Albspirit

Media/News/Publishing

Sokol Cikalleshi i shpreh mirënjohjen Kadaresë

Takim i rastësishëm i përfaqësuesit të kombëtares dhe golëshënuesit Sokol Cikalleshi me Ismail Kadarenë shprehte njëherësh admirim dhe mirënjohje për të. “Mundohem të bëj më të mirën për vendin tim, por ajo që keni bërë ju për Shqipërinë është mahnitëse dhe ne na bën krenarë kudo ku jemi”, tha ai. S’ka asnjë dyshim se takimi me Kadarenë përbën një emocion i veçantë dhe kushdo që e takon, pi një kafe, bën një foto është një gjest njerëzor. Janë me dhjetra, qindra e mijëra ata që duan të shtrëngojnë dorën me personalitetin e madh kur del aty nga mesdita, në ditët me diell, në kafenenë e zakonshme përskaj Liqenit Artificial, janë po me dhjetra ftesat që i vijnë nga shumë individë dhe institucione vendase dhe të huaja për ta pasur pranë tyre në një ngjarje, në një veprimtari. Si atëhere, edhe tani në moshën 86-vjeçare takimi me të, frymëzimi prej tij është gjithherë i madh. Dy ditë më parë, një nga më të famshmet e këngëtareve shqiptare, e thirrur enkas për të përshëndetur në ceremoninë e dhënies së çmimit ndërkombëtar “Man Booker”, pra Dua Lipa, iu referua Kadaresë jo vetëm si fitues i parë i këtij trofeu, si pjestar i të njëjtit komb, si ndikues në formimin e saj, (ajo citoi veprën ‘Kështjella’), por mbi të gjitha për vlerat letrare të njohura në shkallë planetare. Pikërisht ky gjest që u transmetua gjerësisht nga mediat vendase dhe të huaja krijoi një atmosferë të bukur, në fund të fundit përbën një lajm të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët… Ngjarje të tilla, jo shumë të shpeshta, janë megjithatë të njohura në botën e sotme. Por nuk është e këtij mendimi një ofshuese e skalionit ndotës, e tronditur tejskajshmërisht, që e vinte në dyshim çmimin, këngëtaren dhe vetë ceremoninë; mjerisht këtë marrëzi e nanurit një skotë skutharësh, që s’dihet nga çfarë zgafellash shfaqen sidmos në fillimtetori dhe çfarë përfaqësojnë…
Bar Juvenilja, Tiranë, 20 tetor 2022.

Please follow and like us: