Koha për të “hedhur” llotarinë amerikanë të vizave 2024
Çështje të Emigracionit: Për ju Kieran Both
Programi i vizave emigruese të shumëllojshmërisë (i njohur ndryshe si “llotaria amerikane” apo “llotaria e green card-ës”) është një program i qeverisë amerikane sipas të cilit nëse “të bie llotaria” mund të marrësh statusin e rezidentit të përhershëm të ligjshëm ose e thënë ndryshe, mund të marrësh green card-ën. Çdo vit, ky program vë në dispozicion të aplikantëve nga vende me shkallë të ulët emigrimi drejt SHBA-së dhe me kualifikim arsimor të caktuar, një numër prej 500,000 vizash. Ai siguron një mënyrë jo të kushtueshme dhe relativisht të thjeshtë për të marrë green card-ën, pa qenë nevoja për sponsorizim nga një punëdhënës ose familje amerikane.
Kush mund të aplikojë?
Që të mund të kualifikohesh për të marrë pjesë në programin e vizave emigruese të shumëllojshmërisë, ju vetë ose bashkëshorti/ja juaj duhet të kenë lindur në një vend i cili gjatë 5 viteve të fundit ka çuar në Shtetet e Bashkuara më pak se 50,000 emigrantë. Departamenti i Shtetit të SHBA-së (DOS) ka në faqen e tij të internetit një listë të plotë të vendeve që kualifikohen.
Përveç kritereve që kanë të bëjnë me kombësinë, çdo aplikant duhet të përmbushë dhe kriteret që parashikon programi i vizave emigruese të shumëllojshmërisë të cilat kanë të bëjnë me arsimimin dhe përvojën në punë:
- të ketë të paktën arsimin e mesëm të lartë ose ekuivalentin e tij, kërkesë kjo që nënkupton kryerjen e 12 viteve tw arsimit fillor dhe atij të mesëm (të ulët dhe të lartë);
OSE
- ose dy vjet përvojë pune gjatë pesë vjetëve të fundit, në një punë që kërkon të paktën dy vjet trajnim ose përvojë pune. Departamenti i Shtetit përdor arkivën online të Departamentit të Punës së SHBA-së (DOL): O*Net OnLine https://www.onetonline.org/ për të vendosur se çfarë konsiderohet përvojë e kualifikueshme pune.
Ata që nuk kanë statusin e rezidentit të SHBA-së dhe kërkojnë të marrin green card nëpërmjet një vendi që kualifikohet për të marrë pjesë në llotarinë amerikane, mund të paraqesin aplikimin e tyre pavarësisht se ku jetojnë, në SHBA apo jashtë SHBA-së. Këty përfshihen dhe punëtorët e huaj që janë në pritje të marrjes së green card-ës nëpërmjet programit që punëson punonjës të huaj të kualifikuar për punë të caktuara.
Kur mund të aplikoj?
Periudha për t’u regjistruar nëpërmjet internetit për llotarinë amerikane ka filluar më 5 tetor, 2022 në orën 12:00 në mesditë sipas Eastern Time, ET (ora 18:00 sipas orës lokale të Shqipërisë) dhe përfundon më 8 nëntor, 2022 në orën 12:00 në mesditë sipas Eastern Time, ET (ora 18:00 sipas orës lokale të Shqipërisë). Formulari i regjistrimit do të jetë në dispozicion të aplikuesve gjatë gjithë kësaj periudhe. Gjatë viteve të kaluara, është parë një fluks i madh aplikimesh në faqen e internetit të vënë në dispozicion për këtë qëllim, gjatë javës së fundit të periudhës së regjistrimit. Diçka e tillë ka sjellë ngadalësim të faqes. Ndaj dhe ju nxisim të aplikoni sa më herët të jetë e mundur.
Si të aplikoj?
Të gjitha kërkesat duhet të dërgohen në mënyrë elektronike në faqen përkatëse të internetit të DOS-së. Aplikimet përmes internetit janë falas. Megjithatë, nëse përzgjidheni, do të paguani tarifat përkatëse që parashikon procesi i marrjes së vizave. Kërkesat e paraqitura me vonesë ose në letër nuk do të pranohen. Sipas ligjit, nuk lejohet më shumë se një kërkesë nga ose për një person, gjatë kësaj periudhe regjistrimi. Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për të kapur rastet kur është bërë më shumë se një kërkesë. Në rast se paraqisni më shumë se një kërkesë, do të skualifikoheni.
Pasi të keni paraqitur kërkesën e plotë për të marrë pjesë në llotarinë amerikane, në ekran do t’ju shfaqet emri dhe numri i konfirmimit që ju është caktuar – ky numër është vetëm për ju. Printojeni këtë faqe konfirmimi në mënyrë që ta keni si dokument. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ruani numrin e konfirmimit, pasi është e vetmja mënyrë për të kontrolluar statusin e kërkesës që keni paraqitur, si dhe në rast se do të përzgjidheni, do t’ju nevojitet për të marrë udhëzime të mëtejshme ose për caktuar ditën e intervistës për vizë.
Si ta marr vesh nëse kam fituar?
Duke filluar nga data 6 maj, 2023, mund të kontrolloni statusin e aplikimit tuaj duke klikuar në Entrant Status Check (vendi në faqen e internetit ku duhet të klikoni për të kontrolluar statusin e kërkesës) në faqen e internetit të llotarisë amerikane dvprogram.state.gov gjithnjë, pasi të keni futur numrin e konfirmimit dhe të dhënat personale. Entrant Status Check duhet përdorur për të parë nëse jeni përzgjedhur për DV-2024-ën, dhe nëse jeni përzgjedhur, duhet përdorur për të parë aty udhëzimet e mëtejshme se si duhet të veproni me aplikimin. Departamenti i Shtetit nuk do t’i njoftojë direkt të përzgjedhurit. Entrant Status Check është i vetmi burim nga ku mund të merrni udhëzimet se si duhet të veproni më tutje me aplikimin. Nëse jeni përzgjdhur dhe do të paraqisni formularin për vizë si dhe dokumentat e tjerë që ju kërkohen, do t’ju duhet të përdorni Entrant Status Check për të kontrolluar se kur ju kanë caktuar datën e intervistës për të marrë vizën emigruese.
DOS-ja jep udhëzime të hollësishme në faqen e saj të internetit, të cilat mund të gjenden këtu: https://travel.state.gov/content/dam/visas/Diversity-Visa/DV-Instructions-Translations/DV-2024-Instructions-Translations/ DV-2024-Instructions.pdf
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është kieranboth@verizon.net