Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: KUR ASHT SHKRUE KJO POEZI?

 

Ju rrugaça e sallahana

vagabonda, shakllabana,

rriqna t’ndyet, mikrobe të kqij

qi të mjerës ksaj Shqypni

thellë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

Bre coftina, kalbë mbi dhè

der kur ju, t’u tallë npër ne,

do t’na qelbni fis e atdhè?

Ah! Bre ju.., nuk dij shka u kjoftë,

se tashma jemi tue u njoftë,

se kush jini e shka jini

se kah shkoni e se kah vini

plang e shpi se kah i kini

e sa pare ju ban gjaku:

se për ju, po, duhet laku,

për me u vjerrë o kund m’ndoi shpat!

Deri dje, pa kmishë mbi shtat,

me’i gjysë setre t’pa astar,

lshuemun krahve kalavar

e me’i komçë t’njitme në grykë:

pantallonat me “gjyslykë”

edhe kto lidhuna me’i spagë:

shtatit rreshkë e ba saragë,

t’tanë gordec e berbalec

pa ndo’i msim, e pa ndonji dije,

me’i fillore a nji iptadije,

erz e shpirt qitun nën themër:

turq a sllav a grek me zemër,

falun barkut veç Shqypnisë,

si ajo marrja e t’gjith njerzisë…

tuj u shitë ju për gjith treg,

sod na mbahi “Skandërbeg”,

e ngërhucë, goditë, limue,

rrue, qethë, pipirique,

tash n’”smoking”, e tash në “bon-jour”

ju, qi dje s’kishit ushkuer

me lidhë brekët me nder me thanë

m’sahan t’huej gjithmonë tue ngranë,

rrugën krejt na e keni xanë,

ke na shkoni pash e m’pash,

edhe besa me “gulash”

me “mafishe” e me “sultjash”,

me “kjumshtuer” e me “hashurè”,

“kofsha gjelash” ngreh kubure,

“tarator”, “pilaf me kos”,

“mish me qepë” e “majdanos”

“shishqebap”, “bërzolla viçi”,

“kunguj t’mbushum”, “kuzuici”,

“kabuni”- e “muhalebi”.

Barku sod ju rri ju kodër,

kargatisë e bamun lodër:

dersa ata burrat e dheut,

qi për jetë e nderë t’Atdheut

kanë ra n’luftë si shqipe t’leta,

kanë shkri gjà e shpija t’veta,

tanë tuj dekë rrugave unit,

me iu dhimbë gurit e drunit.

Përse, po, kta matrahula,

kta shqiptarë, shqiptar kah ksula,

n’vend qi ju me u vu n’konop,

a se brinjt m’jau zbru me shkop,

a, mos tjetër, me u ngushtue

me xjerrë zhuri kund m’ndo’i prrue

për me shtrue ndo’i rrugë të shtetit

a me dlirë ndo’i skele detit,

lavjerrë buz’sh, harru si viça

kqyrin m’ju si t’ishi ogiça,

për me u prì udhës s’qytetnisë

e me i sjellë t’marën Shqypnisë.

Ani kush, pra, me i pri kombit:

ju, do pyka, bij prej llomit

qi “shqiptarë” vedit i thoni,

jo pse ju Shqipninë e doni,

jo pse ju ndo’i send kuptoni

shka asht Atdheu e shka asht Liria,

shka asht Vllaznija a Barazija,

Përparimi e Qytetnia,

veç pse ende deri m’sot

nji tyran s’po e gjeni dot,

nën kambë t’cillit ju me u shtrue,

se un tashma jam regjë me jue,

jau njof shpirtin deri m’palc,

pleh i ndytë me u bartun n’shkalc

e me u qitë jashta Shqypnije!

 

AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

Shenim FR: Ku e dinte 100 vjet perpara At Gjergj Fishta, se cila do t’ jetë klasa politike sot në Shqipni? Si asht e mujtun me mendue atëherë Ai, edhe se shka duhet me ba sot me klasen politike, gja të cilen e percakton dy rreshtat e fundit? Pra, plot 100 vjet para, At Fishta ka shkrue vepren “Gomari i Babatasit”, që asht botue në vitin 1923.

(Materiali asht marrë pa asnjë ndryshim nga “Gomari I Babatasit”, Metamorfoza.)

Botimi bahet në pragun e Ditëlindjes së At Fishtës, 23 Tetor 1871.

Melbourne, 21 Tetor 2022.

Please follow and like us: