Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Format moderne të plagjiaturës

1.
Studentë universiteti më kanë thënë se disa pedagogë të marrëdhënieve ndërkombëtare në leksionet e tyre përdorin gjërësisht librat e mi, por nuk bëjnë referenca për librin tim përkatës dhe as për emrin e autorit. Unë e qetësoj veten dhe studentët me argumentin se librat dhe analizat e mia diplomatike kanë datat e botimit dhe shpresoj që ata pedagogë nuk do të jenë aq të guximshëm sa t’i fusin leksionet-plagjiaturë në doktoraturat dhe në librat e tyre.
2.
Kur unë isha drejtor në Ministrinë e Jashtëme botoja në shtyp analizat e mia të rregullta diplomatike me pseudonim për shkak të detyrës. Nja dy ambasadorë të Shqipërisë, të akredituar në shtete për të cilat unë shkruaja shpesh dhe që nuk e dinin se kush ishte autori, të nesërmen dërgonin në ministri memo me emrin e tyre, ku kopjoheshin analizat dhe rekomandimet e shkrimeve të mia, duke i paraqitur si të tyre. Drejtori i këtyre ambasadorëve në ministri, i cili e dinte se kush ishte autori, vinte në zyrën time dhe duke qeshur me tregonte memot e kolegëve. Kaq flagrante ishte plagjiatura e tyre sa që një gazetar i njohur e pat denoncuar konkretisht në një artikull të tij këtë praktike antidiplomatike dhe antietike të kopjimit të analizave të mia nga ambasadorët.
3.
Një funksionar i lartë i njerës prej dy partive kryesore merrte teza dhe rekomandime nga librat dhe analizat e mia dhe ia paraqiste si të tijat kryetarit të partisë. Meqë paraqiteshin në rrugë partie, kryetari i fuste në dokumenta zyrtare dhe partiake. Pastaj dikush brenda partisë, që e kishte kuptuar hilenë, i tregoi kryetarit se plagjiatura vinte nga librat dhe nga analizat e mia, të botuara shumë kohë përpara paraqitjes së ideve te kryetari nga funksionari i lartë i partisë. Një zyrtar shumë i lartë i shtetit shqiptar, që njihte krijimtarinë time, ma tregonte si anekdotë këtë plagjiaturë partiake.
4.
Në kohën që unë botoja shkrimet e mia me pseudonim, një koleg shumë i afërt me udhëheqësin e njerës nga dy partitë kryesore më tha se sa herë ti boton analizat diplomatike udhëheqësi mban konferenca shtypi për çeshtjet rajonale me tezat dhe pikëpamjet tuaja. Natyrisht duke i paraqitur si të vetat.
Please follow and like us: