Unë besoj në ritakimin e shpirtrave që janë dashur në jetët e kaluara
Vlora Obertinca
“Njeriu nuk e ka zbuluar ende formulën e qasjes së drejtpërdrejt në databazën e të dhënave të shpirtit, në mënyrë që të mund të rrëfejë historitë nga jetët e kaluara të shpirtit tonë”, Vlora Obertinca.
“…Unë nuk besoj në dashurinë me shikim të parë, por besoj në ritakimin e shpirtrave që janë dashur në jetët e kaluara dhe kanë histori dashurie të gatshme. Kështu që posa takohen shpirtrat e njëjtë, por në trupa të ndryshëm, dashuria shkrep si me shkop magjik, ngase janë shpirtrat ata që dashurojnë, sepse shpirti është vetë dashuria.
Lao Tzu njihet si një filozof dhe shkrimtar kinez i periudhës së shekullit VI deri të IV para Krishtit. Njihet si autor i librit “Tao te Ching” – “Mënyra e jetës”, libër që njihet si një ndër librat me përmbajtje të diturive sekrete të të jetuarit të shëndetshëm të jetës. Ndonëse me përmbajtje të thjeshtë, përcjell mendime të thella, që kërkojnë zbërthim përmbajtësor, gjë që ka tërhequr shumë mendje të ndritura të kohës bashkëkohore të merren me analizimin dhe shpjegimin e thënieve të Lao Tzu. Secili autor ka mënyrën e vet të shpjegimit të thënieve të tij, që do të thotë se të gjithë e kanë mirë, por thëniet e tij mund të vazhdojnë të interpretohen më tutje edhe në shumë mënyra të tjera nga autorë të ndryshëm.
Lao Tzu, para mijëra vitesh, na ka treguar për fuqinë e dashurisë, fuqi që mund të na bëjë të shkojmë në qiellin e shtatë nga lumturia apo, nëse lejojmë të lëndohemi nga dashuria, mund të shkatërrojmë, madje edhe organizmin tonë si të tillë.
Porosia e Lao Tzu-së është e thjeshtë për ta kuptuar, sepse dashuria është e pafund dhe nuk harxhohet kurrë, ngase njeriu nuk dashuron vetëm një herë në jetë, por shumë herë. Andaj, pse të shkatërrohemi për dashurinë e një njeriu që nuk e meriton dashurinë tonë, duke e ditur se toka mban mbi 7 miliardë njerëz dhe në çdo kohë mund ta kërkojmë dhe ta gjejmë një dashuri të vërtetë, sepse po të ishte dashuri e vërtetë, nuk do të perëndonte aq shpejt. Dashuria e vërtetë është pak më tutje, në një vend dhe një kohë tjetër, vetëm duhet besuar” Fragment nga libri i autores “Vera e shpirtit”.
Please follow and like us: