Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA reagon me forcë pas përdorimit të dronëve iranianë për të goditur Ukrainën

Administrata e presidentit Joe Biden tha të hënën se do të “vendosë sanksione të forta” ndaj Teheranit pasi Rusia përdori dronë të prodhuar nga Irani për të sulmuar Ukrainën të hënën. Shtëpia e Bardhë shprehu gjithashtu mosbesim se ngërçi i negociatave të marrëveshjes bërthamore mund të zgjidhet së shpejti. Ndërkohë brenda Iranit vazhdojnë protestat kundër qeverisë së vijës së ashpër.

Një kërcënim i ri është shfaqur në qiellin e Kievit, këtë herë nga dronë vdekjeprurës që Ukraina thotë se Rusia i përdori për të sulmuar kryeqytetin.

Irani e mohon një gjë të tillë. Kremlini nuk ka komentuar.

Në Uashington, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre iu përgjigj pyetjeve të Zërit të Amerikës në lidhje me dronët e prodhuar nga Irani dhe reagimin e Shteteve të Bashkuara.

“Irani nuk ka thënë të vërtetën dhe ka mohuar t’i ketë dhënë armë Rusisë për t’i përdorur në Ukrainë. Ndërkohë, sipas njoftimeve të reja, Irani po shqyrton mundësinë të shesë armë edhe më shkatërrimtare për të mbështetur një pushtim që ata pretendojnë se e kundërshtojnë. Ne do të vazhdojmë të vendosim sanksione të fuqishme si ndaj Rusisë, edhe ndaj Iranit për tregtinë e armëve. Ne do ta bëjmë më të vështirë për Iranin që t’ia shesë këto armë Rusisë”, tha ajo.

Por analistët thonë se Perëndimi nuk mund të bëjë shumë për të izoluar Iranin.

“Kur flasim për pasojat, e vetmja gjë që mund të bëhet është ajo kemi bërë tashmë prej muajsh – që do të thotë se mund të vendosen sanksione ndaj individëve dhe korporatave dhe të tjerëve, që ofrojnë dhe blejnë këto sisteme dhe i përdorin ato. Aktualisht efektiviteti i këtyre masave është shumë i kufizuar”, thotë për Zërin e Amerikës Anthony Cordesman i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, i cili ka shërbyer si diplomat amerikan në Iran.

Qeveria amerikane është shprehur hapur lidhur me valën e protestave që kanë përfshirë Iranin pas vdekjes në shtator të 22 vjeçares Mahsa Amini ndërsa ishte në paraburgim nga policia e moralit të vendit.

“Sytë e botës janë me të drejtë tek protestuesit e guximshëm në Iran të cilët po ngrenë zërin për të drejtat e tyre, jo vetëm për të drejtat e grave, por në përgjithësi për të drejtat e tyre njerëzore dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ta. Ne kemi ndërmarrë një sërë hapash ditët dhe javët e fundit për ta vënë para përgjegjësisë regjimin për masat shtypëse”, thotë Jennifer Gavito, zëvendës ndihmës sekretare e Shtetit për Iranin, Irakun dhe diplomacinë publike.

Ajo tha se këtu përfshihen sanksione kundër zyrtarëve të lartë iranianë si edhe ndihmë për qytetarët që të mund të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të kenë qasje në një sërë mediash.

Shtëpia e Bardhë shpreh gjithashtu shqetësimin se marrëveshja bërthamore për të cilën Perëndimi dhe Teherani kanë negociuar prej kohësh, mund të ngecë.

“Deri tani, ne nuk parashikojmë arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje”, tha zonja Jean-Pierre.

Analistët thonë se marrëveshja, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, ka qenë në rrezik që kur zgjedhjet e Iranit të vitit 2021 sollën në pushtet një president të linjës së ashpër.

“Më parë Irani kishte një farë niveli demokracie. Qeveria e vendit, në një farë mase, kishte qenë më tolerante se klerikët ndaj kundërshtarëve deri në atë moment, por presidenti aktual është praktikisht një klerik dhe jashtëzakonisht konservator”, thotë zoti Cordesman.

Dhe çfarë ndodh më tej? SHBA thotë se udhëheqja e Iranit duhet të ndryshojë qëndrim.

Të njëjtën gjë kërkojnë edhe protestuesit në rrugët e qyteteve iraniane, por edhe në qytete të vendeve të ndryshme të botës, përfshirë Uashingtonin këtu në Shtetet e Bashkuara.

Please follow and like us: