Një përleshje ushtarake me Serbinë në veri!?/A do ta përkrahte Perëndimi këtë skenar?
Të gjithë apo shumë nga ne do ta donim një përleshje ushtarake me Serbinë, diçka të ngjashme që po ndodhë në Ukrainë kundër Rusisë, ku i gjithë Perëndimi thuaja është në një frymë, dhe po i ndihmon ushtarakisht ukrainasit.
Nëse vërtetë Qeveria e Kosovës apo institucionet e sigurisë janë të bindura se Perëndimi do të bëjë të njëjtën gjë, siç pandehin edhe shumë politikanë nga opozita dhe analistë televiziv, atëherë unë jam pro dhe besoj shumica absolute, që ne të mos heqim dorë nga vendimi për targat.
E drejta jonë morale është në anën tonë.
Targat e Millosheviçit përveç se janë shkelje ligjore dhe kushtetuese, neve shqiptarëve na irritojnë sepse na e kujtojnë një kohë, një sistem prej më se një dekade, kur shqiptarët persekutoheshin vetëm pse ishin shqiptarë, me ato tabela në automjete na përndiqte policia serbe, na gjuante me armë, në protesta dhe pa protesta, na vriste dhe plagoste, na burgoste dhe na rrihte pa asnjë mëkat, na mbyllte shkollat, spitalet, fabrikat, bankat na i uzurponte, Universitetin…
Dhe derisa ne nuk bëmë asgjë të tillë në më shumë se 23 vite pas luftës, përkujtimi i simboleve të regjimit të Millosheviçit, i cili më nuk lejohet as në Serbi, është më shumë se sa një provokim i ndërgjegjes së shqiptarëve, është një përpjekje poshtërimi i një populli të shumëvuajtur, që e pagoi tepër shtrenjtë lirinë e tij, në luftërat më se 100 vjeçare me Serbinë, duke përjetuar terror dhe gjenocid të paparë.
Ndoshta, as politikanët, as mediat nuk ditën ta shtronin kurrë si duhet dhe mjaftueshëm këtë problem, që të paktën do të duhej të ishte zgjidhur që në vitin 2008, vitin e Pavarësisë së Kosovës.
Madje ky do të duhej të kishte qenë kusht për t’i filluar bisedimet dhe jo çështje që do të duhej të shtrohej në bisedime.
Nisur nga këto aspekte dhe të tjera të shtruara nga unë dhe autorë të tjerë, është më se e qartë se Kosova duhet të refuzojë çfarëdo argumenti që ofron bashkësia ndërkombëtare, e cila këtë çështje e ka pasur obligim ta zgjidhte gjatë mandatit të UNMIK-ut, por edhe të EULEX-it.
Mbase me përdorimin e gjithë forcës, e cila sigurisht se do të krijonte disa përleshje, dhe mbase viktima do të mund të arrihej.
Por, konfliktin e filluar për targat vetëm sa do ta përdorte Serbia si fitil, për ta ndezur mirë zjarrin e konfliktit në veri, ku do t’i aktivizonte të gjitha strukturat paralele për të realizuar qëllimin.
Nëse Serbia, do të ishte e gatshme për këtë skenar, atëherë edhe unë jam dakord, që të ndizej konflikti, por me kusht, që siç e parashtruam në fillim, të ishte i gatshëm edhe Perëndimi, që të na mbulonte me avion dhe me sisteme antiajrore, për të rrëzuar avionët apo edhe raketat që mund t’i aktivizonte Serbia drejt nesh.
Dhe shumë kohë para se të binte regjimi i Putinit, ne me Perëndimin, do ta kishim dëlirë Serbinë nga influenca ruse!
Atëherë do të ishte realizuar si një profeci kërkesa e Presidentit Biden, e bërë gjatë luftës në Kosovës, kur kërkonte futjen e trupave të NATO-s deri në Beograd për t’ia ndryshuar karakterin Serbisë, mashtrues.
Por, a janë dakord amerikanët?!
Sipas një njoftimi të bërë sot nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përkatësisht zëdhënësi Ned Price SHBA-të e mbështesin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për një marrëveshje finale për targat mendojnë se mund të arrihet “ditëve në vijim”.
“Ditëve në vijim”, sigurisht se e ka kuptimin e më pak se një jave të mbetur në disponim, para se të kalojë afati 31 tetorit, kur skadon ultimatumi i Qeverisë për targat që lëshohen në bazë të akteve administrative të regjimit të Millosheviçit.
Ta mendojmë mirë opsionin që zgjedhim, por asnjëherë duke u nënshtruar!