Ibrahim Vasjari: Vërtet i lirë!?
Me kaq të drejta, s’duhet të ankohem.
(Të bëhem bukëshkalë? Pupu, sa turp!)
Vërtet s’i përdor dot, po nuk nxitohem.
I ruaj depozitë në Kushtetutë.
Kam AKP, përse ta dua pronën.
(Ç’fat që m’u dha, o zot, ç’qe gjithë ky nder!)
Dhe hipotekës as ia kam nevojën.
S’më hyn në punë… i kam letra me vlerë.
Kam liri goje, çirrem, gllamurit.
(Sovran vërtet, po jo kaq arrogant).
Trëmben e bëhen sa një grusht partitë.
U jap një votë ashtu sa për sevap.
Ndihem i fortë, bile diçka më tepër.
(Më vjen ca turp që mburrem kësisoj).
Veç nga pushteti, për zakon të vjetër,
Zemra më dridhet si dikur njëlloj.
Please follow and like us: