Albspirit

Media/News/Publishing

Valë protestash dhe keqtrajtime të egra të regjimit iranian

 

Një vajzë e vogël nga komuniteti Baluch, viktimë e vrasjeve arbitrare në Iranin Veriperëndimor

 

 

25 tetor 2022

Nxënësit e shkollave të mesme arrestohen në mënyrë arbitrare

Aktiviste të të drejtave mbahen nën arrest pa iu bërë gjyq

 

Agjentë të Ministrisë së Inteligjencës hapën zjarr ndaj një automjeti në lëvizje në Saravan, duke vrarë një vajzë të vogël të komunitetit Baluch dhe duke plagosur një tjetër, të dielën, më 23 tetor 2022.

Dy vajzat e vogla po udhëtonin me një Peugeot 405 dhe ishin rrugës për në shkollë, kur forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj makinës, duke qëlluar në kokë 8-vjeçaren Mona Naghib. (Haalvash.org – 23 tetor 2022).

 

Nxënëse të shkollës së mesme të arrestuara në mënyrë arbitrare

 

Më 20 tetor 2022, agjentët e Departamentit të Inteligjencës të Iranshahr arrestuan një nxënëse të klasës së 11-të në shkollën e mesme Bentol Hoda Sadr. Vajza 15-vjeçare nga komuniteti Baluch kishte shprehur mbështetje në rrjetet sociale për protestat e vazhdueshme në Iran. Drejtori i shkollës kishte njoftuar shërbimet e inteligjencës, të cilët e arrestuan vajzën në shkollë. Nuk ka informacion për vendndodhjen e vajzave. (Haalvash.org – 23 tetor 2022)

Iranshahr dhe Saravan janë dy qytete në provincën Sistan dhe Baluchestan në Iranin juglindor.

Më 11 tetor 2022, forcat e Sigurimit të Shtetit arrestuan Mandana Nemati, 15 vjeçe, nxënëse e klasës së 11-të në shkollën e mesme Forghani të Karaj. Mandana kishte shkruar një slogan kundër regjimit në tabelën e klasës.

Nëna e Mandanës ishte në shkollë kur erdhën agjentët e SSF. Kështu, ata arrestuan edhe nënën edhe vajzën e saj. Nuk ka informacion për vendndodhjen e kësaj nëne dhe vajzës së saj.

Në një tjetër zhvillim, gjashtë nxënëse të gjimnazit u liruan pas pagimit të garancisë më 23 tetor pas disa ditësh në paraburgim.

Gjashtë vajzat ishin Kimia Ali-Moradi, Sondus Yaghubi, Hiro Nouri, Elina Ranjbar, Raha Sabouri dhe Sara Karami. Vajzat 17-vjeçare u arrestuan gjatë bastisjes nga forcat e sigurisë në shkollën e tyre.

Departamenti i Inteligjencës i Kermanshah i kishte arrestuar gjashtë vajzat gjatë një bastisjeje në shkollën e mesme Effat në Javarud. Më 23 tetor, agjentë të Departamentit të Inteligjencës shkuan në shkollën e mesme, duke u paraqitur si një grup televiziv. Ata kërcënuan studentët dhe i detyruan të mohojnë para kamerave arrestimet në shkollën e tyre.

 

Aktiviste të të drejtave arrestohen në Iranin perëndimor

 

Agjentë të inteligjencës në Sanandaj rrëmbyen një aktiviste të të drejtave të grave, Shilan Kurdistani, të dielën, më 23 tetor 2022, ndërsa po ecte në rrugë. Nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e saj.

Sanandaj është kryeqyteti i provincës Kurdistan në Iranin perëndimor.

Në provincën e Azerbajxhanit Perëndimor, nuk ka asnjë lajm për fatin e Massoumeh Hojabri, 31 vjeçe, e cila u zhduk me forcë më 7 tetor 2022. Shërbimet e sigurisë e arrestuan me dhunë në shtëpi.

Familjarët dhe bashkëshorti i saj kanë kërkuar vazhdimisht informacion për të nga Departamenti i Inteligjencës. Ata nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje për fatin e saj.

Massoumeh Hojabri kishte marrë pjesë në një protestë në një nga sheshet e Piranshahr duke dënuar vrasjen e Mahsa Aminit.

Një tjetër grua kurde, Kajal Vatanpour, është arrestuar prej një muaji. Pavarësisht vendosjes së shumës së garancisë që duhet paguar për të, forcat e rendit nuk e lejojnë të largohet.

Kajal Vatanpour, nga Gilan-e Gharb në Kermanshah, vazhdon studimet e masterit në drejtësi në Universitetin e Ilamit. Forcat e sigurisë e arrestuan atë më 22 shtator gjatë një proteste dhe e çuan në repartin e grave të Burgut Qendror të Ilamit. Ajo akuzohet për propagandë kundër shtetit, tubim dhe bashkëpunim kundër sigurisë kombëtare.

Please follow and like us: