5 shekuj larg Shqipërisë, drita dhe identiteti i vajzës arbëreshe…
Hora e Arbëreshëvet (Italisht: Piana degli Albanesi) është një qytezë arbëreshs me 6.427 banorë në Krahinën e Palermos, të rajonit të Sicilisë në Itali.
Ajo njihet si kryeqytet i arbëreshëve, një nga bashkësitë më të madhja e komuniteteve historike shqiptare të Italisë, qendra më e rëndësishme dhe më e populluar e arbëreshëve të Sicilisë, ku ndodhet selìa e peshkopit të Kishës Bizantine Italo-Shqiptare në Sicili, Eparkia (ose Eparhia) e Horës së Arbëreshëvet.
Hora e Arbëreshëvet ndodhet në këmbët e një mali të lartë, 24 km larg nga kryeqyteti i provincës. Ajo ka ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin). Banorët janë pasardhës të familjeve shqiptare, duke përfshirë edhe fisnikët dhe të afërmit e Skënderbeut, që u vendosën në Italinë e Jugut gjatë pushtimeve të Perandorisë Osmane në Ballkan. Identiteti arbëror i Horës së Arbëreshëvet është i fortë, në fakt gjuha arbëreshe flitet nga tërë bashkësia dhe përdoret në gazeta, shkolla dhe radio.
Bashkia përdor në dokumentet zyrtare dygjuhësore gjuhën shqipe dhe italiane për banorët e saj, në bazë të ligjit ekzistues për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali. Sot jetojnë këtu shumë shqiptarë të tjerë, që erdhën gjatë emigracionit të fundit shqiptar prej detit Jon dhe portit të Durrësit.