Cikël poetik nga Avdush Canaj
DEGA
Dega
e qeshur
ma hodhi
mollën
në dorë
ta ndajë
bashkë
me ty.
LARG
Më ka ikur
treni i gjumit
bashkë me të
edhe ëndrrat
Ndoshta pse një zog
e kam larg
Harpa e shpirtit
e ka harruar melodinë.
DALLËNDYSHJA E POEZISË
S‘kishte ku të ulej,
dallëndyshja e lodhur,
gjithkund beton.
U ndal
në pemën e vargut tim,
aty thuri çerdhen.
Tashti cicëron me pranverën
dhe fluturon qiellit të poezisë.
GISHTI I DITËS
Ti krekosesh si kacagjel
se je i madh
e s`e ke pare asnjëherë
gishtin e ditës.
Unë e kam parë sot
më trokiti
në dritare të gjumit
dhe u fsheh
pas fustaneve të qershive.
E dëgjova mirë
kur i tha harabelushit për mua
sa qenka rritur Ani
Si të mamit
e kishte unazën.
Please follow and like us: