Albspirit

Media/News/Publishing

Libri monografik që shkon përtej dy familjeve, Muka dhe Papavangjeli

 

Çerçiz Loloçi

Kam pasur fatin ta lexoj në dorëshkrim monografinë e Vasil Mukës kushtuar dy familjeve gjirokastrike, Muka dhe Papavangjeli dhe ndjesia e parë që mora ishte ajo e një mozaiku të larmishëm rrëfimesh, që qëndrojnë edhe si tregime të shkurtra më vete, por edhe në strukturën e një diptiku, me dy parathënie shoqëruese, pjesa e parë me një përcjellje nga profesori dhe studiuesi Ymer Çiraku dhe pjesa e dytë nga shkrimtari dhe publicisti Thanas Dino.

Libri nuk është thjesht një sjellje e të dhënave, fakteve, ngjarjeve të trishtueshme e të bukura që kanë ndodhur në jetën e dy familjeve të mëdha, por edhe në raportet që ato kanë pasur me gjirokastritë të tjerë.

Vasil Muka, mësues e profesor universitar e ka shkruar me shumë dije e dashuri këtë libër, një tipar ky i qënësishëm i qytetit jugor, ndër më të veçantët jo vetëm brenda hapësirës shqiptare.

Kam lexuar së fundi tri monografi ose tri kronika familjare: atë të Alizot Emirit shkruar nga djemtë e tij Ibrahim dhe Shpëtim Emiri, atë të Behaudin Dobit shkruar nga Naxhi Kasoruho dhe këtë për Mukajt dhe Papavangjelajt të Vasil Mukës; të tri librat kanë shpëtuar nga kurthi i rrëfimit të veçuar, thjesht familjar, brenda mikrokozmosit të një shtëpie.

Pikërisht për këtë veçori ato marrin një vlerë tjetër se ndriçojnë më mirë të shkuarën dhe të sotmen e Gjirokastrës si edhe janë një shtysë e mirë për dokumentarë artistikë, për ngritjen e shtëpive muzeale dhe për krijime të tjera nga gjini të ndryshme.

Në librin e Vasil Mukës, ndoshta për herë të parë thuhen edhe disa të vërteta të mëdha, që janë pëshpëritur dikur midis mureve hijerënda, për dramën që pësuan të gjithë në një shtet-burg, por që ndëshkimi nuk ishte i njëjtë për të gjitha palët.

Ne të gjithë kemi shumë nevojë për libra të tilla, na duhen dhe na hyjnë në punë të gjitha historitë familjare, të atyre të mëdha e të vogla, për më të kahershmet dhe bujtësit e vonë, sepse ato bëhen dëshmi dhe e plotësojnë më mirë portretin e një qyteti të pangjashëm.

Duke jetuar në Tiranë qysh nga vitet studentore, gati prej 40 vjetësh, monografia e Vasil Mukës, shkruar mjeshtërisht, më risolli shumë episode e kujtime të pashlyeshme nga periudha kur e jetoja më intensivisht në vitet e shkollës tetëvjeçare, të mesme dhe stazhit në Bonifikim. Qysh asokohe më bënte përshtypje se brenda harmonisë së një qyteti, që punonte shumë për dijen dhe arsimimin, pavarësisht regjimeve, gjeje tipare të veçanta nga lagjia në lagje, madje edhe nga një familje në tjetrën, ende më tej nga vëllai me vëllanë ose me motrën; dukej sikur një asht i shenjtë e ruante atë për të mos shëmbëllyer me asnjë bashkësi tjetër qytetase.

 

 

Please follow and like us: