Albspirit

Media/News/Publishing

Ali Aliu: “Poezi të zgjedhura” – Luljeta Lleshanaku – lirikja dhe narrativja

1.

Luljeta Lleshanaku është poete e talentuar, zë i shquar, i pranishëm rreth tridhjetë vite në letërsinë shqipe. Libri “Poezi të zgjedhura” në botim të Onufrit, qëndron në raftet e ndër më të përzgjedhurve e poezisë shqipe. Poezia e Luljetës është lehtësisht dalluese, ndër të tjera se, në shumicën e rasteve, ajo e ka prani edhe tablonë narrative në hije; qysh nga zënia e embrionit që pastaj të qëndrojë strukturë diskrete në sfond; natyrisht se edhe poezia më e pazëshme, më indiferente, mund të rrëfehet; në këtë rast ndërsa, vargjet e autores, teksti lirik, është i prirur të mëtojë, të ndjellë fluidin, ndjesinë e rrëfimit, njësoj edhe atë të përshkrimit të situatave të veçanta, artikuluar medalione fine, pamje të varura në një mur hapësinor pafund, siç janë poezitë “Në mungesë të ujërave”, “Dëbora e përvitshme”, “Pothuajse dje”, “Fëmijëria”, etj.

Tharmi lirik që është zë i parë, qëndron mirë brenda kuadratit të këtij sfondi, me tis narratorologjik, që, duke e kursyer nga vezullime të tepruara stilore, – pra falë edhe pranisë diskrete dhe elegante të skeletit fabular, e fisnikuëron tensionimin e emocioneve; fjala është për një poetikë krijuese që fare natyrshëm qëndron mirë trendeve të kohës, le të themi edhe postmoderne.

Autorja, me prirje për të rrëfyer duke u fshehur, bashkë me emocionet në krahë të imagjinatës ngacmuese, perms imazheve, por edhe perspektivave të tjera, e sjell natyrshëm aromën ndjellëse të rrëfimit. Kujtimet nga koha e fëmijërisë, por edhe të moshës së maturimit, jetuar në kohën e diktaturës, në këtë diskurs lirik, bëjnë bashkë dyzërëshin, për ta përkapur në plotëninë e vet hapësirën dhe kohën, relievin shpirtëror dhe fizik të saj. Poetika krijuese e Luljeta Lleshanakut, në bërthamën e saj, si e tillë, përfshin më shumë përbërës të jashtëm dhe të brendshëm, që, siç e përmenda, qëndron e sigurt brenda trendeve poetike të fillimshekullit të ri…

“…E njëjta histori lufte/ e treguar me qindra herë,/ e njëjta

markë cigaresh që i zgjatet miqësisht/ dhe po të njëjtët sy që e

përcjellin,/ të errët e dembelë,/ atë dhe goditjen e thatë ritmike

/derisa silueta e tij të zhduket/ midis hijeve të nënshtruara të

çative/ dhe pikëllimit të tyre/ tmerrësisht të ngadaltë…”.

(Dëbora e përvitshme).

Në këtë kontekst dhe linjë komunikimi, poezia e këtij zëri, i sjell lehtësisht fjalët, pamjet, figuracionin që së bashku, ndjellin ndjesinë drejt realitetit, botës së lakuriqësuar; lapidare në artikulimin e ambientit, fiksionin e çastit që ka në objektiv, përfshirë edhe refleksin narrativ, poezia e autores, fare natyrshëm, tradicionalen e kthen në trend postmodern.

Edhe tek vargjet me sfond rrëfimtar, edhe tek të disiplinuarat, ndjesia dhe refleksi krijojnë dritare të hapura, mozaik katrorësh në hapësirë, dyer dhe mure, huqe njerëzore; ndjesi dhe qetësi që e lakuriqëson botën rrotull dhe planetaren…

Befas unë sjell në mend tim atë,

të sapokthyer nga fusha,

gjithë djersë, në pushimin e drekës,

atë dhe time më,

kur dolën nga hangari

duke shtruar me nxitim flokët e ngatërruar,

të skuqur, me shikimin gjithë frikë rrotull

si dy hajdutë.

Dhoma e tyre e gjumit ishte e freskët dhe e pastër

në katin e dytë të shtëpisë.

Unë akoma pyes veten: “Pse në hangar?”

Nuk harrohen lehtë gjërat që i sheh duke mbyllur njërin sy:

fundin e heroit në kinema

apo eklipsin e parë të diellit. (Pothuajse dje)

Autorja vjen në poezi me kulturë letrare, ndjesi refleksive, me njohje, vizion për ritmin e ndryshimeve të shpejta të shijes dhe kërkesave, të perceptimit të poezisë nga lexuesi, sidomos atij poetik që, shpesh përjeton ngërçe krizash. Dihet se sot enigmën e poezisë nuk e parapëlqejnë trendet. Poetja ka prirje ta shmang poezinë e ngarkuar nga reflekset filozofike. E vë poezinë e saj në atë rrethanë që vetë vepra të ndjehet mirë, komode, kudo ka shkelur edhe jashtë vendit, përmes botimeve të saj; nga kjo perspektivë statusore, zëri i saj rrjedh shtruar në shtratin e qetë, pasi ka bluar në sampon e vet përplasjet mes ngushticave shkëmbore. Zëri lirik kështu merr për dore kujtimet, tani dëshmi urtake dhe nga ky status sjell botë-jetën e vet, edhe me ndonjë nuancë viktimizimi. Poezia e Luljetës është art poetik, që në çdo detaj të pamjeve gri, tensionesh të ankthshme, të zëshme e të pazëshme, artikulohet kristalisht i qartë dhe elegant; gjithë duke gërvishtur nën cipë thelbin, kuptimin, absurdin e mozaikut tonë njerëzor, ajo ka sportivitet krijues që i vjen natyrshëm, si instinkt krijues…

Llampa 150W në mes të dhomës,

si një copë e verdhë djathi në një çark mërzie

Ime më punon me shtiza, duke numëruar nën zë;

ajo e di gjithmonë sa duhet dhe kur ndërrohen radhët,

e ngjitur si një copë stuko në qoshe të asaj dritareje

që sa vjen e bëhet më e qartë.

Ajo është një jastëk i vogël gjilpërash

që e njeh mrekullisht artin e nënshtrimit.

Përpiqet të ma mësojë edhe mua,

edhe sime motre;

tri kukulla Matrioshka të renditura sipas madhësisë,

ajo e fundit – unë

e pashpërbëshmja.

(Në mungesë të ujërave).

Në tërë këtë konstelacion krijues, poetik, Lleshanaku ndjehet mirë, shfaqet e sigurt në vetvete, për veten, për atë që është. Pikërisht sportiviteti i tillë krijues, është pika e saj e fortë, sepse e bën atë që ta sjellë natyrshëm fuqinë e fjalës, të pamjes, të figurës, të cilat së bashku të ndjellin dhe përfshinë të ndjehesh brenda botës së mëtuar, të zërit lirik dhe të kohës.

2.

Pasi e lexon librin “Poezi të zg jedhura”, mbushur përshtypjesh, mund të ndodhë që lexuesit, si me këtë rast, papritur, t’ia tërheqë vëmendjen fotografia e autores në ballinë të librit: ja edhe një dëshmi shtesë e vizionit, hapësirës që sjell poezia, të kohës që ndëshkon ëndrrën, të botës ku gërshërët kërcënojnë gjuhën. Gjithnjë referuar fotografisë në ballinë, është një shikim që duket sikur kërkon të sfidojë, për të “dëgjuar” petkat e shtresuara brenda një jete, me që, fjala, siç dihet, që nga Homeri e përtej, nuk arrin, ta përfshijë me fund të imagjinuarën; shikim zhbirues, stoik, plot vetëbesim, ftesë për kuptim dhe mirëkuptim!

(Marrë nga eseja e autorit “Mbi librat ‘Kalorësit e shiut’, ‘Lirikë me dhimbje’ dhe ‘Poezi të zgjedhura’ të botuar nga Onufri”, exlibris, 22 tetor 2022).

Please follow and like us: