Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Simbolizmi Mitologjik – Privilegjet e “përbashkëta” të zotave!

Fotoja:
në pop-kulturën dhe në mito-grafinë moderne amerikane, si karakter i strip-librave (libr. të vizatuar), Aquaman është një lloj Poseidoni ose Neptuni i përkryer (anise jo bash Poseidon), origjinën e ka nga “mbretëria ujore” Atlantis – nga furra hollivudeske e kishim dhe filmin “Aquaman”, 2018 (roli i qe besuar aktorit gjoksmadh Jason Momoa), për dallim nga Poseidoni i Olimpit (ose ekuivalenti romak, Neptuni), Aquaman s’është bash 100% hyjnor ama me efektet dhe me imagjinatën vizuale mito-grafike me asgjë s’ngelet mbrapa Poseidonit, Akuamani (Ujënjeriu, Njeriu i Ujit) është i biri i Mbretëreshës së Atlantis, i bukuroshes Atalanta dhe i një tokësori, vdekatar ordiner… andaj do jetë dhe si “lidhës” i dy botëve, mbrojtës i të dyjave, i mbretërisë ujore + tokësore… fat i mirë pra për njerëzimin, pa le që Akuamani është i “qetë”, pothuaj ngjashëm si Paqësori (Pacifiku), as tërmete as valë të tërbuara cunamike…

Simbolizmi Mitologjik – Privilegjet e “përbashkëta” të zotave!
S. Guraziu – AP, Prill 2019

(…për fat të keq të njerëzimit, toka (stereja) nuk qe ndarë si përgjegjësi olimpike – në rastin e Poseidonit (zot i hidrosferës) sipas rregullores i takonin cunamit, valëngrysjet etj etj. jo dhe kompetencat për tërmete…)

***
Edhe gjatë luftës, por dhe pas suksesit të “grushtshtetit” së olimpikëve kundër titanikëve, dmth. pas mposhtjes së titanëve, do ishte Zeusi udhëheqësi i hyjnorëve fitimtarë. Në rregull, kryezotllëku i pati takuar atij… tutje duhej ndarë “mbretëritë, ministritë e përgjegjësitë”. Zeusit i caktohet përgjegjësia e Qiellit, Poseidonit i takuan Ujërat, Hadesit iu dha Nëntoka… (“Hadesi”, emërtim eponimik, sipas emrit te vet, për mbretërinë e të vdekurve – për çfarë ai dhe s’do ishte aq i “kënaqur” ama s’kishte ç’bënte, fati-fat, do ulte kokën).

Zeusi do kollitej me kryezotllëkun, ama s’kishte gjë kundër që dhe vëllazëria, Hadesi e Poseidoni gjithashtu ta kenë një lloj absolutizmi sundues mbi mbretëritë e tyre.
Ndërsa për tokën (steren)… hm, kjo o qe harruar o qe vendosur të sundohej nga të gjithë. Sipas meje, pikërisht ky “detaj” dhe do t’na lindnin pastaj të gjitha detajet e problematikës njerëzore.

Për fat të keq të njerëzimit, toka (stereja) nuk qe ndarë si përgjegjësi olimpike, qe vendosur të sundohej “bashkërisht” nga zotat e Olimpit, dhe ja tani i vuajmë konsekuencat. Bie fjala, në rastin e Poseidonit (zot i hidrosferës) sipas rregullores i takonin cunamit, valëngrysjet etj etj. Jo dhe kompetencat për tërmete, siç e dimë lëkundjet e tërmetet kanë t’bëjnë me “dridhjen” e tokës, e jo me “dridhjen” e ujit…

Poseidoni pra zot i ujit, i detrave i oqeaneve… konsiderohej mbrojtës i detarëve, i peshkatarëve. Nejse, këta të fundit dhe s’kishin ndonjë zor të shkonin për peshkim tepër thellë a larg në oqean. Mirëpo kushdo që nisej në udhëtim me anije, duhej ta bënte së paku një sakrificë për Poseidonin. Shpresohej që kjo sakrificë do t’i përshtatej mirë, se do t’pranohej nga Poseidoni dhe se udhëtimi do kishte shansin t’përfundonte pa stuhi e pa ngrysjen e tij. Ishte i njohur për karakterin e rreptë dhe për tridentin e mprehtë (tredhëmbëshin, diç si ushtë magjike me tre dhëmbë, që ia patën dhënë ciklopët, gjigantët me një sy).

E dimë po ashtu që Poseidoni e luante rolin e rëndësishëm rreth pjellorisë së tokës. Pasi dihet uji është vetë jeta, asgjë pa ujin. Vetë ne si vdekatarë jemi pothuaj të përbërë nga uji, vetë shkencat e mirëfillta sot na e thonë që “jeta” pati nisur në ujë. Tutje secila bimë e ndjen etjen dhe kërkon ujë, kur shirat vonojnë a kur mungojnë secila pëllëmbë e tokës thjesht na e shpalos etjen e vet.

Poseidoni, zot i ujit, i detrave… u muar vesh, e cekëm po ashtu që tërmetet e lëkundjet kanë t’bëjnë me dridhjen e tokës, jo me “dridhjen” e ujit. Ja, menjëherë sikur na del në pah pafatësia dhe padrejtësia për njerëzimin. Ranë privilegjet e “përbashkëta” të zotave, dhe në rastin e Poseidonit, sa herë të ngryset ai nga inati e nga marazi, s’na pret hiçgjë e mirë. Ç’e mire mund të pritet nga tërmetet e nga cunamit! Ç’faj kanë njerëzia, qoftë dhe duke u rrezitur në plazh, thjesht në pikë të ditës për pikë të qejfit Poseidoni e shfryn pezmin e vet!

Nga ana tjetër, edhe Homeri supozonte se përkundër termeteve e valëve cunamike, përkundër ngrysjeve të tij, duhet t’i jemi madje dhe mirënjohës Poseidonit. Bie fjala, sepse ai e mban mbyllur Tartarusin (pjesën e tmerrshme të botës së krimit). Pikërisht Poseidoni i pati krijuar portat gjigante dhe sëpaku kriminelët e tmerrshëm s’kanë qasje në botën tonë. Rrallë aty-këtu ndonjë diç dhe përbirohet. Herë me daullesh të nëntokes, herë me trumpetat a me verdhushkat e drogës, ndonjë kriminel dhe bën ndopak bujë.

Herë tjetër ndonjëri e humb udhën e historisë, aty-këtu do t’kemi ndonjë luftë, qoftë më madhore, gjysmë-botërore… qoftë aso serioze, super-botërore. Ama për fat, jo aq shpesh… dikur fort shpesh, tani “rrallë” njeriu merret me luftrat.
Gjithsesi luftrat tona s’janë “faj” i Poseidonit. Ai zemërohet, ngryset e do t’i kemi tërmetet e cunamit, ama jo luftrat. Ngrysja dhe “kapriçoziteti” i tij s’duhet ngatërruar me luftrat dhe me ligësitë e botës, përpos me karakterin e tij si “karakter”.

Sipas Homerit, Poseidoni s’na ishte dhe aq për lavdërime sa i përket karakterit. Ishte një perëndi kapriçioze, i rrezikshëm, i cili qëllimisht e pati vonuar kthimin e Odiseut për dhjetë vjet.
Perëndi kapriçioze, zot inatçor – hm, edhe zot edhe inatçor… Si “koncept” del mjaft i çuditshëm, por ok, zotave u ka hije edhe jopërkryeshmëria. Pse u dashka një zot të paralizohet nga “temperamenti” i vet? S’e kemi idenë! Si mund të gjykojë një perëndi drejtë nëse në radhë të parë s’mund ta kontrollojë as temperamentin e vet! Si është e mundur që një zot t’mos e ruajë qetësinë e vet!

S’kemi si ta dimë. S’e dinte as Homeri, edhe ai thjesht i rrudhte krahët. Mirëpo mund t’spekulojmë, pse jo, njësoj si dhe ai (më larg në lashtësi sesa Homeri s’kemi pse shkojmë, le t’kapemi për mjekrën e tij). Për cunamit mund t’themi se Poseidonit i shfaqet në ëndërr Odiseu, andaj zemërohet. Qoftë dhe kot ashtu në gjumë, nga hiçasgjëja dhe buuuum. Pasi Odiseu arrogant e pati lënduar sa s’ka më. Imagjino ta lëndosh një Zot të Olimpit, Odiseu e pati verbuar të birin e tij, Polifemin. Polifemi si ciklop, s’i kishte dy sytë… por dmth. një sy të vetëm (ciklopët një sy e kishin gjithsej), i ngrati Polifem pati ngelur dhe pa të.

Si një baba i dhimbshëm, Poseidoni qe hakmarrë – dhe pa qenë fare zot, cilido baba ordiner do hakmerrej, apo jo. Për dhjetë vite e pati sorollatur Odiseun detrave, e pati stërmunduar e rraskapitur, e pati bërë të vuante, të përballej me lloj-lloj rreziqesh, të ndeshej me lloj-lloj përbindshash, e pati përballur me lloj-lloj sfidash mashtrimtare e me sirenat. Sipas Homerit, aktet e Poseidonit s’na ishin dhe aq të lavdërueshme, dmth. meqë qëllimisht e pati vonuar kthimin e Odiseut për dhjetë vjet, duke e lënë dhe Penelopën e pafajshme në mjerim.

Ç’duhet t’i themi tani Homerit – vetë i verbër Homer, dhe s’të dhimbset ai Polifem, aspak s’të dhimbset syri i tij… apo si?! Ç’është tani ky lloj “gjykimi” nga ti, si mund ta konsiderosh Poseidonin “kapriçioz”! Natyrisht që do t’hakmerrej për të birin, t’jesh perëndi dhe t’mos bësh asgjë, të rrish duarkryq?! Natyrisht që “qëllimisht” e pati dënuar Odiseun. Pastaj gjërat pakashumë dhe kauzale – për shkak të arrogancës së tij do ta vuante dhe Penelopa, e kuptueshme! Madje për 20 vjet rresht, 10 vjet të Trojës dhe + 10 vjet të “odiseadës” tënde, i dashur Homer!

Sidoqoftë, as Homeri s’ia “hidhte” Poseidonit fajin e luftrave. Nga ai varej nëse anijet e “Trojës” do ta arrinin destinacionin, jo nëse do t’zhvillohej lufta. Madje dhe Amazonat e egra të gjitha fajet ia “veshnin” Aresit (babait të tyre, Zotit të Luftës). Amazonat e dinin, s’mund t’i veshej ndonjë faj Poseidonit nëse portat e Tartarusit na e paskan ndonjë “vrimë”, nëse s’na qenkan totalisht të papërshkueshme. Portat e tij në fakt e ruajnë njerëzimin nga monstrat e Tartarusit relativisht mirë. Tërmetet e cunamit janë diç tjetër, ama për monstruozitetet e luftës Poseidoni s’ka faj…

– – –

Please follow and like us: