Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Lazri: SKËNDERBEU NË TRENTO

-Inaugurohet obelisku i Gjergj Kastriotit në Trento-
Nga sa kam lexuar nuk kam njohuri që Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu të ketë qenë ndonjëherë në Trento, në këtë qytet të bukur në Alpet e Tirolit të Jugut. Por mjafton të kapërcesh Alpet, të futesh në Austri dhe në kryeqytetin austriak, në Vienë, ruhen dy simbole të identitetit dhe lavdisë së tij, shpata dhe përkrenarja, që janë burim krenarie për gjithë shqiptarët që shkojnë të vizitojnë muzeun historik të Vienës. Ose mjafton të spostohesh drejt Venezias e do gjesh me mijëra dëshmi e dokumente që flasin për lidhjet e Gjergj Kastriotit me Republikën e Venezias, me Italinë dhe me Vatikanin.
Këto gjurmë bashkëpunimi i janë dashur të përdorë si argument Leonora Zefit, kryetare e shoqatës kulturore të grave shqiptare në Trentino, që mban emrin e mbretëreshës shqiptare Teuta. Për vite me radhë ishte përpjekur Leonora të bindte autoritetet lokale të provincës autonome të Trentos e ato bashkiake të qytetit Trento për të vënë në dispozicion një shesh ku të ngrihej një vepër artistike në përkujtim të heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti. Dhe një kryetar i bashkisë së qytetit, që ishte në ditët e fundit të mandatit të tij, e firmosi vendimin për ta pranuar këtë kërkesë të shoqatës “Teuta”. Mbase ishte dokumenti i fundit i firmosur prej tij. Dhe Leonora e rrëmbeu nga dora e tij, sikur po rrëmbente një ferman të rëndësishëm. Siç rrëmbeu vetë Gjergj Kastrioti nga duart e sulltanit fermanin me të cilin u bë sundimtar i Krujës dhe prijës i shqiptarëve.
Pastaj filloi puna e vazhdueshme me autoritetet lokale, derisa u caktua sheshi, puna për realizimin e obeliskut dhe caktimin e datës së inaugurimit.
Dhe data e djeshme, 22 tetor 2022, do të mbetet një datë e shënuar, si datë e ardhjes së Gjergj Kastriotit në Trento. Obelisku është i bukur, rreth dy metra i lartë e në qendër të tij e gdhendur në basorelief, figura e heroit të kombit shqiptar. Në sheshin ku është vendosur obelisku ka shumë shqiptarë, të ardhur nga shoqata të ndryshme në territorin italian, që nga Treviso, Venezia, Alessandria, Bolzano, Bassano del Grappa, Rovereto, Padova, Levico Terme etj. Midis tyre ka edhe nga ata që janë veshur me kostume kombëtare shqiptare, të gatshëm t’ia marrin valles sapo obelisku të zbulohet. Imprenditori i mirënjohur dhe këngëtari popullor Gjon Mëlyshi ka ardhur që nga Piemonte me lahutë në dorë. Nuk ka instrument më të përshtatshëm se lahuta për të kënduar ndonjë rapsodi heroike kushtuar bëmave të Gjergj Kastriotit. Kanë ardhur edhe rapsodë me çifteli, që këndojnë në skenë. Midis të ardhurve është edhe një grup aviatorësh me familjet e tyre nga Shqipëria.
Kryetari i Bashkisë së Trentos, Franco Ianeseli e kryetari i Bashkisë së qytetit të Lezhës, Pjerin Ndreu bëjnë zbulimin e obeliskut. Dhe duke marrë fjalën, Ianeseli i përshëndet të ardhurit në shqip: “Mirëseerdhët në Trento”. Janë të pranishme edhe konsullja e përgjithshme e Shqipërisë në Milano, Anila Pojani, konsulli i përgjithshëm i Kosovës, Damiant Kastrati, përfaqësuesja e emigracionit shqiptar në Itali, Luljeta Çobanaj dhe autoritete lokale të qytetit dhe të provincës së Trentos.
Sheshi që është zgjedhur është në një park që lidhet me emrin e Krishtit, parku “Cristo Re”. Papa Calisti i tretë e kishte pagëzuar Gjergj Kastriotin me emrin metaforik Atlet i Krishtit. Ndoshta një rastësi, por jo të gjitha koinçidencat ndodhin rastësisht. Ky shesh i është dedikuar një figure të rëndësishme të historisë italiane dhe gjermane, perandorit Maksimiliani i Parë i Asburgëve, perandor i perandorisë së shenjtë romake dhe themelues i perandorisë asburgjike. Ai ka lindur 9 vjet para se të vdiste heroi i kombit shqiptar dhe ka vdekur thuajse në të njëjtën moshë me atë të prijësit të shqiptarëve. Gjermani themeloi e udhëhoqi perandori, shqiptari mposhti një perandori të tërë me shpatën e tij. E tani janë të dy në të njëjtin shesh në Trento. Me siguri zor se banorët italianë apo turistë të këtij qyteti mund t’i thonë njëri-tjetrit “takohemi tek sheshi Massimilano I di Asburgo”. Kurse shqiptarët banorë në Trentino me siguri sot e mbrapa do i thonë njëri-tjetrit “takohemi tek sheshi i Skënderbeut”. Sepse 22 tetori do të jetë tashmë për krenarinë tonë një përvjetor e do të mblidhemi këtu çdo vit për ta kujtuar, siç mblidhemi edhe tek Këmbana e të rënëve në Rovereto ku shoqatat shqiptare “Besëlidhja” e “Teuta” kanë vendosur flamurin tonë kombëtar e flamurin e Kosovës përkrah flamujve të 90 shteteve të tjera.
Përpara se të bëhej inaugurimi i obeliskut, në një nga sallat e Pallatit të Rajonit, në sallën e autonomive, u bë një konferencë me karakter shkencor, kushtuar figurës së Heroit tonë Kombëtar. Atë e drejtonte i pasionuari pas historisë shqiptare, Marco Viola. Kryetarja e shoqatës “Teuta”, Leonora Zefi, duke hapur këtë konferencë, përshëndeti pjesëmarrësit dhe falënderoi autoritetet lokale trentine jo vetëm për pjesëmarrjen, por edhe për mbështetjen e fuqishme në realizimin e kësaj iniciative të rëndësishme.
Assessorja e komunës së Trentos për kulturën, rininë e sportet, Elisabeta Bozzara, pasi solli përshëndetjen e Presidentit të Provincës, shprehu kënaqësinë për realizimin e kësaj vepre të përbashkët dhe theksoi që këto janë realizime që afrojnë këndvështrimet tona për autonominë dhe se komuniteti shqiptar në Trentino ruan mjaft mirë identitetin dhe traditat e tij kulturore e historike.
Monsignori Angelo Massafra, arqipeshkv i Shkodrës dhe President i Konferencës Episcopale Shqiptare shpalosi figurën dhe kontributin e madh të Gjergj Kastriotit si mbrojtës i qytetërimit perëndimor.
Pastaj e merr fjalën një arbëresh, Domenico Morelli, anëtar i komunitetit arbëresh të Kalabrisë dhe president i minorancave gjuhësore në Itali. E kujt më shumë se një arbëreshi do i takonte të fliste në këtë konferencë? Arbëreshët janë ata që e kanë bustin e heroit tonë kombëtar në sheshet më të bukura në çdo qytet e fshat, që krenohen me këtë hero dhe çdo vit, në javën e Pashkëve, organizojnë festën e valleve në nderim të Gjergj Kastriotit. Domenico flet për figurën e Skënderbeut në këngët popullore arbëreshe, të cilat arbëreshi i madh De Rada i mblodhi dhe i bëri të njohura.
Kryetari i Bashkisë i qytetit të Lezhës, Pjerin Ndreu shprehu kënaqësinë e gëzimin e tij për këtë ngjarje të rëndësishme, duke falënderuar autoritetet trentine dhe shoqatën “Teuta” për punën e madhe. Ai ka sjellë me vete 45 çertifikata mirënjohjeje për të gjithë ata që kontribuan dhe bënë të mundur realizimin e një vepre të tillë.
Ndërsa drejtori i muzeut të qytetit të Lezhës, foli për rëndësinë historike dhe aktivitetin e Lidhjes së Lezhës që u krijua pas kuvendit të Lezhës të 2 marsit 1444, duke sjellë fakte të rëndësishme nga luftrat e Gjergj Kastriotit, që mposhti ushtritë e dy prej sulltanëve më të mëdhenj të perandorisë otomane.
Moment i bukur ishte lidhja në videokonferencë me senatorin Vittorio Sgarbi, profetin dhe kritikun e artit italian (e ku ka një njohës të dytë të artit si ai?). Sgarbi flet me një dashuri e lehtësi për Skënderbeun si të ishte nip i tij. Ai e sjell figurën e heroi tonë kombëtar në një këndvështrim europian. Duke u nisur nga bukuria dhe madhështia e monumentit të Skënderbeut mbi kalë, që ndodhet në Romë, ai tregon gjithë ato vende e qytete që i kanë ngritur monumente e buste heroit legjendar shqiptar. Ai ka vizituar Krujën e memorialin e Skënderbeut në Lezhë. E krahason Skënderbeun me Garibaldin, i cili bëri bashkimin e Italisë. Kurse Skënderbeu bëri bashkimin e princave shqiptarë për të mbrojtur jo vetëm atdheun, por edhe qytetërimin italian e mbarëperëndimor. Heroi këmbëtar shqiptar ka gjetur vend në veprat artistike italiane e europiane. Mbi 400 vepra arti i jane kushtuar atij. Duke e aktualizuar figurën dhe kontributin e tij në mbrojtje të lirisë, ai flet për luftën në Ukrainë. Një monument i Skënderbeut në Kiev do i frymëzonte më shumë luftëtarët dhe popullin ukrainas në mbrojtje të lirisë së vet, kundër hordhive që vijnë gjithnjë nga lindja. Skënderbeu nuk është vetëm shqiptar, por është edhe hero italian, edhe hero europian, thotë ai.
E ndërsa dëgjoj këto fjalë të këtij personaliteti të shquar italian të artit, jo vetëm që ndjej një krenari të brendshme, por edhe një lloj përçmimi për ata bij bastardë të shekullit të ri brenda kombit tonë, që duan ta heqin monumentin e Skënderbeut dhe ta shpallin me prejardhje të huaj si sllav apo turk. Vërtet Gjergj Kastrioti u rrit në oborrin e sulltanit, bashkë me atë që do të bëhej pushtuesi i madh, Sulltan Mehmeti i Dytë. Por një ditë ai do ta mposhtte në fushën e betejës bashkëmoshatarin turk. Nëse Sulltan Mehmeti u bë pushtues i madh, Gjergj Kastrioti u bë mposhtës i madh sulltanësh. Historianët bastardë harrojnë që një monument edhe mund të hiqet, por historia nuk mund të zhbëhet. Nuk mund të zhbëhet një histori e shkruar me majën e shpatës nga disa kalemxhinj që shkruajnë me kalema të importuar nga Turqia. Sulltanit të sotëm të Turqisë, Erdoganit, mund t’ia vrasë sytë monumenti i Gjergj Kastriotit që për 25 vjet triumfoi mbi sulltanët e Stambollit. Por emri i Erdoganit do harrohet shpejt pas ikjes së tij nga froni, ndërsa monumenti i Gjergj Kastriotit do qëndrojë përjetësisht si sfinks i pamposhtur përballë erërave të lindjes.
Edhe ky obelisk i inauguaruar dje në atë luginë trentine mes alpeve italiane, do u flasë brezave të shqiptarëve, por edhe të italianëve, edhe të turistëve të shumtë që vizitojnë këtë zonë, për bëmat e një trimi legjendar shqiptar që mbrojti qytetërimin europian.
Please follow and like us: