtëpie kështjellë, ku tregonin se jetonin bashkë disa dhjetëra frymë njerëzish.

Në rrugën e kësaj lagjeje të nënkalasë shikoje të kalonin banorë të profesioneve, moshave e tipave nga më të ndryshmit e më të çuditshmit. Rrallëherë andej dukej të kalonte hijerëndë edhe dhespoti i mitropolisë, për të cilin ne fëmijët kishim dëgjuar se në vitet e luftës kishte lënë kishën dhe kishte dalë malit si luftëtar antifashist dhe që vazhdonte të mbante ende koburen e luftës në brez. Me veladonin e tij të zi dhespoti na dukej, tek ecte aq lehtazi dhe hijshëm, thuaj sikur më shumë kishte të bënte me qiellin se me tokën. Lidhjen me tokën ngjante se ia siguronte vetëm bastuni i tij impozant, me trokëllitjen ritmike mbi kalldrëm. Po ashtu, mund të shihje të ecte ngadalë e i kërrusur paksa mbi bastun, i përhumbur në botën e tij, poetin e motshëm dhe flokëborë Ramiz Harxhi, një personazh mjaft i njohur ky, që vinte qysh prej kohës së Rilindjes. Madje kishte qenë edhe vatran i përkushtuar në vitet e emigracionit të tij në SHBA, ku flitej se kishte pasur njohje me Nolin, Konicën e të tjera figura të shquara të mërgatës atje.

Autori i librit në qendër ka vendosur figurën e Cile Mukës, por atë e ka vështruar të pashkëputur nga rrethi i njerëzve dhe mjedisi ku ai jetoi e punoi. Kjo, sigurisht, që e ka pasuruar galerinë e personazheve dhe tërë ngjarjeve e situatave të llojllojshme, të ndodhura nëpër kohë e mjedise të ndryshme. Prandaj mund të thuhet se nëpër faqet e librit është endur me vërtetësi dhe plot kolorit një kronikë e gjallë enciklopedike e jetës së atij qyteti.

Cile Muka shihet të mbetet përherë në komandë të punës e të familjes, plot autoritet dhe i drejtë, me dinjitetin e një sovrani. Të mrekullon vizioni i tij për t`i dhënë aq frymëmarrje të madhe edhe një lokali modest për nga përmasat. Shpirti i tij tregtar dhe plot fantazi kishte kuptuar se me çfarë mund të tërhiqeshin klientët: me pak shpenzime dhe të provonin sa më shumë kënaqësi për atë që konsumonin. Kishte krijuar menunë e tij aq të shijshme, por kishte krijuar në mjediset modeste të kopshteve rreth shtëpisë edhe një furnizim “bio” me lloj-lloj zarzavatesh të përzgjedhura, disa prej të cilave, me fidanë të sjellë nga vise e krahina të ndryshme, deri prej Italisë. Ishte njeriu me intuitën e tregtarit aq praktik, saqë kishte menduar qysh shumë vite më parë, kur ende nuk ishte krijuar kjo kulturë, të mbulonte me siguracione jo vetëm shtëpinë e tij, por edhe lopën, madje edhe ahuret e barit.

Mund të thuhet se libri është edhe një album me vlera dokumentare i atij qyteti, ku pasqyrohen njerëz e kronika ngjarjesh në periudha të ndryshme historike të tij. Këtu gjejmë të dhëna historike, antropologjike, toponomastike, kulturore, zakonore. Të mbeten në mendje edhe objektet e përshkruara brenda shtëpive karakteristike gjirokastrite me sepetet, kandarët, muslluqet, petësat e tëholljes, satëret, çengelët, jukun e shtrojeve…Pse jo, mund të thuhet se është një lloj enciklopedie në miniaturë e botës shpirtërore të atij qyteti.

Sikundër lexojmë në faqet e këtij libri të shkruar me aq dashuri e përkushtim nga V. Muka, nuset e djemve Basho Cilen e thërrisnin plot nderim “imzot”, kurse nipërit e mbesat “babazot”. Ndihet në këto emërtime të traditës shqiptare një nderim e adhurim vërtet qiellor.

Dhe për gjithë gjirokastritët dhe të tjerët prej anëve të ndryshme që e njohën, Vasil (Cile) Muka mbeti një zotëri i vërtetë.

Thanas Dino: LIBRI PËR GJYSHËRIT NGA MËMA

Please follow and like us: