Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumenti, si u fut gjuha shqipe në shkolla gjatë pushtimit turk, shteti osman 75 mijë guru për ndërtimin e Kishës në Shkodër

Eneida Jaçaj

Arkivat turke përmbajnë shumë dokumente të vjetra historike, sa i takon marrëdhënieve mes dy shteteve tona, gjatë pushtimit osman. Dokumentet i përkasin harkut kohor nga viti 1664 deri më 1914, gjatë periudhës kur Shqipëria qeverisej nga Porta e Lartë, dokumente të cilat do të shërbenin si objekte studimi për historianët shqiptarë. Madje, për këtë, profesionistë shqiptarë të Turqisë që kanë punuar në arkivat turke, kanë shpallur projektin për të përkthyer dokumentet për Shqipërinë nga osmanishtja, projekt i cili ka nevojë për financim. Për të përkthyer dokumentet voluminoze kërkohet staf pune me profesionistë që dinë të lexojnë dhe përkthejnë këto dosje, nga gjuha osmane e vjetër. Iniciatorët e projektit i bëjnë thirrje Diasporës, biznesmenëve, etj, e më gjerë, të financojnë me aq sa munden projektin, pasi dokumentet e vjetra janë pasuri historike, të cilat shëbejnë për të hedhur dritë mbi marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, gjatë pushtimit osman në trojet tona. Dokumenti që po paraqes është një prej shumë dokumenteve të arkivave të Turqisë, i cili përfshin 116 dokumente të ndara në 9 tematika me një shtrirje kohore mes viteve 1664-1914. Me paraqitjen e këtij dokumenti nuk kam për qëllim të jem në anë të Turqisë, as sot dhe as kur Shqipëria u pushtua nga Perandoria Turke, por le të shërbejë si indicie për të hedhur dritë mbi të vërtetat historike të asaj periudhe dhe marrëdhënieve mes dy vendeve. Çdokush ka të drejtë të reagojë për të ballafaquar faktet historike me këtë dokument, duke e ccuar në vend historinë dhe identitetin e kombit shqiptar.

Gjuha shqipe

Gjuha shqipe është pjesë e gjuhëve indoeuropiane, vazhdim i ilirishtes, dhe ky dokument fakton edhe një herë se sa e vjetër është gjuha jonë. Sipas dokumentit, qeveria e Portës së Lartë propozoi ligjin për futjen e gjuhës shqipe në licetë që ndodheshin në Shqipëri. Shkolla e parë shqipe zyrtare u hap më 7 mars 1887, kur Naim Frashëri mori leje nga Porta e Lartë. Pra, momenti i futjes së gjuhës shqipe në shkolla, gjatë pushtimit osman, vjen pikërisht nga përpjekjet e vazhdueshme të patriotëve shqiptarë për t’i kthyer ccdo ditë lavdinë dhe vendin e munguar, kombit shqiptar. “Propozimi për ligjin në lidhje me shtesën në fondin e zyrave administrative në lidhje me buxhetin e Ministrisë së Arsimit për vendosjen e gjuhës shqipe, që është gjuha vendore, si lëndë mësimore në licetë e Shqipërisë”, thuhet në dokument. Gjithashtu iu kushtua rëndësi të madhe hapjes së shkollave për të përçuar dije. Sipas dokumentit, u hapën shkolla në mbarë vendin dhe u punësuan shumë mësues. Shkollat u hapën dhe në fshatra të thella, ku merrnin dije të gjitha moshat. “Megjithëse në Durrës gjendet një lice (idadije) dhe nga një shkollë ruzhdije në të katër qendrat e kazave, si dhe shkolla fillore në 232 fshatra, të gjitha këto nën varësinë e vilajetit të Shkodrës, të gjitha këto insitucione nuk mjaftojnë që të përballojnë nevojat e vilajetit; prandaj merret vendimi që të hapet një Darulmuallimin dhe një lice në qendrën e Shkodrës”, thuhet në dokument. Pas inaugurimit të liceve u hapën gjithashtu 500 shkolla fillore në fshatrat e vilajeteve të Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. “Çelja e një liceu (idadije) në Elbasan, Prizren dhe Durrës, shtyrja e afatit të inagurimit të shkollave idadije që mendohej të kryhej në Prevezë dhe Shkodër, vlerësimi si më i rëndësishëm i çeljes së shkollave fillore (ibtidaije) të fshatit me sasinë monetare që do të mbeten prej tyre; ndihma nga ana e bashkive për fondin e darulmuallimin-eve, ngarkimi me detyrën e mësimdhënies në shkollat fillore të nxënësve të ngarkuar me këtë detyrë në vilajete; nga ana e shtetit duhet të ndërtohen rreth 500 shkolla fillore (ibtidaije) nëpër fshatrat që nuk kanë mundësi ti ndërtojnë vetë ato, shpenzimet monetare të të cilave mendohet të përballohen pjesërisht nëpërmjet taksës që grumbullohet për bagëtitë e prera në qytete”, thotë dokumenti.

Respektimi i fesë së krishterë

Përpos lejimit të futjes së gjuhës shqipe në shkolla, ajo që vihet re në këtë dokument është se Porta e Lartë lejonte respektimin dhe lëvrimin e fesë së krishtere. Perandoria Turke nuk lejonte vetëm martesat mes muslimanëve dhe të krishterëve, ku, sipas Tanzimatit, ato familje që i martonin vajzat muslimane me djem të krishterë, do të duhej të paguanin gjobë. Megjithatë, sipas dokumentit, respektohej prakticizmi i riteve fetare dhe, madje u hapën shkolla katolike dhe u ndërtuan kisha gjatë pushtimit osman. Shteti perandorak ndihmoi me 75.000 guru për përfundimin e punimeve të kishës në Shkodër. “Me kërkesën për ndihmë humanitare drejtuar shtetit perandorak për përfundimin e punimeve të kishës që ka nisur të ndërtohet në Shkodër, kërkesë që ka si qëllimi që të krishterët e Shkodrës “të krenohen kur të thonë se kishën e kemi përfunduar me ndihmën zemërgjerë të shtetit perandorak otoman”, sulltani ka lëshuar urdhëresën që nga zyra e Thesarit të dhurohen 75.000 gurush”, thuhet në dokument. Gjithashtu, siç e thashë më sipër, u ndërtuan shkolla për vajzat e krishtera si në Gjirokastër, Durrës, Fier, Berat etj. “Lejimi i fillimit të ndërtimeve të ndërtesës që parashikohet të funksionojë si shkollë për vajzat e popullsisë së krishterë në sanxhakun e Gjirokastrës. Në nahijen e Fierit që varet nga sanxhaku i Beratit gjenden 400 njësi banimi (hane) jomuslimane dhe me këtë rast lejohet që shkolla e vajzave ortodokse të nahijesë të rindërtohet duke u zgjeruar në përmasa 16,30 metra e gjatë dhe 5 metra e gjerë, ndërtim që kap vlerën e 4.700 gurushëve”, thuhet në dokument. Ky dokument përmban edhe shumë pika të tjera që tregojnë mënyrën se si qeveriste Porta e Lartë në Shqipëri. Reagimet, kundërreagimet, argumentet janë të mirëpritura, pasi këtu ceket historia jonë shqiptare.

Please follow and like us: