Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

 

 

DALLËNDYSHJA E POEZISË

S‘kishte ku të ulej

dallëndyshja e lodhur

gjithkund beton

U ndal

në pemën e vargut tim

aty thuri çerdhen

Tashti cicëron me pranverën

dhe fluturon qiellit të poezisë.

 

GISHTI I DITËS

Ti krekosesh si kacagjel

se je i madh

e s`e ke pare asnjëherë

gishtin e ditës

Unë e kam parë sot

më trokiti

në dritare të gjumit

dhe u fsheh

pas fustaneve të qershive

E dëgjova mirë

kur i tha harabelushit për mua

sa qenka rritur Ani

Si të mamit

e kishte unazën

 

KUR TI FLE

Kur fle trëndafilisht

ti, i miri

ëndërron

si flutura

si cicamiu

xhaxhi poeti

vjershës ia kreh flokët

më krehërin e rimave

ia lidh bistekët

si kalliri

Faqet ia pikturon

me mollë

të  të ëmbëlsoj ty

si dje

agimit i troket në dritare

dhe bie të flejë.

Zgjohet paspak

ka harruar vargun e mesit

t`i vë ylberin

rreth brezit

Dhe ti galdohesh

mrekullohesh

këndon si qershia

Kështu është magjia

të bën pëllumb

n`ballkon të mëngjesit.

 

TË SHTUNAVE MË S’DAL

Shokut dhe kritikut, Nuhi Ismajli

 

Mezi prisja të shtunën

me orë bashkë të rrimë.

Te pimë kafe te “Kristali”,

të flasim për poezinë.

Të lexoja ndonjë varg

për ëndërrat me faqet push,

ti shpesh më jepje zemër:

Kështu s`e ka thënë askush!

Një ditë pëmenda vdekjen,

Atje, thashë, na presin!

Më qortove me buzëqeshje:

S`kemi kohë të vdesim!

Atëherë të të pyes unë ty,

e dua t’më tregosh drejt,

si i kreve gjithë ato punë

dhe ike kaq shpejt?!

Të shtunave më s’dal,

sillem nëpër shtëpi,

e di se atje tek vendi ynë

nuk të takoj më ty.

Kam mbetur me një krah,

Nuhë  a, më dëgjon?

Në këtë vjeshtë me mërzi

më thirr, t’paktën, n’telefon!

Please follow and like us: