Albspirit

Media/News/Publishing

‘Rusët po vijnë’, një libër i rëndësishëm i Shaban Muratit

 

Çerçiz Loloçi

Pa kaluar shumë kohë nga botimi i parë “Rusët po vijnë”, studiuesi dhe diplomati i njohur Shaban Murati risjell botimin e dytë të po të njëjtit libër, por me analiza dhe vëzhgime të reja, që pos të tjerave është dhe një përgjigje e rifrekim kujtese për agresionin e mëhershëm rus dhe këtë të tanishmin ndaj një shteti të pavarur e që e sheh veten më pranë familjes euroatlantike, Ukrainës.

Si dhe në disa publikime të tjera, fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” e mbështeti dhe e promovoi këtë ribotim në 19 tetor 2022, në mjediset e Hotel Tirana International, ku morën pjesë politikanë, diplomatë, gazetarë, miq e dashamirës të autorit, mes të cilëve edhe ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, këshilltari i Presidencës për Diplomacinë, Fatmir Çela, etj.

I konsideruar një zë krejt i veçantë dhe që mund të radhitet pa droje si ndër diplomatët më ndikues brenda kontinentit tonë, Shaban Murati jo pas arsye është fokusuar te Rusia teksa ka botuar edhe “Rusia ballkanike” apo edhe ka shkruar një varg artikujsh e analizash që lidhen me këtë shtet të stërmadh. Rusia, për më shumë se 100 vjet që nga ajo cariste, bolshevike e deri te një regjim hibrit ka qenë historikisht kundër interest kombëtar shqiptar dhe është përpjekur me të gjitha mënyrat për të qenë kundër nesh.

Natyrisht se nuk është më ajo fuqia e dikurshme, që përcaktonte fatet e popujve, sidomos pas Luftës II Botërore, në emër të fitores kundër nazifashizmit, po sigurisht mbetet sërish një fuqi e rëndësishme, duke pasur në Ballkan edhe një aleat historik si Serbia dhe një minialeat si republika serbe në Bosnje=Hercegovinë.

Murati, ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve ndërkombëtare, me karrierë të gjatë në diplomaci që i tejkalon pesë dekada, ambasador nën qeverisjen e demokratëve dhe të socialistëve, i është përkushtuar faktorit shqiptar në Ballkan, ku këndvështrimi i tij ka qenë jo gjithmonë i njëjtë me atë që bën në përditshmërinë e vet shtetërore Tirana ose Prishtina zyrtare, as si opozitat respektive, (disa herë çështjen kombëtare e përdorin për interesa meskine partiake), por gjithmonë me shqetësimin për sjellje e qëndrime më dinjitoze e duke I paralajmëruar për kurthe që mund të vijnë nga aleanca të hershme dhe të reja Brenda rajonitdhe të fuqive të tjera.

Pavarësisht shkëputjes së marrëdhënieve diplomatike në vitet ’60 të shekullit të kaluar, midis Bashkimit Sovjetik dhe Republikës Socialiste të Shqipërisë, Moska zyrtare e atëhershme dhe e tanishme nuk i ka rreshtur përpjekjet për të pasur ndikimin e vet në Ballkan dhe Shqipëri duke shfrytëzuar forma të ndryshme: dekorime, nostalgjikët e dikurshëm, bursat, blerje apartamentesh, financimi i bizneseve, OJQ-ve, mediave e komuniteteve të caktuara fetare. Kujtojmë se menjëherë pas rivendosjes së raporteve diplomatike, në vitin 1992 ajo i propozoi Shqipërisë përfshirjen në grupimin e vendeve ish-socialiste apo arriti të realizonte traktatin e Bashkëpunimit dhe të Miqësisë mes dy qeverive, por që nuk u ratifikua asnjëherë në Kuvendin shqiptar.

Pa qenë një libër për publikun e gjerë, megjithëse edhe ai mund të gjejë aspekte të lirisë, orientimit të kahershëm europian dhe identitetit të tij, “Rusët po vijnë” përbën një ndihmese për institucionet diplomatike, universitare dhe akademike.

Please follow and like us: