Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: KA VETËM NJË KOMB SHQIPTAR!

Besoj se ata që duan t’i flasin botës, e sidomos, Evropës për Kombin shqiptar dhe për të drejtat e shqiptarëve – do bënin mirë t’i referoheshin një fjalimi klasik, në historinë e oratorisë shqiptare – i cili megjithëse mbajtur më shumë se një shekull më parë, tingëllon aq aktual edhe për botën e sotëme, atë të huaj por edhe për botën tonë shqiptare, e cila do duhej të dinte pak më shumë se të huajt – se cili është Kombi shqiptar ndër shekuj dhe kush janë të drejtat natyrale të shqiptarëve. Po i referohem fjalimit klasik dhe historik të At Gjergj Fishtës mbajtur në Konferencën e Paqës në Paris, në vitin 1919 – Fjalimit të titulluar: “Shqiptarët dhe të drejtat e tyre”. Fjalimi i Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris (1919) – Arbresh.info.  Kam drojë se shqiptarëve “modernë” e “kozmopolitanë” që e mbajnë veten si të tillë para audiencave të Evropës – gjuha shqipe e At Gjergj Fishtës, e përdorur në atë fjalim, mund tu duket shumë arkaike dhe mendimet e tija tepër të prapambetura. Sidomos, fjalët e Fishtës së madh në mbrojtje të identitetit historik dhe gjeografik të njësisë kombëtare dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore. Sa për ilustrim, disa prej referencave të Fishtës për Kombin shqiptar dhe për të drejtat e shqiptarëve në Konferencën e Paqës në Paris, më shumë se një shekull më parë. Ai mbrojti një Komb të vetëm shqiptar dhe të drejtat e të gjithë shqiptarëve, pa dallim anë e mbanë trojeve të veta.

“Veç shka se mbasi u kapën me këte të madhnueshmin kryeqytetin tuej – ku sot asht ngrehë Areopagu i rrokull Botës – puna na doli krejt ndryshe se kishte kenë fjala e atyne ushtarëve tuej. Pamë e u vertetuem se anmiqtë tanë, jo veç që nuk ishin tue dashtë me na i kthye viset, që me dhunë na i kishin grabitë, por ma tepër, llastue prej krahut të fuqishëm që po ua mbajnë do nder Pushtete të mëdha të Europës, lypin me shty ma thellë kufinin nder vendet tona e me shkepë krahina të tjera prej Shqipnisë. Pame e u vertetue, se, për me i dalë ma lehtas këtij qellimi, ata rrijshin tue shpifë në një mënyrë krejt të pandershme Kombin ShqiptarShka nuk kanë thanë e botue kunder Kombit Shqiptar të mjeruem! Çnjerzimi i tyne në të shpifuna kundër Shqiptarve asht shtye aq larg, sa ndokush ndër ta ka mërrijtë me shkrue e me botue në një farë shtypi poshtërsisht të shitun interesave të tyne, se na Shqiptarët edhe fiziologjisht e biologjisht ishim ma poshtë se rodi tjetër i njerzimit.

E, madje, me këto të shpifuna të veta kanë mërrijtë me ua marrë mendtë botës së qytetnueme, sa që agjencitë telegrafike të këtueshme po na i kthejnë pajtimet tona e fletoret e vendit ose nuk i pranojnë kurrfare artikujt tanë, ose na lypin çmime të çuditshme e per t’u njehë ndër përralla – deri në 50.000 Frank për artikull! – veç si me na i mbyllë shtigjet që me u dalë zot të drejtave tona.  Mos u çuditni, pra, zotni, që unë po kam guximin me ju dalë para në këte Atene të përmendun, – kenë gjithmonë dritë e shkelqyeshme qytetnimi e përparimi të vërtetë – e po shpërvjelëm me ju folë me një theks gjuhe të huej e nën një formë krejt të përvujtë ligjerate mbi Shqiptarët e mbi të drejta të tyne. Thika ka mërrijtë në asht; sot po i ndahet fati Botës. Jo veçse asht në pavarësia, e sipërania e Shqipnisë, por asht në rrezik jeta e Kombit Shqiptar. Sot, a vdekje a metja për Shqipninë e për shqiptarët. Nuk kishe me dijtë me thanë, e vërtetë, se deri ku fjalët e mija kanë me mërrijtë ta mënyrsojnë fatin e Shqipnisë; por bujaria e njohun e zemrave tueja, më jep shpresë të madhe, se, mostjeter, kam me nxjerrë prej jush një fjalë ankimi mbi kobet tona e mbi dhunë e padrejtësi që po i bahet Kombit Shqiptar. Asht disi një farë ngushllimi për të mjeruemin e ngratë me dijtë, se ka në shekull ndonjë zemer që ankon për te. E prandej n’ emen të Dergatës, të qeverisë e të Kombit Shqiptar mbarë i falemnderës Rektorit të përshndritshëm të këtij Universiteti, për mirësinë që pati, tue më sjellë mënyren se si me u pjekë e me bisedue me Zotninë tuej”.

Në Konferencën e Paqës në vitin 1919 në Paris, At Gjergj Fishta foli në  “emën të Dergatës, të qeverisë e të Kombit Shqiptar mbarë”?  Po, sot kush flet në emër të “Kombit Shqiptar mbarë”? Unë për vete, fatkeqsisht, nuk kam një përgjigje se kush, në të vërtetë, flet sot në emër dhe në mbrojtje të interesave të Kombit shqiptar dhe të drejtave natyrale të tij, anë e mbanë trojeve shekullore shqiptare. Kjo është në pyetje ekzistenciale kombëtare që kërkon përgjigje dhe llogaridhënje nga klasa e sotëme politike shqiptare – qoftë nga Tirana zyrtare, qoftë nga Prishtina zyrtare – si një prej përgjegjësive themelore të tyre, në mbrojtje të cilësive, identitetit dhe interesave kombëtare të të gjithë shqiptarëve kudo dhe pa dallim.

Historikisht, përdhunimet e huaja dhe ideologjitë sllavo-komuniste të shekullit të kaluar, kanë kërcënuar dhe kanë shkatërruar identitetin kombëtar dhe njësinë kombëtare të shqiptarëve, në emër të ideologjive ndërkombëtare. Fatkeqësisht, sot duket sikur ky rrezik ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk është zhdukur, por është edhe më i rrezikshëm pasi vjen nga kërcënimet e mbrendshme, të influencuara nga jasht. Por edhe nga idetë dhe politikat e brendshme fatzeza, anti-kombëtare të këtyre tre dekadave të kaluara që – si një trashëgimi komuniste internacionaliste — po turbullojnë pa fund dhe po trondisin qetësinë e shpirtërave të shqiptarëve kudo. Ide të shprehura në deklarata publike, duke venë në pikëpyetje, madje edhe vet identitetin kombëtar të shqiptarëve në trojet historike të veta. “Gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni”, do të thoshte At Gjergj Fishta.

Kombi shqiptar është një! Një brum fisnor dhe një trashëgimi e vetme, e përbashkët kombëtare, gjuhësore, shpirtërore, kulturore, Askush nuk ka të drejtë e nuk guxon të prek vetëdijen dhe njësinë kombëtare të shqiptarëve, qoftë në arenën ndërkombëtare – e sidomos jo në një arenë ndërkombëtare. Terësia e Kombit Shqiptar nuk guxohet të sulmohet as me fjalë dhe as me shkrim – veçanërisht, nga ata që kanë përgjegjësinë numër një të mbrojnë dhe të luftojnë për interesat e Kombit shqiptar brenda dhe jashtë trojeve ndaj të gjitha abuzimeve ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve nga të huajt për përfitime të veta dhe në dëm  afatgjatë të shqiptarëve.  Duhet t’i jepet fund diskutimeve rreth një “kombi kosovar” – diskutime që vetëm shkojnë në llogari të atyre që me qindëra vite, vetëm kanë bërë plane për të fshirë nga trojet shqiptare shekullore gjurmët historike të Kombit shqiptar.  Bashkpunimi me vende të tjera të botës, përfshir fqinjtë dhe Evropën, nuk kërkon flijimin, mohimin as shtrembërimin e parimeve kombëtare. Duhet tu jepet fund njëherë e përgjithmonë deklaratave dhe politikave çkombëtarizuese nga ana e elitës politike shqiptare, të cilët, për interesa personale, vetëm çojnë ujë në mullirin e atyre që me shekuj kanë lakmuar trojet shekullore shqiptare dhe kanë mohuar historikisht ekzistencën e Kombit shqiptar në trojet e veta, si dhe identitetin dhe të drejtat themelore të shqiptarëve kudo!

Please follow and like us: