Vlora Obertinca: Njerëzit mendjendritur sjellin kryevepra
“Njerëzit mendjendritur sjellin kryevepra. Jo secili e ka rrugëtimin dhe misionin e njejtë. Vendosja e njerëzve medjendritur në vendin meritor bën që, njerëzit përreth ta duan jetën dhe vendin ku jetojnë” – Vlora Obertinca.
…Duke shetitur nëpër Vjenën e bukur, po shikoja qytetin dhe rregullin e vënë. Kalova nga Burgtheater – mu kujtua që aty një shekull më herët kishte luajtur Aleksander Moisiu. Më tutje, më rastisi të udhëtojë nëpër hekurudhën e Semeringut, kryevepër e arkitektit dhe inxhinierit të njohur shqiptar, Karl Gega….
Po mendoja, historia po përsëritet! Margaritarët e popullit ndër shekuj po shkëkqejnë nëpër botë, por jo edhe në shtëpinë e vet.
Dje, po pija kafen e mëngjesit me një miken time në Prishtinë dhe më tha se do shpërngulen në perëndim familjarisht, sepse duan një perspektivë më të mirë jetese për fëmijët e tyre. E dhimbshme! Vallë pse kështu?!
Mbi 20 vite kaluan nga lufta ku përjetuam gjenocid dhe mezi u kthyem në vatrat tona, duke ju falënderuar miqve amerikanë me aleatë, mërgimtarëve shqiptaro-amerikanë dhe mërgatës sonë gjithandej. Por, ku jemi sot pas 20 vjetëve? Luftë e heshtur dhe xhelozi në mes vete, për një numër të kufizuar të vendeve të punës. E dhimbshme!
Jam dakord që, kjo qeveri po e lufton korrupsionin, por nuk po më pëlqejnë ndasitë partiake, ku po vetëkënaqen me antarësinë e vet hermetike dhe jo profesionale. Të gjithē jemi shqiptarë, tē gjithë kemi një histori të dhimbshme prapa vetes dhe të gjithë po jetojmë në shtetin e njëjtë me hallet e njëjta. Pozitat dhe pushteti janë kalimtare.
Ligjet e Universit thonë “Atë energji që e lirojmë nga vetja, ajo na kthehet neve”. Tani besoj që e kemi të qartë pse, kemi ngelur mbrapa tërë botës.
Qeveri e dashur, parti politike të opozitës, bëhuni bashkë, o sot o kurrë, se trojet tona po boshatisen. Leni xhelozitë e afroni ngat vetes mendjet e ndritura shqiptare brenda dhe jashtë shtetit dhe dilni zot vatanit. Kjo tokë për të cilën u derdh gjaku i të parëve tanë pa ndasi partiake, por me një ideal për një shtet dhe flamur, po e humbim ngadalë pa luftë. Toka pa njerëz, është tokë e shkretë…