Lorik Cana, ikonë e futbollit europian, me rrënjë të forta shqiptare
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, një nga yjet e futbollit shqiptar në Europë, gjatë një interviste ekskluzive për “Albania Team” tregon anët e panjohura të tij jashtë fushës së futbollit: pasionin për historinë dhe arkeologjinë, pjesëmarrjen në projekte dhe iniciativat me karakter bamirësie, pranimin për të mbështetur “Aleancën Kuqezi”, preferencat për muzikë, modën. Kapiteni 28-vjeçar ka luajtur me Paris Sën Zhermenin dhe Olimpikun e Marsejës në Francë, Sanderlendin në Angli, Gallatasarajin në Turqi. Mesfushori aktivizohet me Lacion në Itali. Cana, lojtari më i shtrenjtë shqiptar, tregon edhe për marrëdhëniet dhe miqësinë e tij me disa nga lojtarët më të mirë në botë, të tillë si braziliani Ronaldinjo, francezi Frank Riberi, gjermani Miroslav Klose.
Cili është Loriku jashtë fushës së futbollit?
Është një pyetje shumë e gjerë dhe përgjigjet janë të të gjitha fushave. Përgjithësisht, gjithçka që bëjmë jashtë fushës, është e lidhur me atë në fushë, për të pasur një rendiment optimal. Bëj një jetë shumë të organizuar, pasi dëshiroj ta shijoj atë pjesë kohe pa futbollin. Na mungon shumë. Në jetën e përditshme, koha e pushimit është e rëndësishme. Jam mësuar të planifikoj gjithçka. Në çdo vend ku kam luajtur jashtë, jam munduar të mos shkëputem nga Shqipëria, si kur kam qenë në Francë, Angli, Turqi, por dhe tani në Itali. Televizionin e konsideroj shumë të rëndësishëm. Shoh vetëm kanale shqiptare. Kaloj shumë kohë me miqtë që kam. Jam një lexues i mirë, në momentet kur jam vetëm apo në lëvizje. Sigurisht, në ato pak kohë që kam vizitoj familjen. Në përgjithësi, i gjithi programi im është në funksion të futbollit.
Ju jeni përzgjedhur si ambasador i UNICEF-it për Shqipërinë, në një klub që bëjnë pjesë për vendet e tyre disa emra të mëdhenj, si Kaka dhe Ronaldinjo për Brazilin, apo Kristiano Ronaldo për Portugalinë. Gjithashtu, në këtë dhjetor, Kosova ju zgjodhi pëfaqësues të Komitetit Olimpik të Kosovës. Përse u jeni bashkuar këtyre iniciativave dhe projekteve?
Bashkëpunoj me UNICEF-in në Shqipëri, KOK në Kosovë, por dhe me organizata të tjera. Jam ambasador i UNDP-së në Kosovë. Gjithashtu, kam bashkëpunuar me Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë të drejtuar nga zonja Liri Berisha, si dhe programin “Alo 116”, një projekt në ndihmë të fëmijëve. Kam marr pjesë edhe në iniciativa të tjera, në çështje bamirësie. Gjëra, që nuk të marrin shumë kohë, por që janë të rëndësishme. Kur ke mundësi t’i bësh është mirë të jeshë pjesë. Jam munduar të sensibilizoj, dhe çdo njeri e ka impaktin rreth opinionit. Kur mund të kapësh një pjesë të opinionit është shumë e rëndësishme t’i sensibilizosh njerëzit për këto çështje. Do vazhdoj te jap kontributin tim kudo që mundem, në të mirë të kombit tim.
Lorik, jeni pjesë e një dokumentari për Shqipërinë, të realizuar nga aktorja shqitaro-amerikane Eliza Dushku, që promovon vendin tonë në Shtetet e Bashkuara. Si ndodhi?
Në fakt, ishte shumë e rastësishme. Në muajin gusht, unë ndodhesha për një vizitë në Shqipëri. Aktorin Blerim Destani e kam shumë mik. Folëm së bashku. Mësova se ai ishte me fotografin e mirënjohur, Fadil Berisha. Kur Fadili mori vesh se isha në Tiranë, u takuam dhe më foli për dokumentarin rreth Shqipërisë. Diçka ndodhi në mënyrë spontane. Normalisht, pranova të jem si pjesë e sportit në këtë projekt. Patëm një bisedë të gjatë rreth Shqipërisë, sportit, historisë e gjëra të tjera, që unë i kam pasion. Në fakt, nuk e kam parë ende si do të dalë.
Cana, si Shqipëria, ashtu dhe Kosova, kanë pasur lojtarë shumë të mirë, por ti, mesa duket, je ai që i lidh etnikisht më së miri dy pjesët e vendit amë. Sa e ndjen ti këtë?
Jo, jo, nuk dua ta ekzagjeroni. Dua të kujtoj se aktualisht në kombëtaren shqiptare janë disa lojtarë nga Kosova: Armend Dallku, Samir Ujkani, Ahmed Januzi, Debatik Curri, më parë kanë qenë Besnik Hasi, Arjan Beqaj, Besart Berisha, etj. Shumë lojtarë kosovarë ka dhe në përfaqësueset e U-21, U-19 dhe U-17 të Shqipërisë. Në shumë momente na kanë pyetur se çfarë do të bëjmë nëse Kosova do të pranohet në FIFA dhe do të ketë kombëtaren e saj. Unë besoj se ne e kemi realizuar një ëndërr, që çdo shqiptar të ketë bashkimin e trojeve tona. Nuk e kemi realizuar këtë akoma në politikë, apo diçka tjetër, por ne po e realizojmë në futboll. Kombëtarja dhe fanella e saj është bërë një simbol i bashkimit. Për këtë arsye, ajo ka dhe një mbështetje të madhe nga Tirana, Prishtina apo Tetova. Ka një pritje të madhe të njerëzve, që të shohin kombëtaren. Ne jemi munduar të bëjmë më të mirën. Është një nder dhe krenari. Për ne është një nder dhe lavdi të luajmë për kombëtaren, ajo është dhe e jona. E të gjithë shqiptarëve. Mundohemi të japim sa më shumë kontribut. Shpresojmë, që të gjithë djemtë e rinj, që do të vijnë pas, ta kenë si shembull.
U pritët bashkë me Igli Taren në mënyrë madhështore, kur ekipi juaj në Itali, Lacio, luajti në Maqedoni kundër Rabotniçkit për Ligën e Europës, si në aeroportin e Shkupit, por dhe gjatë ndeshjes. Cilat ishin përjetimet e tua?
Ishte një gjë e jashtëzakonshme. Me shumë emocione, që nga pritja në aeroport, në hotel dhe në stadium. Ishte fantastike. Kur ty të presin kështu, atëherë të detyron të analizosh se sa punë të mirë mund të bësh ti, me bindjet e tua. Me imazhin tënd. Të bën që të vazhdosh në këtë mënyrë. Gjithmonë, në jetëm time jam munduar të kem një karrierë të suksesshme në skenën europiane, pasi nuk kemi shumë lojtarë të tillë, që shkëlqejnë, kanë luajtur në kampionate kryesore dhe në klube të mëdha. Kur vjen në kombëtare, duhet të japësh maksimumin dhe kontributin tënd, të japësh disa mesazhe për bashkimin e vendit tonë. Njerëzit identifikohen me këto vlera dhe krijojnë shumë besim. Në fakt, unë personalisht e konsideroj se nuk po bëj ndonjë gjë të jashtëzakonshme, thjesht po kaloj një mesazh, që besoj se e duan të gjithë shqiptarët: të shohim interesin e vendit, para atyre personale.
Aleanca Kuqezi tashmë është pjesë e jetës Tuaj, një lëvizjeje me ngjyra të forta kombëtare. Keni nënshkruar të jeni pjesë e saj dhe fotoja e rastit ka bërë xhiron e botës. Përse?
Puna e Aleancës Kuqezi erdhi në mënyrë krejt të natyrshme. Nuk e di, nëse mund ta quaj atë të fuqishme, por megjihatë ka marrë një simpati dhe mbështetje të gjerë të popullatës në përgjithësi. Di se së fundi, ajo ka qenë në Filadelfia dhe Nju Jork, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Romë, Londër. Aleanca thjesht nisi si një lëvizje popullore për të mbrojtur interesat kombëtare. Kur mua më afruan, m’u duk krejt e natyrshme, pasi Loriku nuk ka dalë kurrë haptas që të mështesë ndonjë lëvizje, përveç fondacioneve të bamirësisë. Për Aleancën Kuqezi m’u duk krejt e natyrshme, pasi ka synime krejt të qarta. Thjesht, është shprehur se po mbron interesat kombëtare në emër të popullit. Derisa Aleanca do të qëndrojë në formën e saj aktuale dhe më qëllimet e saj aktuale, Loriku ka për ta mbështetur. Është një gjë, që nuk ka të bëjë interesa personale, por për të mbrojtur interesat e vendit tonë, por dhe shqiptarëve kudo që jetojnë. Kështu që, në qoftë se në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në Diasporë mbron interesat e shqiptarëve, atëherë kjo është një gjë shumë e mirë dhe pjesë e saj nuk ka qenë vetëm Loriku. Njerëzit më të mëdhenj të Kombit tonë, si Ismail Kadareja, ka dhënë një opinion shumë të favorshëm për të. Shpresoj të vazhdojë në këtë mënyrë. Aleanca do të realizojë disa misione të saj, dhe synimi i saj nuk është vetëm censusi, pasi shumë njerëz e kanë identifikuar me të. Censusi, në një pjesë të tij ka dalë antikushtetues. E rëndësishme është që njerëzit të kenë dikë që të identifikohen dhe të afrohen. Shumë njerëz kanë deklaruar se Aleanca Kuqezi do të shndërrohet në parti politike, apo do të luajë një rol në politikë, atëherë unë do të rishikoj pozicionin tim. Unë asnjëherë nuk kam qenë i angazhuar. Nuk më intereson të jem i majtë, apo i djathtë. Për momentin e mbështes me të gjitha mundësitë që kam.
Keni luajtur me ekipe të mëdha në Francë, me Paris Sën Zhermenin dhe Olimpikun e Marsejës, në Angli me Sandërlendin, në Turqi me Gallatasarajin dhe tani në Itali me Lacion. Ke bashkëluajtur me lojtarë të mëdhenj, siç edhe keni pasur përballë kundërshtarë të mëdhenj. Si e ke ndjerë veten përkrah Ronaldinjos te Paris Sën Zhermeni, apo kundër Uejni Runit të Mançester Junaitid, te Marseja me Frenk Riberin apo tani me Miroslav Klosen te Lacio?
E konsideroj veten me fat, që kam pasur një shans të tillë. Të jetosh ditë për ditë me lojtarë të mëdhenj, jo vetëm në aspektin e futbollit të fushës, por dhe të jem në prani të njerëzve të mëdhenj, të bën të mësosh shumë dhe me një shpejtësi të madhe. Të arrish të luash me disa nga lojtarët më të mirët në botë është një kulm në karrierën tënde. Ti e bën këtë një përvojë personale, që të ndihmon në jetën tënde të përditshme. Edhe jetesa në disa vende me kulturë të ndryshme, apo qënia pjesë e disa kampionateve, të ndihmon të kesh një përvojë, të ndihmon si brenda, ashtu dhe jashtë saj. Mëson kultura të tjera dhe gjuhë të ndryshme. Sigurisht, kur frenkuenton njerëz të tillë, mëson shumë nga ata. Kjo besoj se më ka ndihmuar të bëhem më i fortë si futbollist, por dhe si njeri.
Pasionet e tua të njohura janë historia dhe arkeologjia. Keni bërë një gjest shumë kuptimplotë para disa vitesh, duke kontribuar financiarisht, së bashku edhe me Igli Taren, në kthimin e kokës së Zeusit-Asklepius. Përse e bëtë atë?
Rrodhi shumë natyrshëm. Isha para katër vitesh në Romë, pasi dëshiroja të shihja derbin e Romës, Lacio-Roma. Ishim në kontakt me një mikun tonë, i cili është akovakt në Shqipëri. Duke folur për pasionin tim rreth arkeologjisë dhe historisë, vëllai i Igli Tares, Auroni, më përmendi rastin konkret. Unë mendoj se ka shumë gjëra që duhen bërë për vendin tonë. Nuk duhet ta neglizhojmë kurrë trashëgiminë tonë kulturore. Është jashtëzakonisht për ne. Në fakt, dëshironim të sensibilizonim edhe njerëzit që punojnë në këto institucione. Ishte një kokë shumë e bukur. Për ta rikthyer atë në Muzeun e Butrintit, atje edhe ku u vodh, ne paguam së bashku edhe me Igli Taren 20 mijë euro. Në fakt, dëshironim të bënim pak bujë, edhe në aspektin mediatik, për të sensibilizuar edhe institucionet. Kam parë që shumë objekte i janë kthyer vendit tonë. Kur të lë futbollin do të kem më shumë kohë të shëtis në vendet arkeologjike në Shqipëri.
A keni qenë në qytetet historike per ti vizituar?
Patjetër që po. Kam qenë gjithashtu në Bylis, në Apoloninë e Fierit. Pëlqej gjithashtu dhe gjërat historikë, më pak antike. Kam qenë në Shkodër, Krujë. Mundohem ta organizoj gjithçka gjatë kohës së verës, kur jam në pushime. Më vjen keq, pasi në disa qytete nuk kam qenë asnjëherë. Marr makinën dhe kam qejf të shoh edhe malet. Do mundohem që shumë shpejt të vizitoj cdo pëllëmbë të Shqipërisë, si nga toka, por edhe nga ajri, ku të kem mundësi të shoh sa më shumë mrekullitë e vendit tonë. Kemi një vend me shumë mrekullira, që në asnjë vend tjetër të botës nuk i gjen. Ne duhet që sa më shpejt t’u japim vlerat dhe rëndësinë që u takon. Të vlerësojmë dhe të kontribojmë për vëndin tonë, në vendin tonë.
A ju pëlqen muzika folklorike?
Shumë. Nëntëdhjetë për qind të muzikës që vendos në makinë është popullore. Është muzikë shqip, pop, A&B, rrok, hip-pop. Nuk bëj dallime, më pëlqen si muzika popullore e Shqipërisë së Veriut, të Mesme dhe të Jugut.
Cili është shqiptari Lorik Cana në Europë?
Sigurisht që Franca është pak e veçantë. Kam familjen, është lindur motra ime aty. Babai im ka qenë ish-futbollist dhe kur kemi ikur nga Kosova, kur ajo ishte nën Ish-Jugosllavinë, jam mësuar të lëviz dhe nuk e kam problem të përshtatem në çdo vend. Ndihem shumë mirë. Franca, Anglia dhe Italia janë vende të mrekullueshme për të jetuar. Kam dhe avantazhin që gjuhët e huaja i mësoj shpejt. Kjo më ndihmon të ambientohem.
Anglia pak më ndryshe, apo jo?
Po, por për futboll është e mrekullueshme. Është kampionati më i mrekullueshëm për futboll. Nga pikëpamja e gjuhës është e lehtë për t’u ambientuar, ndërsa përsa i përket aspektit të jetës është më pak ndryshe. Ka më pak njerëz, apo më pak miqësi, por që sigurisht për profesionin tonë është një vend i mrekullueshëm.
Jeta private…
Lorik Cana, gjithmonë ka refuzuar të flasë për aspektin “rozë” të jetës së tij, edhe pse mediat shqiptare, franceze, angleze, turke dhe tani italiane, kanë përmendur shpesh disa emra bukuroshesh, teksa flitet për francezen Klara Morgan, brazilianen Karla Lima, shqiptaren nga Maqedonia, Adelina Tahiri, kosovaren Zana Krasniqi, apo së fundi, edhe për vlonjaten Arnita Beqiraj, “Miss Shqipëria 2010”. I pyetur, në lidhje me faktin, se nëse kishte rënë pre e paparacëve në Itali, i fotografuar me ndonjë femër, Cana u përgjigj duke qeshur: “Beqar jam, edhe mund të ndodhë. Femra të bukura ka plot”.
“Forse ha trovato l’amore” (Ndoshta e ka gjetur dashurinë), shkruante portali i tifozëve të Lacios, Cittaceleste.it. ndërkohë që një nga gazetat më të mëdha në Itali, “La Repubblica”, citon edhe emrin e saj: Arnita Beqiraj, “Miss Shqipëria 2010”. “Kush ka qenë në tavolinën e tyre betohet: “Përveçse janë të bukur, kanë gjetur edhe pika të përbashkëta, përsa i përket ndërtimit të një raport solid për të ardhmen”. Pika e parë e përbashkët është shumë kuptimplotë: të dy janë mbështetës të lëvizjes me theks nacionalist, “Aleanca Kuqezi”.
I bukur, i famshëm, i pasur, i ëmbël. Me një fytyrë të ledhatuar nga parfumet e Parisit dhe të lëmuar nga erërat e Marsejës, është e vështirë që një femër t’i rezistojë dëshirës për marrë një vështrim përkujdesës prej Lorik Canës. I adhuruar në Prishtinë dhe në Tiranë, dy qytetet ku i pëlqen të kalojë pak ditë nga “pushimet e bekuara”, përveç detit dhe Dhërmiut, ish-kapiteni i Marsejës dhe Sanderlendit. Femrat, të cilat kanë qenë në jetën e Lorik Canës, pothuajse të gjitha i përkasin botës së modës dhe spektaklit. Futbollisti tërhoqi vëmendjen e të gjithëve kur u shfaq me një modele braziliane në brigjet e Dhërmiut, në jug të Shqipërisë. Bukuroshja që e shoqëroi futbollistin për një javë në vendin tonë para disa vitesh mbeti anonime, pasi jeta private dhe marrëdhëniet intime nuk mund të ekspozohen kurrsesi për Lorikun. Një tjetër braziliane e famshme do të fotografohej së bashku me Lorik Canën në brigjet e San Paolos. Karla Lima, modele, rrëmbeu zemrën e 25-vjeçarit për pak kohë, edhe pse tani nuk flitet më për të. Një tjetër “bukuroshe”, por me profesion arkitekte u shfaq tre vjet më parë përkrah tij në rërën e nxehtë të bregut të detit Jon. Por, për kosovaren, studente në Shtetet e Bashkuara, nuk ka më asnjë informacion. Një nga thashethemet më të bujshme të mediave franceze kishte të bënte me një lidhje të hamendësuar midis Lorik Canës dhe Klara Morganit, një ish-pornostare, tashmë këngëtare e njohur, por ajo i mohoi më pas ato. “Unë nuk kam shkuar kurrë me Lorik Canën”, – tha ajo për faqen franceze “Le10sport.com”. Zana Krasniqi, kosovarja e cilësuar si “Anzhelian Zholi” shqiptare, bëri bujë kur në media u publikuan fotot e saj në krah të Canës, ndërsa janë më të klikuarat në internet. Në fakt, futbollisti e ka mohuar të ketë një histori mes tij dhe bukuroshes Krasniqi, por mediat kanë shkruar gjatë për këtë marrëdhënie, duke publikuar edhe foto.
Në gjurmët e Dejvid Bekhamit
Tashmë Lorik Cana është në gjurmët e anglezit David Bekham përsa u përket pasioneve të tij dhe fushës së modës. Pak kohë më parë, imazhi i tij “përmbyti” kryeqytetin më joshës së botës, Parisin, teksa ylli i futbollit shqiptar, kur ishte në radhët e Marsejës, reklamoi atletet e famshme të shtëpisë belge “Bickembergs”, por dhe një pjesë të mirë të linjës së prodhimeve të saj. Janë xhinset, të cilat futbollisti i Kombëtares sonë nuk i heq asnjëherë nga trupi, të këndshme, me prerjet nga më modernet, shik dhe sportive në të njëjtën kohë. Gjiganti i modës franceze ka kërkuar që bukuroshi 25-vjeçar nga Kosova ta përfaqësojë në botën magjike të simbolizuar me emrin sugjestionues “fashion”. Do të jetë e njëjta sfilatë ku ylli anglez e një nga ikonat e gjithë botës së modës mashkullore, Bekam, ka paraqitur me linjat e tij dizenjot e Armanit.
Ikonë e revistës “Surface”
Futbollisti ka qenë gjithmonë në qendër të medias franceze, kjo dhe për faktin se ai ka shpenzuar atje pjesën më të madhe të jetës, madje ka dhe një shtëpi në Paris. Gazetat prestigjioze, si “Le Parisien” apo “L’Equipe”, e kanë pasur shpesh personazh të tyren, jo vetëm pë futbollin. Është veshja e tij, luku, makinat, të cilat janë një pasion me vete, apo pasioni për të lexuar librat historikë. Një foto e tij në faqen e parë të revistës sportive të modës “Surface”, i ka bindur të gjithë se Loriku është një ikonë e modës. Me mbishkrimin “Futbollisti i bukur i Marsejës”, Lorik Cana tashmë është kthyer në mashkullin simbol të modës. I gjatë 1.86 metra me një lëkurë të lëmuar, sy të thellë ngjyrë kafe dhe me një paraqitje fisnike, Cana është gjithnjë në qendër të kërshërisë femërore.
I çmendur për makinat e shpejta
Po të flasim për çmenduritë e Lorik Canës duhet të largohemi tërësisht nga futbolli. Koha e tij e lirë kalon pothuajse e gjitha mes shpejtësisë dhe adrenalinës që i japin tri të dashurat “publike” të tij: makinat. Kapiteni mban në garazhin e tij të artë tri kryevepra marramendëse, siç janë “Porche 911 GT2”, që i përshkon 100 km vetëm për 3.7 sekonda, një “Audi RSR 6” dhe një “Mercedes-Benz ML AMG 63”. Pasioni për makinat shkon deri atje sa ai shumë shpesh hyn në botën e Formula 1. Kur luante në radhët e Marsejës, nëse është jashtë stërvitjes, Lorikun di se ku e gjen. Gjithnjë në pistën “Castelet”, në cirkuitin e Istres dhe Martigues ne Francë, për të shijuar shpejtësinë që i mundësojnë makinat. “Nëse nuk do të bëhesha futbollist, shprehet Cana për mediat franceze, me siguri e ardhmja ime do të ishte mes makinave. Do të isha bërë një pilot i Formula 1”.
Bilblioteka e “arkeologut” Cana
Në bibliotekën e tij ka një numër të madh librash, por mes tyre gjen 200 libra dhe enciklopedi, që hyjnë në preferencat e kapitenit të Olimpikut të Marsejës. Të gjithë kanë një të përbashkët të madhe. Janë libra të shkruar ndër shekuj mbi historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nga Antikiteti e deri në ditët e sotme. Pasioni për të lexuar e tërheq aq shumë futbollistin, saqë për një kohë shumë të shkurtër lexon shumë prej tyre. Në mes autorëve të tij të preferuar është edhe Ismail Kadare. Futbollisti mban kontakte të vazhdueshme me shkrimtarin nga qyteti i gurtë dhe shpreson që ai të jetë një nga emrat që do të shkruajë identitetin e tij në çmimin “Nobel”. Duke eksploruar librat e tij të preferuar, Cana citon me filozofi se, “të kuptoj se nga vij dhe ku shkoj është një lloj karburanti për jetën time”.
Mashkulli më seksi i ligës franceze
“Myfreesport”, revista e njohur sportive franceze, që ka zhvilluar një anketë me lexueset e saj femra, për të konkluduar në një klasifikim përfundimtar mbi lojtaret më “seksi” të Ligës Franceze (Ligue 1). Dhe pikërisht nuk kishte si të ndodhte ndryshe, është Lorik Cana (atëherë te Marseja) që ka marrë trofeun në fjalë, falë pëlqimit të lexuesve të “Myfreesport”, duke lënë pas, me diferencë të dukshme votash, lojtarin e Bordosë, Joan Gurkufin, dhe atë të Lilës, Tulio De Melo, që mbaheshin nga mediat rozë franceze si më të bukurit dhe të adhuruarit nga femrat.
Zvicër, Francë, Angli, Turqi, Itali dhe ardhje-ikje pa fund, Shqipëri-Kosovë.
Ky është itinerari gjeografiko-futbollistik i Lorik Canës. I realizuar në 11 vjet. Një udhëtim i nisur si lojtar profesionist nga Parisi në vitin 2000 dhe i ndalur (për momentin) në Romë, në vitin 2011. I formuar ne Lozanë të Zvicrës, atje ku edhe tërhoqi vëmendjen e Realit të Madridit, Arsenalit dhe Paris Sën Zhermenit, kur ishte vetëm 16 vjeç, Lorik Cana, qysh nga mosha 17-vjeçare ka veshur fanellën e pesë ekipeve: Paris Sën Zhermenit, Olimikut të Marsejës, Sanderlendit, Gallatasarajit dhe Lacios, ekipe të famshme në arenën ndërkombëtare. Lorik Cana luajti për tre sezone me Paris Sën Zhermenin (2002-2005), duke u aktivizuar në 69 ndeshje dhe shënuar 2 gola. Mesfushori shqiptar, atëhere 22 vjeç, u transferua për herë të parë nga Paris Sën Zhermeni te Olimpiku i Marsejës, për një shumë prej 3.5 milione eurosh, pikërisht gjatë merkatos verore të vitit 2005. Pas katër sezonesh te Marseja, ku arriti të bëhej edhe kapiteni i skuadrës, duke zhvilluar 122 ndeshje dhe shënuar 8 gola. Cana u maturua si lojtar, zhvilloi disa ndeshje të mira dhe në Ligën e Kampioneve, në sezonin 2008-2009, kundër Liverpulit. Cana ka shkëlqyer kundër ekipeve të tilla si Bordo, Lilë, Lion, etj, duke mos e harruar kurrë atë gol me kokë kundër Paris Sën Zhermeni, pikërisht në ndeshjen e parë kundër ish-ekipit që e formoi si futbollist. Loriku u transferua në Angli te Sunderland, pikërisht në sezonin 2009-2009, për një shumë prej 6 milionë eurosh. Te skuadra angleze e Premier League, Cana mori shiritin e kapitenit, duke zhvilluar në total 31 ndeshje. Paga e Canes ishte 2 milione euro në sezon. Ndeshje të mira kundër Mançester Junaitidit, Arsenalit, Çelsit, Mançester Sitit dhe Liverpulit, ajkës së futbollit anglez. Një sezon më pas, Lorik Cana u transferua në Turqi. Gallatasaraji pagoi 4.5 milionë euro për të siguruar shërbimet e “Le Guerrier” (Luftëtarit, siç është nofka e tik). Kontratë katërvjeçare, deri në vitin 2014. Paga e Canes ishte 2.7 milionë euro në sezon. Një sezon i dobët i skuadrës së njohur turke, i lënë në hije nga ekipe të tilla si Beshiktash, Fenerbahçe apo Trabzonspor, por me një Lorik të trajtuar si “pasha”, pikërisht në klubin e themeluar te djali i Sami Frashërit, Ali Sami Jen. Pas një edicioni në Stamboll, Loriku u transferua për herë të katërt në një skuadër të nivelit të lartë europian, duke qene tani pjesë e Lacios, skuadrës së Serisë A. Kontratë pesevjeçare, deri ne vitin 2016. Paga 1.7 milione euro në sezon. 800 mijë euro më pak, por Cana do të luaje në një prej kampionateve më të fortë kundër ekipeve të tilla si Milan, Inter, Juventus, apo në derbin kundër Romës./13 janar 2012